Panairi i sivjetshëm do të mbahet në datat 16-20 nëntor në një kohë krize për librin ku sipas kreut të shoqatës së botuesve, për herë të parë në 30 vjet, ka libra që botohen me vetëm 200 kopje tirazh. Me çmimin e letrës të shumëfishuar dhe rënien drastike të interesit të lexuesit, duket se situata është jo fort shpresëdhënëse.

“Jemi në një situatë të vështirë, ne nuk vijmë vetëm për të shitur libra. Gjatë këtij viti çmimi i letrës është rritur 80%, kemi ulur tirazhet e rritur kostot. Nuk ka ndodhur kurrë 10 vite më parë që të çoja në shtyp librin me 300 kopje. E çoja me më e pakta 1000. Asgjë nuk bëjmë dot vetëm, ka qytete ku nuk flitet fare për librin, ku s’ka biblioteka. Për 11 vite me radhë Ministria e Arsimit nuk furnizoi shkollat me libra, e kuptoni çfarë grope iu hap për 11 vjet?”, tha kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.

Më se 90 botues nga Shqipëria dhe trojet shqipfolëse, me 5 çmime letërsie që ndahen të shtunën, me takime letrare, promovime e diskutime, panairi synon të jetë nxitës i afrimit me librin, ndonëse pagesat për qiratë e stendave që variojnë nga 60-70 euro metri katror, i shtojnë shifrat e shpenzimeve.

“Qiraja këtu është me Vendim të Këshillit të Ministrave e lartë. Ne paguajmë 80 mln lekë për qiranë e Pallatit të kongreseve”, tha Ymeri.

Ymeri sheh nevojë për ‘revolucion’ dhe nisma shtetërore ku përfshihen rrethet, shkollat, ministritë dhe bashkitë për të rikthyer vëmendjen te libri, duke i dhënë një peshë të madhe mësuesve në shkolla dhe festivaleve letrare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb