Nga: ELDA MENGA*

TIRANE- Negociatat me republikanët në kampin opozitar vijojnë. Demokratët nuk duan të humbin aleatin e tyre më të madh, për këtë arsye Edi Paloka thotë se po bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

“Pothuajse negociatat me aleatët janë mbyllur, e vërtetë që Partia Republikane si aleati më i madh ka kërkesa që përputhen edhe me pozicionin e tyre si aleatët më të mëdhenj dhe më të afërt, kërkesa që po shqyrtohen dhe mendoj se do gjejmë zgjidhje. Ato kanë kërkesat e tyre, ne kemi bërë ofertat tona, ndërkohë duke u përshtatur me rezultatet që ajo ka pasur dhe pritshmëritë që ka, do të konkludojmë shumë shpejt me një marrëveshje dy palëshe. Mendoj se do ketë marrëveshje pavarësisht kërkesave që mund të ekzistojnë apo emrave të përvetshëm. Mendoj se oferta jonë dhe ajo çka do ofrojë do PD, do mirëpriten edhe nga PR”, u shpreh Paloka.

Gara për Durrësin, ndau qëndrimet mes aleatëve. Republikanët këmbëngulin në kandidimin e Agron Dukës si kandidaturë fituese për këtë Bashki. Për nënkryetarin e Partisë Demokratike, gjithçka ndodh e ka një arsye.

“Unë e kam shprehur mendimin tim për zotin Duka, mendim pozitiv, por negociatat ndaj bëhen. Ne jemi të qartë se Durrësi është një nga qytetet më të mëdha, ku opozita, pra PD pretendon të fitojë dhe kjo i bën pak të vështirë në thonjëza këto negociata, pasi kuptohet që në qytetetin më të madh partia më e madhe pretedon të ketë kandidatin e saj. Kjo nuk ul vlerat e zotit Duka si kandidat, është vlerësimi maksimal për të por ne jemi në këto momente negociatash”, sqaron nënkryetari i Partisë Demokratike.

Të djathtët, kanë mbyllur negociatat pothuaj më të gjithë aleatët, të gjithë nuk mund të marrin atë çka kanë kërkuar, andaj Edi Paloka zbulon se do të zbatohet një formulë e re, për ti shpërblyer pas zgjedhjeve.

“Ju e dini që kërkohet shumë për të marrë më pak, ne kemi biseduar dhe do japim në proporcion me atë që mendojmë. Do ketë një marrëveshje që lidhet me rezultatin që kanë pasur këto parti, por edhe me rezutlatin që do kenë. Pra do ketë një marrëveshje pas zgjedhjeve, që çdo parte do i ofrohet diçka në bazë të rezultatit që do kenë”,- tha Paloka.

Edhe pse është në krye të shtabit elektoral për kryeqytetin, Paloka shprehet i rezervuar për kandidaturën e demokratëve për kryeqytetin. 22 prilli është afati përfundimtar i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në Komisonin Qëndror Zgjedhor.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: