POGRADEC– Deputeti i LSI-së së Qarkut Korçë, Edmond Panariti ka kërkuar nga qeveria që t’u japë paratë e premtuara për subvencione fermerëve. Deklaratat, Panariti i bëri gjatë një takimi me fermerët në njësinë administrative Dardhas të Pogradecit, ku ai shoqërohej gjithashtu dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari.

Panariti tha se qeveria duhet të heq dorë nga shpenzimet e saj marramendëse për dixhitalizimin dhe investimet jo prodhuese, dhe të mbajë fjalën e dhënë fermerëve për paratë e subvencioneve.

“Ato para të cilat tashmë ju po i shpenzoni pa kursim për dixhitalizim dhe investime jo prodhuese, hidhini tek fshati, hidhini tek fermeri në mënyrë që ai të jetojë me nder, në mënyrë dinjitoze dhe të mos marrë arratinë sikundër e ka marrë tashmë drejt emigracionit, por t’i kthehet punës dhe prodhimit.

Ky është mesazhi jonë i qartë. Mesazh që unë e bëj në emër të fermerëve, të cilët unë i kam takuar me dhjetëra e qindra këto ditë në lëvizjet që kam bërë dhe që ka qenë një mesazh i zëshëm. Në rast se ju nuk i mbështesni fermerët ata nuk do të aplikojnë më. Nuk do të aplikojnë më sepse nuk do t’iu besojnë më”, tha deputeti i LSI-së dhe ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb