TIRANE- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, njëherazi kreu i grupit të saj parlamentar mohoi dje kategorikisht çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke e akuzuar atë si autore të shitblerjes së votave. Paloka ka shtuar se “LSI-në nuk e shohin dot me sy e jo më të bëjnë koalicion me të” kur u pyet lidhur me debatin për koalicione të mundshme majtas e djathtas, që siç pohon ai “janë debate vetëm në media”.

Kështu nëse dikush është duke besuar apo pritur me padurim rikthimin e një koalicioni të mundshëmmes demokratëve dhe LSI-së, për nënkryetarin e PD-së, asnjë mundësi për një të tillë nuk ekziston.

“LSI, absolutisht është partia që më shumë se kushdo tjetër ka dëmtuar votën e lirë dhe demokracinë shqipatare. Kështu që nuk besoj se dikush duhet të ketë iluzionin që PD do të bashkëpunojë me LSI-në, si një parti që është damkosur tashmë si armike e votës së lirë”, – pohoi Paloka në një prononcim për “ABC News”.

BASHA-RAMA
I pyetur gjithashtu nëse përjashtimi i një bashkëpunimi të PD-së me LSI-në mund t’i hapte rrugë një koalicioni të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme mes demokratëve dhe Partisë Socialiste, Paloka solli në vëmendje deklaratën e kryetarit të partisë së tij, i cili i ka konsideruar dy krerët e mazhorancës aktuale, Edi Ramën dhe Ilir Metën si dy pjesët e një molle të kalbur. “Kryetari i Partisë Demokratike z.Basha e ka bërë tashmë të qartë pozicionin e PD-së lidhur me një koalicion me LSI apo qoftë edhe me PS. Kemi bërë të qartë që janë pjesë e një të keqeje të madhe”, – deklaroi Paloka për “ABC News”. Ai shtoi gjithashtu se “gjithçka ka ndodhur midis LSI dhe PS ka qenë në bashkëveprim të plotë, të gjitha shkeljet kushtetuese, shkelje të ligjeve, kriminalizim i Parlamentit. LSI-ja është gjithë kohën aktive në këto akte negative”, – u shpreh numri dy i PD-së.

ZGJEDHJET VENDORE
Në planin e përfitimit politik dhe pragmatizimit, keqqeverisja është në favor të opozitës që pret rikthimin sa më shpejt në pushtet, çka nuk mund të ndodhë në kushtet kur në rezultat ndikon shit-blerja e votës. Ndaj sulmin kryesor, veçanërisht që nga zgjedhjet e 21 qershorit demokratët e rezervojnë veçanërisht për ish-aleatin e tyre qeverisës. “Akti më i rëndë që ka ndodhur, shit-blerja e votës
mban për autor LSI-në. Kështu që kurrësi nuk duhet të mendohet që ne mund të bëjmë koalicion me ta”, – ka përfunduar Paloka në prononcimin për “ABC News”.

BASHA
Rreth një muaj më parë, kreu i PR-së, Fatmir Mediu pretendoi se në rradhët e Partisë Demokratike ka ende eksponentë që besojnë se në të ardhmen mund të përsëritet një aleancë politike PD-LSI. Por lideri i opozitës, Lulzim Basha i ka dhënë përgjigje shqetësimit të aleatit të tij, duke përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi jo vetëm me partinë e Ilir Metës por edhe me PS-në, duke i cilësuar si dy pjesë të
një të keqeje.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: