*Tahiri: Njoftuam për përmbytjet që më 28 janar
*Berisha-Peleshi debat për investimet në Korçë
*Paloka: S’shpallni emergjencën se s’doni të paguani dëmet
*Ristani: Shpallni gjendjen e emergjencës

*Ahmetaj: Për pak e “fshitë” Golemin dje, keni mbyllur portën e shkarkimit të ujërave me tender në 2011 dhe ai tender do hetohet

TIRANE– Debati për përmbytjet është zhvendosur sot në parlament, ku opozita ka vijuar akuzat ndaj mazhorancës për mosshpalljen e gjendjes së emergjencës, pasi sipas tyre, nuk duan të dëmshpërblejnë banorët e prekur nga vërshimi i ujërave të lumenjve. Në emër të qeverisë, zv/kryeministri Niko Peleshi siguroi banorët se pas kalimit të situatës së vështirë, do të bëhet vlerësim i drejtë dhe real dhe kompensim i çdo dëmi.

GJIKNURI: OPOZITA AKUZA NË TYM, KASKADA PO MIRËMENAXHOHET
Ora 18:30- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi të enjten se sektori elektroenergjetik nuk është kthyer në kontribues të përmbytjeve apo problemeve siç ka patur në të kaluarën.

“Në sajë të mirëmenaxhimit, dhe jo si më parë me komandë politike nga zyra e Kryeministrit, kaskada është menaxhuar mirë. Kuotat janë menaxhuar siç duhet, as nuk janë bërë shkak për përmbytje, por po kthehen në një element për efiçiencë më të mirë ekonomike. Më parë, kishim një zotëri i cili merrej personalisht dhe thoshte “hap portat- mbyll portat, mos importo tani se duhen ruajtur para” dhe pastaj vinin përmbytjet se nuk i menaxhonte dot. Ky ka qenë zotëria që merrej vazhdimisht e personalisht me energjinë dhe ndaj e çoi sektorin në gjendjen që e gjetëm ne”, tha Gjiknuri gjatë seancës plenare të Kuvendit ku për orë të tëra u diskutua mbi situatën e krijuar nga përmbytjet. Megjithëse me një sasi më të pakët prurjesh, vijoi Gjiknuri, u rrit efiçenca në prodhimin e energjisë duke e ulur nivelin e konsumit të ujit nga 1.31 m3 ujë/kWh në 1.17 m3 ujë/kWh.

Mnistri Gjiknuri akuzoi opozitën edhe për shitjen e katër hidrocentraleve, veprim të cilin Gjiknuri e konsideroi veprën më kriminale që i është bërë interesit publik. “Shitje me një vlerë qesharake, mbi të gjitha hidrocentrale të rehabilituara me paratë e popullit shqiptar”, tha ai.

TOPALLI:NE DHE KAFSHËT I TRAJTONIM MË MIRË SE JU NJERËZIT. BEQAJ: SHKODRA TA DHA PËRGJIGJEN ME VOTË
jozefina topallli
Ora 17:36- Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli për të treguar se kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për personat në zonat e përmbytura, ktheu në vëmendje përmbytjet në Shkodër, duke shtuar se në atë kohë edhe delet, viçat e lopët janë trajtuar më mirë se sap o trajtohen njerëzit tani.
“Më 30 janar kur jugun e përpinte uji, Rama shkruan në FB puna vazhdon, klipi që jepej nuk ishte për jugun. Klipi i tij fliste për mrekullitë e spitaleve kur ne e dimë të gjithë ku është shëndetësia sot. Nuk kam asgjë më shumë se një ndjenjë neverie, përbuzje, papërgjegjshmërie. Ai duhet të japë dortehejqje e ti kërkojë popullit falje”
“Në rastin e përmbytjes në Shkodër i gjithë shteti 24 orë në 24 orë, natë dhe ditë jo 1, 2 apo 3 ishim në cdo cep të zonës së përmbytur, të angazhuar me të gjitha strukturat. Kësaj radhe është e vështirë për mua, sepse ju nuk po i trajtoni njerëzit as ashtu siç ne trajtuam kafshët, ne u morëm me cdo dele e vic, ju nuk i trajtoni as si trajtuam ne bagëtinë. Ju mendoni vetëm për para. Jeni një qeveri jo vetëm e pamëshirshme, por edhe qeveri mizore. Një qeveri që shfrytëzon këtë periudhë për të vjedhur miliona euro nga shitja e energjisë”, tha Topalli.
Në replikë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i kujtoi Topallit se për atë që i bëri Shkodrës e morti përgjigjen me anë të votës së qytetarëve shkodranë.
“Nëse flasim për çfarë i bëtë Shkodrës besoj se falë kontributit të kolegëve tanë ta dha përgjigjen në 23 qershor. Sa për mua e filluam në Shkodër përballjen, por dije se unë nuk merrem me ty se jam rritur në një familje që s’merren me gratë”, tha Beqaj.

AHMETAJ: E LATË EMERGJENCËN ME 570 USD – KENI MBYLLUR PORTËN E SHKARKIMIT, PËR PAK E FSHITË TËRË GOLEMIN DJE
Ora 16:53- Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj i është drejtuar me tone të ashpra dhe akuza, deputetëve të opozitës duke iu kujtuar atyre se e lanë bosh Rezervën e Shtetit, se lanë vetëm 570USD dhe mbi të gjitha, se desh ‘e fshinë” tërë Golemin me portën e mbyllur të rezervuarit të Manskurisë me një tender të korruptuar në vitin 2011.

“Ata që zënë me gojë këtu jo oriz, jo fasule, ditën që lanë zyrat e lanë Rezervën e Shtetit me zero dhe fondin e emergjencës me 570 USD! Çfarë do bëhej me 570 USD? Aq nuk kushtonte celulari i Sali Berishës. Ti Sherefedin nuk duhet të flasësh, se më lalhtarise me atë ikjen tëndë në drejtim të paditur.

Por, këto situate testojnë edhe institucionet. E mbani mend se çfarë i bëtë Shkodrës? Kur ne shkuam atje, navigonim, se ishte bërë det. E vini këtu dhe na flisni për emergjencë. Çfarë po bëni ju? Në vend të dilni e të mbështesni. Një shtet ka në dispozicion atë që ka në rezervën e shtetit. Keni pasur det në Shqipëri për fajin tuaj, se kjo nuk është për fajin tonë, është punë e Zotit.

Në Golem po, aty patëm një situatë krize, se keni bërë një tender, keni mbyllur portën e shkarkimit. Dhe ajo digë mund të binte se ju keni vjedhur paratë e tenderave dhe keni bllokuar portën e shkarkimit. Qytetarë të Golemit, po, keni qënë në rrezik, nuk jua thamë por po e themi tani që kaloi rreziku. Se ai tender u bë në 20111-ën. Dhe ai tender do bëhet shembull. E patë ç’ndodhi në Shkodër? Atje s’kishte argjinaturë. Si guxoni të kërkoni llogari? Në vend të dilni e të kërkoni falje.”

BEQJA – PD-së: PSE NUK I DËMSHPËRBLYET, TË PËRMBYTURIT NË SHKODËR?
Ora 16:30- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ngriti një pyetje, duke iu drejtuar deputetëve të PD-së: Pse e latë arkën e emergjencës bosh dhe pse pas aq vitesh, nuk i shlyet dëmet e përmbytjeve në Shkodër? Është e qartë se ju i bishtnoni këtyre pyetjeve dhe këtu bashkohen edhe përgjegjësia, edhe hileja. Përmbytja ka hapat e veta dhe sot ka nisur rehabilitimi sanitar në zonat e përmbytura. Praktikisht, nuk ka asnjë humbje jete dhe asnjë sëmundje nga epidemitë në të tilla raste, edhe pse duhet pranuar se rreziku ekziston. Unë e kam vizituar situatën në Darëzëze dhe në Novoselë ku mjekët dhe infermierët janë në qendrat shëndetësore. Me mjete të vogla lundrimi po ashtu jemi gati për asistencë edhe pranë shtëpive që janë përmbytur.

Ministri Beqja foli edhe për denoncimin e fundit bërë ndaj mjekëve të QSUT-së, duke iu referuar aktivistit Arian Galdini. Sipas ministrit, edhe sot e kësja dite, ai nuk ka dhënë asnjë dokument për të provuar akuzat e veta, ndërkohë që kurat në Shqipëri kanë qënë efektive dhe kjo duket nga rezultatet e analizave.

“Këtu u fol edhe për mafien e ilaçeve, – tha më tej Beqaj. – E kam dëgjuar edhe nga ai që ka qënë Kryeministër po nuk bëri asnjë veprim. Në janar 2015, çmimet e barnave kanë rënë ndjeshëm. Ne nuk do të lejojmë që barnat këtu të kushtojnë më shumë se në vendet e origjinës.

SHEHU: JEMI NE EMERGJENCE THONI DHE NUK E SHPALLNI
Ora 16:10 Deputeti Sherefedin Shehu tha se “kjo qeveri nuk po e vlerëson atë që ka ndodhur, Të gjithë thonë se jemi në emergjencë dhe nuk shpallin gjendjen e emergjencës.”

ISLAMI: PARANDALIMI I SITUATES NUK MJAFTOI
Ora 16:00 Deputeti demokrat Kastriot Islami shpjegoi se “çdo krizë ka tre faza dhe ka një logjikë. Nëse dimensioni i saj është i madh, atëherë duhet shpallur se ka mekanizma të tjerë për ta menaxhuar. Ne mendojmë se është mirë, për të arritur maksimimumin se parandalimi nuk ka mjaftuar.”

RUÇI: SOLIDARIZOHUNI PER PERMBYTJET
Ora 15:00- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi të enjten se i gjithë kabineti qeveritar është në terren, pranë qytetarëve në zonat e përmbytura.Duke marrë fjalën në seancën plenare që po zhvillohet në Kuvend, Ruçi tha se fatkeqësitë nuk duhet të na ndajnë por të na bashkojnë dhe t’i gjendemi njëri-tjetrit.
Ndërkaq kreu i grupit kërkoi gjithashtu vijimin me rendin e ditës së seancës plenare.
Ai i kërkoi solidaritetin e gjithë klasës politike, angazhimin e tyre pasi nga kjo përmbytje shumë e rëndë, banorët kanë nevojë për të gjithçka pasi dëmet janë të mëdha.

BRAÇE, BERISHËS: SHIT BENZIN 111 MLN LEKË. BERISHA: KRYETARI YT RRËMBEU MAKINËN E MIQVE
Ora 14:50- Deputeti socialist, Erion Braçe i ka kërkuar Berishës të shesë makinën e tij dhe paratë ti çojë për zonat e përmbytura. Nga ana tjetër Berisha tha se kryeministri aktual rrëmbeu makinën që ishte lënë për miqtë e Shqipërisë.

Braçe: Shit benzin prej 111 mln lekësh, shit dyqanin në mes të bllokut, me ato rroba të markave të shtrenjta, e çoji lekët në Levan e Novoselë.

Berisha: Kam një makinë të dhënë nga PD-ja, kurse kryetari ka rrëmbyer një makinë 7 herë më të kushtueshme. Se kisha blerë për vete por për miqtë e Shqipërisë. Ai bëri një akt burracak dhe u zhyt në blind dhe ka lënë vendin pa asnjë makinë për miqtë. Sa ditë punë vullnetare ke bërë në Surrel? Ti po bën punë vullnetare në Surrel dhe Karavasta.

BERISHA: ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME PËR TË SHPËTUAR NGA KTHETRAT E KËTIJ REGJIMI

Ora 14:30- Ish-kryeministri Berisha ka kërkuar që parlamenti të dalë me një vendim për situatën e përmbytjeve. Berisha ka akuzuar qeverinë se nuk ka pasur një politikë për situata të tilla, dhe se paratë e përcaktuara për digat i ka shpenzuar për ahengje dhe orgji. Berisha tha se qeveria po i blen palmat me një çmim 8 herë më të lartë dhe ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. “Është normale që qytetarët të shohin angazhimin në këtë seancë për hallet e tyre. Nuk është normale që të shohin lumturorë të shumicës, krenarë për përmbytjet e mëdha, krenarë për vuajtjet e jashtëzakonshme të atyre njerëzve. Mendoj se shumica duhet të dalë me një vendim nga këtu, i cili të jetë mesazhi më konkret për ato familje që janë në kushte shumë të vështira.

Shqipëria është vendi që ka lumenj të rrëmbyeshëm. Shqipëria vend me përmbytje dhe çdo qeveri politikën e përmbytjeve duhet ta ketë çështje të parë. A e pati kjo qeveri këtë çështje emergjente? Absolutisht jo. Ju jeni ata që shtatorin që kaloi i morët paratë e përcaktuara për argjinaturat e digat, i transferuat për zyrat, për ahengje, orgjia dhe gjëra të tilla. Çfarë bëtë ju?

Përmbytja e Vjosës është më unikja, sepse është e rrufeshme. Në 2005 patëm një përmbytje, falënderova Zotin se nuk patëm viktima. Por nuk u krenova. Qeveria duhet të ketë një qëndrim shumë më serioz ndaj Vjosës e cila prapë mund të përmbytë. Qëndrimi juaj ndaj përmbytjes është si puna e atij njeriut që dëgjon një lajm në mëngjes dhe kthehet në krahun tjetër. Kjo ishte një përmbytje e paralajmëruar. Ju thoni se i paralajmëruat banorët, por nuk ka dalë një banor të thotë se na paralajmëruan. Kryeministri u zhyt në lakrorët e Korçës. Janë investuar në jug jo më pak se 60 mln euro.

Shëndetësia falas, Rama-Beqaj mashtruan. Kontrolli shëndetësor falas, asnjë rezultat

berisha ne kuvend1

Asnjë vend në botë nuk bën kontrollin falas. E dini ç’po ndodh me palmat? Po blihen me çmim 8 herë më të lartë. Ndërtuesi i sarajeve në Surrel ka ndërtuar dy vila në parkun e liqenit. Gjelbëruesi i sarajeve në Surrel ka fituar tenderin e palmave. Ndërkohë atyre u çuat një shishe ujë, sepse qeveria është një epidemi vjedhjesh. Energjia, a e dini ju qytetarë se ky shtet shet dhe blen energji. E shet me 37 cent dhe e blen më shtrenjtë.
berisha ne kuvend 5

Të bëhet amnisti për faturat amorfe. Amnisti për të gjitha kamatëvonesat në energji. Të shkohet në zgjedhje të parakohshme si rruga e vetme për të shpëtuar nga kthetrat e këtij regjimi të lidhur këmbë e kokë me krimin. Sot më njoftojnë se tek fabrika e kokainës kishte bërë vizitë shefi i komisariatit, kishte arrestuar Kelmendin për energjinë, merr urdhra për lirimin e Kelmendit dhe harrohet ajo që kishte ndodhur. Ndaj të dashur qytetarë të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, tha Berisha
erion brace1

Ora 14:05- Erion Braçe- Ligji për emergjencat civile ka qenë në fuqi që nga viti 2001. E keni shpallur gjendjen e emergjencës pikërisht në këtë zonë, në Novoselë në vitin 2005? Po të sfidoj. Natyrisht që nuk e keni shpallur. E di çfarë i tha kryeministri banorëve, se ato shtëpi të përmbytura ishin thelbi i kapitalizmit. Për 3 përmbytje: 1.12. 2010; 3.12 2010 dhe 6.1. 2010 keni paguar vetëm 30% të vlerës nga 32 mijë dollarë dhe i keni paguar vetëm për biznese, për qytetarët zero. Me të gjitha këto vendime keni shpallur gjendjen e emergjencës, pse nuk i keni paguar 100% të vlerës. Për 3 vite me radhë nuk keni paguar asnjë qindarkë për qytetarët në atë zonë. Atyre njerëzve u keni thënë dy fjalë të jeni të lumtur që zhvillimi i kapitalizmit ju ka sjellë hotele e motele këtu.

Edmond Spaho: Nuk është shpallur se përmasat e përmbytjeve nuk kanë qenë si sot. Ke 3 qarqe të përmbytura, ke daljen e lumenjve nga shtrati, ke rrezik për çarjen e digave. Në përmbytjen e parë 9 mln dollarë i vlerësuar dhe i shpërblyer i marrë në dorë nga qytetarët shkodranë dhe lezhjanë.

RISTANI-TAHIRI DEBATE PËR DËMSHPËRBLIMET

Ora 13:44– Deputeti i PD-së, Arben Ristani akuzoi edhe njëherë ministrin Tahiri dhe qeverinë se gënjejnë në lidhje me situatën e emergjencës, pasi nuk mund të marrin ndihma nga Europa pa shpallur gjendjen e emergjencës. Ndërsa deputeti Tahiri tha se shpallja e gjendjes së emergjencës kërkon disa kritere, por pavarësisht kësaj të gjitha institucionet dhe forcat operacionale janë në gatishmëri të plotë.

Ristani: Nuk e shpallin gjendjen e emergjencës me të vetmen arsye se nuk duan t’ju dëmshpërblejnë. Kjo është arsyeja dhe gënjeshtra ka fytyrën e tij. Ju thanë se kanë biseduar me Brukselin për të marrë ndihma, por nuk marrin dot ndihma pasi nuk kanë shpallur gjendjen e emergjencës.

Tahiri: Ju kam dëgjuar shpesh herë të thoni pse nuk shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Shpallja e gjendjes së emergjencës mbi bazën e ligjit, bëhet mbi disa kritere, por ne nuk preferojmë që në kushtet kur asnjë njësi nuk ishte e bllokuar, të paralizonim një qark të tjerë, për më tepër kur të gjitha forcat ishin në gatishmëri të plotë. Punën e institucioneve nuk e ndalon shpallja e gjendjes së emergjencës. Në këtë moment gjeni rastin ti thoni qytetarëve se nuk duan t’ju dëmshpërblejnë. Po kush e thotë këtë, ju që keni lënë 37 milion euro borxh pa dëmshpërblyer qytetarët. Në themi atë që bëjmë, bëjmë atë që themi, bëjmë dhe atë që ju se keni bërë kurrë.

TAHIRI: NJOFTUAM PËR PËRMBYTJET QË MË DATË 28 JANAR, E LATË ARKËN E EMERGJENCAVE CIVILE ME 570 DOLLARË
Saimir Tahiri ne kuvend

Ora 13:30- Pasi situata e përmbytjeve ka marrë kohën më të madhe, deputeti i PS-së, Erion Braçe ka kërkuar që deputetët të kthehen në diskutimin e çështjeve të përcaktuara në rendin e ditës. “Mund të jetë legjitime të flasim edhe për një situatë të caktuar, por në bazë të rregullores dhe procedurave parlamentare që të gjithë i kemi pranuar, ju lutem shumë rikthejmë seancën në rendin e ditës”, tha Braçe.

Lidhur me akuzat e deputetit të PD-së, Arben Ristani për situatën në jug të vendit nga përmbytjet, ka folur edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili tha se banorët ku do të kishte përmbytje u njoftuan që më 28 janar. Tahiri tha se qeverisja e kaluar la 570 dollarë në arkën e emergjencave civile, ku nuk kishte as fasule.

“E gjej të vështirë të flas pas shpifjeve e baltës së parafolësit, që nuk ka as logjikën minimale institucionale, s’ka as kujtesën e mjaftueshme për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Kur përmbytej Shkodra, zotëria përmbytej në substanca që i ka qejf, për të numëruar dhe votat pastaj. Një deputete e opozitës tha jemi në këtë situatë për shkak të rrënimit disavjeçar. Nuk kam çfarë ti shtoj, natyra përmbyt, por keqqeverisjet përmbytin më keq. Dua të bëj me dije se për shkak të reshjeve, dalja e lumenjve ka shkaktuar përmbytje në masë të gjerë që nuk na gjetën të papërgatitur dhe as lejuam të kishte pasoja e humbje në njerëz. Që me 28 janar kur morëm njoftimin, shpërndamë njoftimin duke ngritur shtabet në çdo qark. Kush e di çdo të thotë kjo, do të thotë përgjegjësi maksimale. Ngritja e shtabit qendror të emergjencës ka bërë të mundur që në kohë rekord të paralajmërohen një herë, dy herë, tre herë banorët e zonave ku pritej të kishte përmbytje. Janë bërë njoftime derë më derë, si asnjëherë më parë. Njoftimi është bërë në Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Fier e Vlorë. Në datën 30 janar strukturat shtetërore kanë filluar të kërkonin largimin e banorëve nga banesat pasi parashikohej rrezik. Në 31 janar është vazhduar me evakuimin, sepse banorët nuk bindeshin të largoheshin, për arsye të kuptueshme që burojnë nga mosbesimi ndaj institucioneve por edhe domosdoshmëria për të mbrojtur pronën. Si rezultat i ndërhyrjes në kohë, duke marrë një seri masash, duke mobilizuar një numër shumë të madh forcash operacionale, u bë e mundur që nga situata e emergjencës të mos shënohej asnjë humbje në njerëz apo situatë serioze për shëndetin e njerëzve. Qeveria, kryeministri, ministrat, të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore kanë monitoruar çast pas çasti situatën për të koordinuar veprimet. Sot situata më pozitive, shtëpitë me prezencë uji më pak se 50. Për familjet e evakuuara janë krijuar qendra strehimi, por shumica janë strehuar tek të afërmit. Janë vendosur edhe çadra për gjënë e gjallë. Janë shpërndarë dhe po vijojnë të shpërndahen ndihma për banorët e përmbytur. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata burra dhe gra, mbi 2100 forca operacionale, të cilët kanë rrezikuar edhe jetën për të shpëtuar njerëzit. S’kishit lënë as fasule në rezerva. 0 kg nga 30 mijë që duhet të ishin, nuk latë as çizme. Nuk e di nëse kjo është përgjegjshmëri. Latë arkën e emergjencave me 570 dollarë gjithsej, pothuajse bosh. Sa 1 e 3-ta e rrogës së ish-kryeministrit për të përballuar emergjencat civile. Kur buxheti ishte i plotë, 1.2 mln dollarë i shpenzuat para zgjedhjeve pa emergjenca civile. Nuk dua të them se i shpenzuat për fushatë por ku i çuat këto para. Ju që boshatisët edhe arkën e emergjencave civile, ju sot bërtisni shpifni, a thua se nuk e latë ju këtë vend në këtë derexhe. Pavarësisht gjendjes që na latë, jemi të detyruar ti përballojmë këto shpifje dhe baltë. Gjithsesi jemi të fokusuar të punojmë. Përmbytjet nuk njohin parti. Do ketë përllogaritje të plota dhe transparencë në disbursim. Keni lënë borxhe 34.7 milion dollarë nga dëmshpërblimet. I keni lënë qytetarët jo vetëm në mëshirën e fatit në fatkeqësi natyrore por i përmbytët dyfish me gënjeshtrat tuaja.

Nëqoftëse natyra mund të bëjë shaka, qeveria jo, politikanët jo, e të tallen me fatkeqësitë e qytetarëve. Unë as e di dhe as e kuptoj arsyen që kur ishit në kohën për të bërë vetëm flisnit dhe nuk bënit gjë, ndërsa sot që ne bëjmë punë ju vetëm flisni. Jemi qeveria që kemi marrë përsipër gabimet tuaja. Na bie barra të bëjmë edhe ato që ju nuk i bëtë gjatë qeverisjes suaj. Dy vitet e fundit të qeverisjes suaj dëmshpërblyet vetëm 260 mijë dollarë. Kjo është një tjetër mundësi që ju të kuptoni sa ndryshe jemi ne”, tha Tahiri.

RISTANI: NUK MERRET NDIHMË NDËRKOMBETARE PA SHPALLUR GJENDJEN E EMERGJENCËS
Ora 13:20 – Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani deklaroi në Kuvend se qeveria nuk mund të kërkojë ndihmën e Brukselit për përballimin e pasojave të përmbytjeve, për sa kohë nuk ka shpallur gjendjen e emergjencës civile. Nga foltorja e Kuvendit Ristani tha se kryeministri fshihet, sepse nuk do të japë llogari për atë që po ndodh.

“Lekët që i ka marrë popullit nëpërmjet taksave nuk do t’i përdorë për të dëmshpërblyer fatkeqët. Që qeveria të kërkojë ndihmën ndërkombëtare duhet të shpallë gjendjen e emergjencës. Por po të shpallë gjendjen e emergjencës, i pashpirti duhet të dëmshpërblejë 100% të dëmtuarit, dhe nuk do të ketë lekë të mbjellë palma”- deklaroi Ristani.

Duke sjellë në vëmendje protestën e banorëve të lagjes Kushtrimi të Vlorës, për dëmshpërblimin e banesave të tyre, Ristani tha: “ Kryeministri s’pyet për të ftohtin dhe acarin, s’pyet për pleq e plaka, s’pyet për gra dhe fëmijë, por do tua prishi shtëpitë. Ata njerëz që kanë ardhur nga Vlora kërkojnë të trajtohen me dinjitet, sepse ata e meritojnë kujdesin e shtetit. Të shembësh dhe të prishësh është kollaj, të ndërtosh të vesh mendjen në punë, përvojën dhe dijet, të vesh zemrën në punë kjo është e vështirë dhe kërkon burra të rritur dhe jo kalamaj që veprojnë me instinkt. Ku është sot kryeministri? Të vinte këtu dhe të jepte llogari se çdo të ndodhë, por fshihet”.
VOKSHI: QEVERIA PO SHKEL LIGJIN PËR EMERGJENCAT CIVILE

Ora 12:30- Deputetja e PD-së, Albana Vokshi i ka kërkuar sërish qeverisë të zbresë në terren në zonat e përmbytura. Vokshi tha se banorët janë në mëshirë të fatit, ndërsa ende qeveria nuk ka shpallur gjendjen e emergjencës duke shkelur ligjin për emergjencat civile të propozuar nga vetë deputeti i PS-së, Ben Blushi. “Qeveria të lërë zyrat komode dhe të zbresë në terren. Kjo situatë nuk erdhi vetëm nga natyra por edhe nga neglizhenca. Ekspertët tuaj duhet të kishin hartuar projektet konkrete. Nga informacionet që kemi Vjosa, Devolli kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur qindra banesa. Banorët e këtyre Zotit, janë në mëshirën e fuqive hyjnore. Sikur thotë shprehja Zoti të ruajtë nga uji, nga zjarri dhe nga qeveri si kjo e sotmja. E kam të lehtë të evidentoj masat e shtetit të atëhershëm me të tanishëm. Qeveria e propagandës në shkelje flagrante të ligjit për emergjencat civile, propozues për të cilin ka qenë zoti Blushi, që mund ti japë këshilla shumë të vlefshme Ramës, ende sot nuk ka shpallur gjendjen emergjencës. Ndërsa ky realitet mesjetar zotëron territorin e vendit tjetër imazh na ofrohet nga qeveria. Raportimet zyrtare flasin për 5000 ha nën ujë, për 400 banorë të evakuuar por e vërteta është krejt ndryshe. Kemi dy realitet të ndryshme. Nga njëra anë dëmet kolosale, dhe nga ana tjetër kryeregjisorin Rama që bën fushatë. Pata rastin të takoj shumë banorë, të braktisur nga shteti i tyre nuk dinin kujt ti drejtonin lutjet përveç Zotit dhe natyrës. Nënë Feruzja në Ferras, kryefamiljare invalide që nuk kishte ku të flinte e lutej për një çap bukë, po sa të sëmurë janë lënë në mëshirë të fatit. Sot dua t’ju përcjell thirrjen për ndihmë të qindra familjeve”,- tha Vokshi.

albana vokshi1

BERISHA-PELESHI DEBATE PËR INVESTIMET NË KORÇË

Ora 12:00- Gjatë diskutimit të aktit normativ për “Privatizimi i shoqërive tregtare” ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë fjalën duke i ka përmendur zëvendëskryeministrit Niko Peleshi investimet e bëra në Korçë gjatë qeverisjes së tij. “Më duhet ti them këtij lumturorit që sapo foli që thotë se Korça s’ka pasur investimet të tilla si kullën Rama-Peleshi dhe shatërvanin 2.5 mln euro. Po të them se vetëm impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Korçë pati një kosto 37 milion euro. Pa llogaritur këtu sa ka kushtuar unaza e Korçës, sa kanë kushtuar pallatet që u bënë për romët dhe ua dha militantëve. Nuk ju dhanë romëve, kërkuan që të mos flitet për romët, pa llogaritur këtu ata që jetojnë në Korçë, pa llogaritur këtu qindra kilometra të asfaltuara. Këta që lumturojnë xhepat e veta dhe thonë se është bërë sa për 20 vjet se Korça i dëgjon. Kam pasur disa kërkesa nga pronarët se po përvetëson truallin”, tha Berisha.

Ndërsa zëvendëskryeministri Niko Peleshi i është përgjigjur se akuzat mund ti çojë në prokurori. “Si një politikan i rafinuar në 40 vjet dini ti rregulloni fjalët e të thoni “Qytetarët ju akuzojnë”, që të mos përballeni në prokurori. Ju kam ftuar të shkoni në prokurori dhe të bëheni një herë serioz pas kaq vitesh në politikë. Nëse kjo platformë nuk është për të folur për Korçën, nuk është as për trillime. Gishti i akuzës është pamja që nuk ju shkon. Bëhet fjalë për një spekulim të pastër. Bëhet fjalë për një projekt për të ndërtuar terminalin e autobusëve të qytetit. Ky program që është votuar nga këshilli bashkiak në unanimitet është pezulluar sepse pronarët kanë hapur një proces gjyqësor. Janë ndërmarrë shumë projekte në atë qytet. Këto fantazmat e pallateve që ju sajonit për të penguar projektet në Korçë dhe gjithë Shqipërinë kanë rënë. Sa për kullën që përmendët është një projekt, po për çështjen e kullave ju jeni më ekspert, mua më duket shumë interesant. Ne do të vijojmë me të njëjtën forcë të zbukurojmë Shqipërinë. Ju nuk jeni kujdesuar asnjëherë që fëmijët tanë të jetojnë më mirë se ne, duke inkurajuar ndërtimet pa kriter. Që nxituat ti legalizonit, kontribuojnë për situatën që jemi sot. Ne jemi qeveria që merremi edhe me shkakun, për të parandaluar këto situata. Duke bërë moratoriumin e ndërtimeve, i cili synon të dekurajojë zhvillimin pa kriter të territorit. Shqipëria nuk është vetëm e jona, është edhe e fëmijëve tanë që meritojnë të jetojnë më mirë se sa ne”, tha Peleshi.

PALOKA: NË VEND TË BUNKERËVE, RAMA TË INVESTONTE PARATË NË ARGJINATURA

Ora 11:25 – Por pas fjalës së zv/ministrit Peleshi, Paloka ka replikuar sërish duke u shprehur se opozita sot nuk do të ndjekë shembullin e opozitës së majtë që hidhte baltë mbi qeverinë, por nuk mund të shmangë dot kritikat ndaj kryeministrit Rama. Sipas Palokës, Rama ka zgjedhur ditën e gabuar për të shkuar në Vlorë, ndërsa e ka akuzuar se ka shpenzuar miliona për monumente diktature, në vend që këto para të financonin ndërtimin e argjinaturave.
“Nuk jemi këtu për të bërë politikë, sic ka bërë opozita e dikurshme që hidhte baltë pas cdo ndihme qe qeveria jonë jepte për zonat e përmbytura. Nuk mund të lejojmë që të mashtrohet asnjë qytetar, i japim mbështetje cdo personi që është duke ndihmuar në zonat e përmbytura. Rama gjeti kohën e gabuar për të shkuar në Vlorë. Sot duhet të ishte në parlament. Gjithë këto ditë hante byrek në Korçë, sot që duhet të ishte në parlament shkon në Vlorë. Uroj të mos bëjë cirk mediatik sot atje. Por kot që shkon se sot qytetarët i kanë ardhur para parlamentit dhe po i protestojnë”.
“A ju kujtohet kur shkoi para ca kohësh në Berat. Epo sot Berati është përmbytur, kurse ai para disa ditësh u tha, këtu në Osum do ju bëjmë një ishull artificial. Ua tha këtë, atyre qytetarëve që sot janë në hall e po mbyten. Paratë e taksave tuaja do i bëj ishull, se si ky ishull është ajo kulla në Korcë, si bunkeri ku janë hedhur miliona, dhe bunkeri i vrimave, do u hapë dhe muzeun e vrimave, miliona të tjera që do hidhen aty. Se nuk e tha kryeministri sa km argjinaturë do ishin bërë deri tani nëse do hidheshin këto para si investim në këto vende. Derisa të kemi një kryeministër si Rama do shohim vetëm sesi bën cirkun mediatik”.
PELESHI: KREU I OPOZITËS SHOW ME CIZMA NË UJE. DO KOMPENSOJME CDO DEM

Ora 11:13 – Në emër të qeverisë, zv/kryeministri Niko Peleshi siguroi banorët se pas kalimit të situatës së vështirë, do të bëhet vlerësim i drejtë dhe real dhe kompensim i çdo dëmi.

“Kreu i opozitës show me çizma në ujë. Strukturat e shtetit janë në gjendje gatishmërie në gjendje pune pranë qytetarëve. Një lajm të mirë e kemi sot, nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur. Sot prioriteti i qeverisë shqiptare është shpëtimi i jetës së njerëzve, shpëtimi i pasurisë së qytetarëve në zonat e përmbytura. Kanë nisur njoftimet e qytetarëve dy ditë para nisjes së reshjeve. Situata e emergjencës nuk ka kaluar përfundimisht, madje priten reshje të tjera gjatë ditëve në vijim. Shtabet e emergjencës vijojnë të jenë në gatishmëri. Siguroj qytetarët se e gjithë struktura shtetërore është sot e gatshme në terren dhe nuk do të lerë pa ndihmuar asnjë qytetar. Qytetarëve nuk u intereson statusi në letër, por se çfarë bën qeveria në terren. Ne nuk kemi lënë asgjë pa bërë në të gjitha zonat e përmbytura. Vlerësim i drejtë dhe real dhe kompensim i çdo dëmi sapo të kemi kaluar emergjencën që është prioritet”- deklaroi Peleshi.

PALOKA: RAMA NUK SHPALL GJENDJEN E EMERGJENCËS SE NUK DO TË DËMSHPËRBLEJË BANORËT

Ora 11:00 – Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka kërkoi që për shkak të situatës së krijuar në jug të vendit nga përmbytjet parlamenti ti kushtojë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje. Ai akuzoi kryeministrin Rama se nuk shpall gjendjen e emergjencës që të mos shpërblejë banorët.
“Duke e konsideruar situatën si emergjente, ne do kërkojmë që sot seanca parlamentare ti japë kësaj situate rëndësinë e duhur. Nuk ka praktikisht në gjithë këto ditë asnjë informacion zyrtar mbi situatën e përmbytjeve në jug të vendit. Çdo informacion e kemi marrë nga mediat. Ky na flet sot për cirk mediatik, po e vërteta është se nuk guxon të përballet me realitetin e atyre njerëzve që e kanë bërë deputet, që i kanë dhënë votën. Ndaj e përsëris të përballet me qytetarët e tij, të vijë këtu në parlament të informojë çfarë masash mori zotëria. Çfarë masash mori pasi ndodhi gjendja, përveç asaj që lajmëroi ca fshatarë. Qeveria çfarë bëri, sa hektarë tokë janë të përmbytura, sa banorë janë evakuuar dhe në fund tu thotë qytetarëve pse nuk e shpall gjendjen e emergjencës, sepse nuk do të paguajë dëmet. Sepse me ligj është kur shpall gjendjen e emergjencës dëmshpërblen të përmbyturit, kështu ai nuk do u japë as 50%, ai nuk do ti japë asnjë kacidhe”, – tha Paloka.

edi paloka1

RENDI I DITES

Para nisjes së seancës plenare është mbledhur Konferenca e Kryetarëve. Gjatë kësaj mbledhjeje të krerëve të grupeve parlamentare, deputetët e maxhorancës kanë rrëzuar kërkesën e PD-së për Komisionin e Reformës në Drejtësi. Deputetët e PD-së kërkuan të drejtën e vetos në këtë Komision. Në seancë do të shqyrtohet dhe projektvendimi “Për caktimin e kryetarit të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”; projektvendimi “Për caktimin e kohëzgjatjes se mandatit të një anëtari të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, projektvendimi “Për caktimin e kohëzgjatjes se mandatit të një anëtari të këshillit, drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”, projektvendimi “Për caktimin e kohëzgjatjes se mandatit të një anëtari të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kalendari 3 javor (6 shkurt–26 shkurt 2015 ) i punimeve të Kuvendit si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

(er.nu/d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: