Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, deklaroi në mbledhjen online të Këshillit të Diasporës se votimi është një e drejtë Kushtetuese për shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit, ndërsa tha prerë se ata “nuk mund të quhen emigrantë”.

Majko sqaroi se kanë pasur “një model pak ndarës” me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin, ndërsa u shpreh se “votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit nuk mund t’ja lemë në dorë KQZ”.

Ministri theksoi se votimi i shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit është i vonuar, por shprehu bindjen se ajo është “një e drejtë” që do t’i jepet në zgjedhjet e ardhshme.

“Maxhoranca ka vullnetin dhe besoj që në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë të gjithë shtetasit tanë që banojnë jashtë vendit. E drejta Kushtetuese e tyre është e jashtëzakonshme, nuk duhet parë që duhet bërë një kompromis në Komisione. E drejta Kushtetuese nuk ka nevojë për negociatë. Edhe opozita jashtëparlamentare dhe ajo në parlament janë shprehur për votën e shtetasve tanë jashtë vendit.

Ka kaluar një histori shumë e gjatë dhe ky është parlamenti i parë që ka krijuar Komisionin e Reformës Elektorale. Ideja jonë nuk ishte një model alla shqiptarçe për votimin e shtetasve tanë jashtë vendit, pritëm, pritëm, pritëm, nga Komisioni. Krizë pas krizë e deri sa opozita u largua nga parlamenti, kjo shkaktoi vonesë të jashtëzakonshme, atëherë ne krijuam një grup dhe ja çuam Komisonit të Reformës që në vitin 2019. Kemi pritur të diskutohej. Në qoftë se kemi pasur një model pak ndarës me z.Gjiknuri, për detaje teknik, ka rëndësi të vendosën detaje dispozitash ligjore sa i përket votës së. Së pari nuk janë 10%, së dyti, duhet ndarë, do ketë listë të veçantë për votimin brenda vendit dhe listë të veçantë për votimin jashtë vendit.

Vota e shtetasve tanë jashtë vendit është shumë e rëndësishëm që t’ja lemë në dorë KQZ. KQZ nuk ka të drejtë të diskutojë për votën e shtesave tanë jashtë vendit. Është një presion i jashtëzakonshëm, detajet teknike ne mund t’i diskutojmë, por dëshiroj të nënvizoj se ne i kemi qëndruar nga pas kësaj historie, por interesat politike kanë qenë kaq të komplikuara dhe afatshkurtra sa nuk kanë krijuar hapësire për vendimmarrje të tilla. Në zgjedhjet e ardhshëm shtetasit tanë jashtë vendit ët votojnë dhe është një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme. Jemi të vonuar, pro nuk kemi ecur me kambana për të folur çdo ditë sepse janë disa gjëra për të cilat nuk flitet, por bëhet ose nuk bëhet dhe kjo do të bëhet”, tha Majko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb