Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Vrakë në Malësinë e Madhe mëngjesin e sotëm, kur rreth orës 09:45, një person i armatosur hapi zjarr në hyrje të një lokali, duke plagosur dy persona.
Sipas raportimit të gazetarit Senad Nikshiqi, shtetasi Lul Rakaj dyshohet se qëlloi me armë zjarri shtetasit Besmir Qofi, Avenir Hasanaj, të cilët u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore. Megjithatë gjendja e Hasanajt është e rëndë pasi autori e ka qëlluar me plumb në gjoks.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, duke filluar hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij akti të rëndë.
Në ndihmë të tyre janë angazhuar edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Njësia e Shkodrës, të cilët po vazhdojnë kontrollet intensive në zonë dhe në ambiente të ndryshme, ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar.