NGA VALENTINA MADANI*

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë
Demokratike, Edi Paloka, hedh poshtë aludimet e ish deputetes demokrate, Mesila Doda se është vetë ai që e ka përjashtuar nga partia për shkak të votimit në Kuvend pro arrestimit të deputetit Tom Doshi. Paloka deklaroi dje një reagim për “Gazeta Shqiptare” se Doda ka ikur prej kohësh nga Partia Demokratike, ndërsa ironizoi se ikja e saj e ditëve të fundit mund të jetë nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet tek Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Mesila Doda ndoshta ka ikur sot (dje) nga grupi parlamentar i PDIU-së tek grupi parlamentar i LSI-së sepse nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kohë që ka ikur”, – deklaroi Paloka. Deputetja Mesila Doda, dy ditë më parë, përmes një letre të hapur të publikuar ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare” nën titullin “Post Factum” deklaroi largimin nga Partia Demokratike. Duke renditur arsyet e ndarjes me PD-në, partinë që siç shprehej e krijoi bashkë me studentët e pedagogët 25-vite më parë, Doda pretendonte se thyerja me PD kishte nisur që nga anatemimi i qëndrimeve të saj për çështje të rëndësishme, si armët kimike, dekriminalizimi me çdo kusht i Kuvendit, refuzimi i bojkotit apo çuarja përpara e procesit për hapjen e dosjeve.

Pavarësisht se “de juro” nuk pati një përjashtim të saj nga PD-ja, Doda shprehej se ishte përjashtuar “de facto” nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, menjëherë pasi, ndryshe nga grupi i saj, votoi në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku të cilët u vunë para drejtësisë. Këtë përjashtim Doda e ka ndjerë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 21 qershorit ku Paloka sipas saj nuk e përfshiu në fushatën e zgjedhjeve vendore për Bashkinë e Tiranës.

“Qysh kur unë votova në përputhje me ndërgjegjen time njerëzore e politike për heqjen e një imuniteti erdhi rradhazi edhe përjashtimi im nga fushata e Tiranës, përjashtimi nga struktura parlamentare, me urdhër personal të kryetarit të grupit. E gjetur në këtë udhëkryq ku mungon çdo lloj komunikimi e bashkëpunimi reciprok, e përjashtuar de facto nga veprimtaria politike e deputetit, më duhet të lajmëroj veprimet e mia më të fundit të shkëputjes së marrëdhënieve formale me grupin parlamentar të Partisë Demokratike”, – sqaronte Doda në letrën e saj të hapur.

Mandej ajo shprehej se nuk mund të bashkëjetonte më me PD, parti ku sipas saj mbret është bërë klientelizmi. Gjithsesi deputetja u ka premtuar demokratëve se do të mbështesë propozimet e PD-së që janë në të njëjtën linjë me bindjet e saj, por lë pikëpyetjeje për familjen e re politike ku do të bëjë pjesë, që ndoshta mund të jetë PDIU, një parti me të cilën ajo është parë të jetë e afërt. Prej kohësh Mesila Doda mungonte në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së si dhe në mbledhjet e forumeve të kësaj partie. Nga larg selisë, ajo u kthye në një kritike të ashpër të politikës së ndjekur nga lidershipi aktual i PD-së, në mënyrë të veçantë duke bërë përgjegjës drejtuesit e partisë për humbjen e thellë të zgjedhjeve.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: