TIRANE- Marrëveshja Shqipëri-Kosovë në fushën e bujqësisë tashmë do të shoqërohet me hapa konkretë. Në një deklaratë të përbashkët me homologun nga Kosova Memli Krasniqi, ministri shqiptar i Bujqësisë Edmond Panariti tha se do të hiqen ato barriera që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave mes dy vendeve.

“Marrëveshja kuadër e nënshkruar në fushën e bujqësisë do të shoqërohet me hapa konkrete. Do të hiqen barrierat që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave mes dy vendeve. Do të ketë përpjekje të përbashkëta për rritjen e pranisë së produkteve të Kosovës në tregun shqiptar”, tha ministri Panariti.

Edhe ministri i Bujqësisë në Kosovë shprehu nevojën për jetësimin e marrëveshjeve mes dy vendeve në fushën e bujqësisë dhe më gjerë, duke u shprehur se kjo ndikon në ekonominë e dy vendeve.

“Ne u pajtuam që marrëveshja për bujqësinë të jetësohet dhe të bëhet unifikim i standardeve, certifikatave dhe gjithë dokumentacionit të nevojshëm për të lehtësuar eksportimin e mallrave mes dy vendeve”, tha ministri i Bujqësisë së Kosovës, Memli Krasniqi.

Ministri Panariti duke iu përgjigjur interesit të medias lidhur me tenderat për shfrytëzimin e lagunave, tha se përsa i përket prokurimeve ato janë të rregulluara nga Këshilli i Ministrave. “Ne e kemi detyrim ligjor t’i referohemi vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili në mënyrë eksplicite parashikon ofertat me zarf. Të gjitha procedurat e prokurimit në kuadër të ofertave të hapura janë të hapura. Dosjet janë të aksesueshme në çdo kohë . Mjafton të paraqisni kërkesë për tu njohur me to”, deklaroi Panariti.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb