Si e vetmja portë dalëse aktualisht nga Afganistani, Aeroporti i Kabulit është kthyer në një kaos të vërtetë.

Mijëra afganë ndodhen në pjesët e brendshme dhe të jashtme të aeroportit, me shpresën për t’u larguar nga vendi.

Në videot e publikuara në rrjete sociale, shihen përpjekjet e njerëzve për të ikur. Ata shtyhen me njëri-tjetrit për të gjetur zgjidhje, ndërsa gra e fëmijë, i luten ushtarëve amerikanë për shpëtim. Sipas informacioneve të deritanishme, 12 persona kanë ndërruar jetë në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”.

Vdekja e qytetarëve ka ardhur nga shtyrja që kanë bërë njëri me tjetrin, në përpjekje për të hipur në avion, por edhe nga të shtënat me armë të talebanëve. Kujtojmë se gjatë ditës, Ambasada Amerikane e ka cilësuar situatën në Aeroportin e Kabulit si alarmante. Ajo ka udhëzuar qytetarët e saj që përkohësisht të mos drejtohen për atje, pasi gjithçka mund të ndodhë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb