TIRANE– Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti tha sot se qumështi “Lufra” nuk ka qumësht pluhur. Në një deklaratë për mediat, Panariti hodhi poshtë të gjitha dyshimet në lidhje me cilësinë e qumështit “Lufra”. Ai tha se nga analizat e kryera në produktet e tregtuara nga kjo kompani, nuk ka rezultuar prani e qumështit pluhur, por vetëm qumësht i freskët, madje ministri i ka bërë një reklamë të mirë qumështit në fjalë, pasi tha se nëse do ta kishte para do pinte 3 kuti.

“Pas analizave ju bëj me dije se nuk ka prani të qumështit pluhur, por vetëm qumështi të freskët. Fakti se është gjetur një sasi e qumështit pluhur, dhe unë jam në dijeni, nuk ka asgjë të gabuar. Sepse importi i qumështit pluhur, është brenda normave. Kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të futur në dorë subjektet tregtare. I rrezikshëm është qumështi në shishe plastike dhe jo ky. Unë nuk dua të bëj show por po të kisha këtu përpara do të pija 3 kuti qumësht Lufra”, tha Panariti.

Ministri u bëri apel mediave, që në lidhje me ngritjen e aludimeve të tilla, të presin më parë analizat dhe ekspertizat.
“Ju e dini që në mënyrë sistematike rrjeti i prodhimit të ushqimeve ka qenë objekt i dyshimeve. Më lejoni të theksoj se çdo abuzim, ka sigurisht një faturë që e paguan subjekti. Prandaj do të kërkoja që përpara që të prononcohemi në lidhje me sigurinë e një produkti sa të bëhen analizat përkatëse. Përndryshe do të kalojmë në raste të mëparshme, siç ishte fiasko skandali i hormoneve në perimet e freskëta. Jo vetëm kaq por prodhimet shqiptare u eksportuan në vendet e BE. Por natyrisht, opinioni shqiptar u trondit. Siç u tha për grurin me radioaktivitet. Ju lutem mediave që janë të hapura të ngrenë dyshimet, por të bazuar”, tha Panariti

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: