TIRANE– Bujqësia shqiptare në vitin 2015 ka ecur me ritme pozitive, duke shënuar një rritje prej 25% të eksporteve të prodhimeve bujqësore. Këtë e ka shprehur ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në studion e “News24”. Ministri tha se pavarësisht përmbytjeve në disa zona të vendit, prodhimet kanë qenë në nivele të kënaqshme.

Sipas Panaritit, bujqësia shqiptare ka ende potenciale të mëdha për t’u shfrytëzuar, duke theksuar se modeli që po ndiqet në këtë sektor është pozitiv dhe sjell zhvillim. Ministri theksoi se ndikim pozitiv të këtë drejtim ka luajtur edhe orientimi i fermerëve drejt prodhimeve sipas kërkesave të tregut, si dhe krijimi i pikave të grumbullimit.

Si paraqitet ecuria e sektorit të bujqësisë?
Jemi në gjendje tashmë të bëjmë bilancin e 215, i cili rezulton pozitiv. Kemi patur rritje të eksporteve të prodhimeve bujqësore. Në disa qarqe kemi patur dyfishim të eksporteve. Kjo është reflektuar edhe në shtimin e të ardhurave. Shifrat nga doganat tregojnë edhe për valutën e huaj që futet në vend. Janë futur 60 mln dollarë më shumë se një vit më parë. Megjithatë bujqësia shqiptare ka ende shume potencial që duhet shfrytëzuar. Fokusi ynë është tek shtimi i pikave të grumbullimit, pasi janë qendra që i krijojnë perspektivë për prodhimet shqiptare. Ky është modeli që kontribuon direkt në rritjen e mirëqenies së fermerit. Kështu fermeri bën vetëm prodhuesin, dhe jo tregtuesin apo eksportuesin siç ka bërë më parë. Fermeri bën prodhuesin mbi bazën e kërkesave që vijnë nga tregu. Gjithë politika jonë e mbështetjes së bujqësisë është e fokusuar tek këto hallka. Kjo nuk është çështje e një qeverisje por një qëndrimin i përvijuar i bujqësisë shqiptare që do t’i vlejë edhe qeverive të tjera më pas.

Ju thatë që kemi një rritje të eksporteve, por kemi një mospërputhje me të dhënat nga INSTAT, pasi sipas tyre nuk ka patur rritje të eksporteve?
Këto nuk janë të dhëna që nuk vijnë nga Ministria e Bujqësisë. Këto të dhëna vijnë nga doganat, që japin një pasqyrë të plotë të vëllimit tregtar. Të dhënat e doganave janë plotësisht të besueshme dhe flasin për një rritje 25% të eksporteve. Janë të dhëna që ata i bazojnë mbi vetëdeklarimin. Këto janë të lidhura edhe me një situatë të vitit të kaluar, si pasojë e përmbytjeve, INSTATI u prir drejt të dhënave konservatiteve. Por të dhënat tona bazohen tek faktet. Madje ju ftoj të shkojmë tek pikat e grumbullimit. Të dhënat tregojnë për një rritje të bujqësisë shqiptare. Fermerët prodhojnë në varësi të kërkesës së tregut, duke bërë prodhime të specializuara për rajone të caktuara. Zona e Korçës është e fokusuar, tek molla, patatja, qepa, fasulet pllaqi. Shkodra është e fokusuar tek bimët mjekësore dhe vreshtaria; zona e Myzeqesë tek ulliri. Pavarësisht përmbytjes së sipërfaqeve të mëdha në vend, ne e kapëm tempin, dhe i dhamë hov zhvillimit të bujqësisë. Ne nënshkruam me BERZH një marrëveshje për fondin e garancisë, gjë që presupozohet të ketë një mase 300 mln euro kreditimi. Duke vendosur këtë kesh kolateral ne pretendojmë që bankat të japin kreditim për bujqësinë. Kjo do japë një shtysë shumë më të madhe bujqësisë nga sa e ka patur deri më tani. Kjo do të shkaktojë një rritje më të madhe të të ardhurave.

Në lidhje me përmbytjet, u bë publike një replikë e juaja me deputetin e Lushnjës, për bordet e Kullimit. Çfarë ka ndodhur me këto borde të kullimit?
Në bujqësi ashtu siç edhe në sektorë të tjerë reformat janë të domosdoshme. Për këtë arsye ne kemi vendosur që për skenarët e përmbytjes të përfshihen disa aktorë. Me hartën e re territoriale, vendosëm që sistemin e kanaleve të dyta dhe të treta t’i administrojë pushteti lokal. Qeveria vendosi që të transferojë një pjesë të administrimit të këtyre kanaleve tek pushteti lokal. Kjo natyrisht krijoi stres, çdo reformë krijon stres dhe pakënaqësi. Deputeti Braçe kishte të drejtë të ishte i irrituar, por kjo reformë transferon tek pushteti i bashkive, 200 persona, profesionistë teknikë. Ky është një proces që ka kosto në vetvete. Unë po merrem vetë personalisht me shpërndarjen e këtyre profesionistëve, pasi disa prej tyre do të duhet të lëvizin në zona të caktuara. Kërkohen persona që kanë përvojë në mënyrën e menaxhimit të këtyre kanaleve kulluese. Përfitimet nga ky transformim janë shumë të mëdha.

Panariti theksoi se shteti inkurajon të gjithë ato biznese që duan të nisin një aktivitet të caktuar dhe këtë e bën nëpërmjet mekanizmit të grantit.

Parcelizimi…
Është krijuar një mit, duket si handikap. Bujqësi me porosi bazohet në një bashkim vullnetar të fermerëve rreth një porositësi. Ky është i lidhur me tregun dhe e di çfarë kërkon tregu, shpërndan fidanë dhe fara tek fermerët. Kemi histori suksesi, fermerët e Xarrës që prodhojnë mandarinën dhe klementina.

Bujqësia shqiptare duhet të jetë një bujqësi e mençur. Ne duhet të orientohemi drejt atyre kulturave që i kemi traditë, kemi kushtet dhe që tërhiqen nga tregu. Ne nuk mund të hahemi me Kanadanë apo Serbinë për prodhimin e drithërave sepse ata kanë fusha pafund.

Cilat janë objektivat tuaja?
Sfida ime e këtij vitit është sektori i blegtorisë. Nxjerrja e fabrikave të qumështit nga një knock out për shkak të skandalit të aflatoksinës 2 vjet më parë.
Kërkova që bankat të mos bënin sekuestrim. Gjetëm blerës shqiptarë për të rikthyer në punë fabrikat. Kemi në plan këtë vit për të filluar ndërtimin e fermave të mëdha. Fermat i kemi 5-10 lopë, kanë filluar tani me 200-300 por do ndërtojmë me 1000 lopë. Ka filluar të rritet prania e qumështit shqiptar në tregjet tona. Po luftojmë qumështin e rrugës, me bidonë. Nga ana tjetër ajo që synoj është që të shikojmë edhe eksportet. Ka interes dhe jemi në fazën e përmbylljes së kontratave. Me Kosovën e Serbinë po mbyllim kontratat, ka interes edhe në vendet e lindjes. E vura theksin tek eksportet dhe rritja e tyre inkurajuese, që është treguesi më sinjifikativ.

Eksportet…
Unë jam shumë i vendosur për të zgjeruar sipërfaqen e serrave. Kemi patur 1000 hektarë serra, tani kemi 1700 hektarë, duam ta çojmë në 3000 hektarë. Kështu edhe shumëfishon prodhimin. Fondet tona do shkojnë vetëm në këto drejtime. Në serra dhe pika grumbullimi, ambalazhimi. Do ruajmë një komponent, mbështetje për bujqësinë në zonat kodrinore dhe malore.

(el.sp/m.k//BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb