TIRANË- Tre televizionet më të rëndësishme informative në vend, shprehin sot shqetësimin për shpërndarjen preferenciale dhe selektive të pamjeve filmike të policisë për disa media të caktuara.
Abcnews, News24 dhe Ora News kane konstatuar sot se për të disatën herë, Ministria e Brendshme, ka zgjedhur median e preferuar të Carlo Bolinos, A1 Report, për të shpërndarë pamjet e një aksioni policor në Fushë-Krujë. Por pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Tahiri thotë se Policia e Shtetit u ka dërguar një njoftim zyrtar për operacionin e Fushë-Krujës në mënyrë të njëjtë të gjitha mediave. Sipas tij “Qeveria e Shqipërisë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë axhendë kufizuese apo intimiduese për lirinë e medias”. Pas reagimit të Tahirit, tre televizionet kanë deklaruar sërish se pamjet filmike i ka marrë i pari, televizioni klientelist dhe më pas TV-të e tjera, duke kërkuar sqarimi nga Ministri i Brendshëm.

“METODAT E NDJEKURA NGA MINISTRI TAHIRI, INFLUENCË E QEVERISË PËR TË DEFORMUAR KONKURRENCËN E MEDIAVE”
Tre televizione informative News24, AbcNews dhe Ora News dolën sot me një deklaratë të përbashkët, ku dënonin qëndrimin e Ministrisë së Brendshme, e cila për të disatën herë i ka dhënë pamjet filmike disa mediave të caktuara.
Ky trafik i pandershëm është bërë rrugë për Ministrinë e Brendshme, e cila vendos të ndërhyjë në mënyrë arbitrare në tregun mediatik për të favorizuar një media të caktuar dhe prandaj jemi të detyruar të shprehim shqetësimin tonë.
Metodat e ndjekura nga ministri Saimir Tahiri janë një influencë e pastër e qeverisë për të deformuar konkurrencën e mediave në vend, ku profesionalizmi zëvendësohet nga afërsia me qeverinë. Në këtë mënyrë përpjekja jonë për profesionalizëm zhvlerësohet nga preferencat abuzive në shpërndarjen e pamjeve filmike që bën ministria e Tahirit.
Me ketë praktikë, besojmë se Ministria e Brendshme dhe Qeveria shqiptare ndërhyjnë në pushtetin e katërt, për të favorizuar dhe më pas kontrolluar atë, ndaj këtë shqetësim do t’ua përcjellim të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Nga Ministria e Brendshme presim sa më parë të kërkojë ndjesë për këtë rast flagrant dhe qeveria të angazhohet për të ndërprerë këtë fushatë të paprecedentë të ndërhyrjes së shëmtuar në Media. Pamjet e policisë nuk mund të jenë si tenderat e qeverisë, ku fituesi është gjithnjë Bollino.

TAHIRI: QEVERIA S’KA AXHENDË INTIMIDUESE PËR MEDIAT
Pas deklaratës së tre televizioneve informative se Ministria e Brendshme ka shpërndarë pamjet filmike të një operacioni në mënyrë selektive ka reaguar ministri Saimir Tahiri. Në faqen e tij zyrtare të Facebook, Tahiri ka hedhur poshtë këto akuza duke i quajtur shpifje.

“Shpifja nuk është argument. Është e papranueshme që në emër të lirisë se shtypit dhe duke shfrytëzuar mundësinë që u jep ekrani në pronë të tyre, tre media bashkë përcjellin për publikun një deklaratë shpifëse. E cila denigron për arsye të panjohura për ne, institucionin e Ministrisë së Brendshme dhe imazhin e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë që arsyeja e shpallur si argument për këtë deklarate shpifëse është tërësisht e pavërtetë. Ngjarja së cilës u referohen të treja mediat bashkë, është bërë me dije nga Policia e Shtetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar, i cili është shpërndarë në mënyrë të njëjtë për të gjitha mediat. Qeveria e Shqipërisë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë axhendë kufizuese apo intimiduese për lirinë e medias. Por qeveria e Shqipërisë po ashtu nuk do të kufizohet dhe intimidohet asnjëherë për asnjë shkak në kryerjen e detyrës së vet. Kjo vlen po njësoj për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit”, ka shkruar Tahiri.
REAGIMI I TELEVIZIONEVE: PAMJET U DHANË PËR TV KLIENTELIST
Në reagimin e Ministrit Tahiri përveçse emocional dhe aspak etik ndaj medias së pavarur, nuk jepet shpjegim për pamjet filmike të vëna në dispozicion fillimisht vetëm në një TV dhe më pas si zakonisht me disa orë vonesë dhe TV-ve të tjera. Kur të gjejë kohë Ministri Tahiri dhe të ketë mundësi të komunikojë me Drejtorin e tij të policisë Didi i lutemi të na sqarojë edhe si e shpjegon që pamjet i merr gjithmonë i pari i njëjti televizion klientelist.
(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb