Ish-ministri Edmond Panariti, përmes një raporti të publikuar, shprehet se tatëpjeta e Shqipërisë nuk nisi në vitin e pandemisë, por në atë të tepsisë.

Panariti thotë se kriza financiare për Shqipërinë filloi më 2017, kur qeverisjen e mori një parti e vetme. Ai shton se duhet që të ndalim këtë status quo.

Postimi i ish-minisitrit Edmond Panariti:

Tatëpjeta e Shqipërisë, filloi në vitin e tepsisë dhe jo në atë të pandemisë!

Të gjithë treguesit ekonomikë, financiarë, shoqërore, demografikë dhe mbi të gjitha ata demokratikë të vëndit, e filluan rrokullisjen kur një parti e vetme “zaptoi” sistemin dhe institucionet pa votë dhe pa mbështetje popullore.

Viti i fillimit të pikiatës është viti 2017, që është edhe viti i tepsisë dhe i timonit!

Pikiata nuk ka të ndalur dhe që prej atëhere  vëndi po “zhytet” dhe po fundoset.

Këtë e dëshmon INSTAT në statistikat e popullatës së vëndit të janarit të 2020, kur pandemia ende nuk kishte nisur.

Që këtë fillim viti, INSTAT në të dhënat e tij provon se popullsia e Shqipërisë  po rrudhej, mpakej dhe plakej me shpejtësi të frikshme.

Kjo ka vetëm një arësye, vetëm një shpjegim!

Braktisja e vendit dhe ulja e rritjes natyrore të popullsisë së tij është krye- shënja e mungesës së shpresës së shqiptarëve nga dështimi ekonomik, papunësia dhe izolimi Evropian i vendit.

Dhe kjo nuk do të ndalë, për sa kohë që do të ruhet kjo konjukturë bllokuese dhe asfiksuese e vendit..

25 Prilli është shansi për të ndryshuar këtë “status quo”, e cila po  mban peng në mënyrë të padrejtë dhe mizore Shqipërinë dhe të gjithë ne.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb