SHKODER- Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti, i shoqëruar nga një grup specialistësh të Bordit të Kullimit Shkodër, inspektoi të mërkurën paradite, punimet e kryera në argjinaturën e lumit Buna në zonën e Shirgjit, komuna Dajç e rrethit Shkodër, një investim që po kryhet me fonde të qeverisë shqiptare.

Ministri Panariti u shpreh se, politikat e qeverisë do të adresojnë mbështetje dhe vëmendje të vazhdueshme për të parandaluar përmbytjet dhe mbrojtur tokat bujqësore nga gërryerjet.

Gjatë përmbytjeve të fundvitit 2010, lumi Buna arriti në kuota maksimale të vrojtuara, dhe mbas tërheqjes së ujit pati një riaktivizim të gërryerjes në zonën e Shirgjit. Zona e dëmtuar në këtë vend, kap një gjatësi prej rreth 200 m, dhe fondi për këtë investim kap shifrën e 33 019 316 lekë. Nga ndërhyrja për reabilitimin e zonës do të realizohet mbrojtja e tokave bujqësore nga gërryerjet.

Gjithashtu, ministri Panariti inspektoi dhe punimet e kryera në kanalin ujitës Grizhë Koplik, në Malësinë e Madhe, një investim ky me një fond prej 69 094 999 lekë. Kanali ujitës i Grizhës është vazhdimi i kanalit të Shtodrit që fillon nga rruga e Grizhës dhe vazhdon drejt Koplikut në një distancë prej 10 km, afërsisht deri në Culaj.

Ky kanal fillon me një thellësi 4m3/sec dhe përfundon me rreth 2m3/sec. Nga ky investim, i rikthehet ujitja 1000 hektarëve tokë dhe përfitojnë mbi 600 fermerë të zonës. Aktualisht, në këtë kanal janë kryer punime për pastrimin e tij nga inerte dhe papastërti si dhe janë restauruar veshjet ekzistuese, muret e prishura e porta metalike e tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb