Vendimi për mandatin të deputetit të Shkodrës, Mark Frroku, për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, është shoqëruar me debate në Konferencën e Kryetarëve të datës 22 tetor. Ditën që u vendos që mandati i Frrokut të mos hiqej, në Konferencën e Kryetarëve palët kanë rënë dakord që për këtë çështje të shprehej Gjykata Kushtetuese. Kryetari i Grupit të PD­së, Edi Paloka, e ka quajtur vendimin e Kuvendit si të habitshëm, pasi, sipas tij, animimin në Kushtetuese duhet ta bënte pala e prekur, në këtë rast deputeti Frroku dhe jo Parlamenti.

Por në debat, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka sqaruar se Partia Demokratike për këtë çështje kishte dhënë votën e saj pro në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. Meta ka theksuar se për mandatet e deputetëve që do të arrestohen nga Prokuroria do të shprehet më parë Gjykata Kushtetuese dhe heqja e mandatit do të vendoset nga ky organ, dhe jo nga partitë politike. Por Paloka ka theksuar se Frrokut duhet t’i hiqej mandati sepse s’kishte qenë në mbledhjet e Kuvendit për 6 muaj, por Meta është shprehur se ka qenë prokuroria që e ka penguar. Pjesë e debatit ka qenë dhe procesi i dekriminalizimit, për të
cilin demokratët kanë kërkuar që për projektligjet e dekriminalizimit
të mos shprehej Komisioni i Ligjeve, por Komisioni i Posaçëm.

REPLIKAT NË KONFERENCËN E KRYETARËVE
Ilir Meta: Të dy palët ramë dakord, ashtu siç ramë dakord herën e kaluar. Ne më duket se u morëm vesh edhe në Këshillin për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, ku do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatit të deputetit Mark Frroku. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një rast, por për precedentë dhe në rastet e tjera. Ka ikur koha ku ishte partia ajo që hiqte mandatin, qoftë Partia Socialiste, Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, apo çdo parti. Ka një pretendim, e dërgojmë në gjykatë dhe pasi shprehet gjykata, ajo do të shërbejë si bazë në të ardhmen për çdo rast, jo vetëm në rastin e zotit Frroku, por për çdo rast që do të krijohet nga çdo deputet. Mendoj se duhet të evitojmë polemikat e panevojshme që nuk na shërbejnë. Ju keni një pretendim. Dakord, pretendimi juaj presupozohet i drejtë. Por derisa biem dakord me konsensus që këtë çështje ta zgjidhë gjykata, t’i lëmë debatet e tjera, pasi nuk na ndihmojnë.
Edi Paloka: Në këtë rast, unë marrjen e vendimit të Këshillit të Mandateve e shoh të habitshme, pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë që në Gjykatë Kushtetuese ta çojmë ne. Në Gjykatë Kushtetuese e dërgon ai që ankimohet, i prekuri, i interesuari. Pra, logjika normale do të ishte që Këshilli i Mandateve të merrte vendim në zbatim të Rregullores dhe ai i dëmtuari ta dërgonte pastaj në Gjykatë Kushtetuese.
Spartak Braho: Është çuar për interpretim.
Edi Paloka: Pas gjashtë muajsh, deputetit që nuk merr pjesë në seancat plenare, duhet t’i hiqet mandati.
Ilir Meta: Nuk merr pjesë jo se nuk do të vijë, por nuk e lejon organi i akuzës.
Edi Paloka: Nëse është me arsye se është në burg, dakord. Kështu i bie se ka arsye që nuk vjen.
Fatmir Xhafa: Të më falni, por ka edhe një etikë komunikimi.
Ilir Meta: Kjo që i ndodhi zotit Frroku, mund t’i ndodhë kujtdo. Ne nuk po flasim për emra, por për fenomenin. Ne nesër, në kuadër të dekriminalizimit, mund të ndryshojmë Kushtetutën dhe ligjet, por në Kushtetuese,
Topalli: Kuvendi lau duart si Pilati!
Fatmir Xhafa: Në vijim të fjalës time, ata ranë plotësisht dakord dhe asnjë nuk e kundërshtoi. Që të pestë që ishin aty, nuk e kundërshtuan dhe thanë dakord, pasi ajo është zgjidhja. Unë nuk fola me ta, por e besoj në logjikën e një juristi me kulturë minimale juridike, nuk kishte zgjidhje tjetër. Edhe për një kulturë parlamentare, gjithsesi ne ishim dhjetë veta, pesë me pesë dhe të dhjetë ishim dakord. Tani, pas kësaj, si mund të dalim dhe të themi se nuk kish konsensus apo…?
Edi Paloka: Tani kjo do të diskutohet sot apo si është lënë!
Ilir Meta: Do të marrë vendim seanca. Të jemi luajalë, ky është problemi. Ju keni plot hapësirë për të bërë opozitë edhe nuk ju pengon njeri, pasi nuk ka arsye që të ndodhë kjo gjë. Për procedurat parlamentare, që biem dakord t’i respektojmë, sepse kanë të bëjnë me procedurat parlamentare dhe jo thjesht me mundësinë tuaj për të bërë apo jo opozitë.

DEBATI PËR DEKRIMINALIZIMIN
Edi Paloka: Kërkesa është pak a shumë kjo, përderisa kemi edhe komision të posaçëm lidhur me këtë çështje. Nëse e kalojmë në Komisionin e Ligjeve, marrim rastin ku në Komision të Ligjeve kalojnë projektligjet nesër, pasnesër dhe rrëzohen në këtë komision, atëherë çfarë funksioni do të ketë pastaj komisioni i posaçëm!
Ermonela Felaj: Kjo nuk është fort serioze. Ne jemi takuar me Oerdin, kemi diskutuar mbi projektin pas asaj që lamë këtu, duke u përpjekur të gjenim pikat e përbashkëta. Gjykoj që kemi gjetur pika të përbashkëta, të paktën për sa e kam dëgjuar Oerdin kur është prononcuar publikisht. Ne kemi avancuar sepse kemi prodhuar edhe një draft ku përafrohen qëndrimet dhe këtu nuk kemi përgjigje.
Ndërkohë, e shoh Oerdin që del dhe thotë se kemi rënë dakord me maxhorancën për këtë pikë, dhe bën këtë kërkesë! Nuk më duket serioze kjo. Nëse ne kemi rënë dakord dhe kemi avancuar që të merremi vesh dhe të kemi një gjë të përbashkët, nuk ka pse tani që këtë të fundit ta ndërpresim dhe të nisim një gjë nga e para.
Edi Paloka: Ju e dini që projektligjet u paraqitën në një moment kur dukej se komisioni nuk po funksiononte për një arsye apo një tjetër. Le të themi se “frika jonë” në thonjëza ishte kur është bërë një letër më tepër për të tërhequr vëmendjen. Mbase nuk ka qenë e nevojshme
as të kalonte në Konferencë të Kryetarëve, që të mos na ndodhë ky fenomen ku të kalojë në Komision të Ligjeve, pavarësisht se ne kishim frikë për prishjen e këtij konsensusit.
Ilir Meta: Po ne konsensusin po e prishëm, nuk do ta prishim fshehurazi, por hapur. Kjo nuk ka sens tani zoti Paloka. Të tregojmë më shumë respekt për veten, për njëri–tjetrin dhe për procedurat e parlamentare. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: