Vaksinimi i detyrueshëm është kthyer në qendër të diskutimeve në shumë shtete. Përhapja e koronavirusit, si edhe identifikimi i mutacionit të ri Omicron ka rritur shqetësimin e rrezikut nga Covid.

Së fundmi mjekët kanë bërë thirrje për shtrëngim të masave, por që kanë hasur edhe në kundërshtim nga ana e qytetarëve.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në një konferencë të zhvilluar në Bruksel për pandeminë Covid dhe variantin Omicron tha se është koha që BE të shqyrtojë mundësinë e  vaksinimit të detyrueshëm edhe pse u shpreh se kjo mbetet përgjegjësi e shteteve anëtare.

“Nëse do të më pyesnit se cili është mendimi im personal, do t’ju thoja se para dy apo tre vitesh nuk mund ta imagjinoja se çfarë do të përjetonim me këtë pandemi të tmerrshme. Ne kemi vaksinat që shpëtojnë jetë, por ato nuk po përdoren aq sa duhet në shumë vende. Kjo është një kosto e madhe për shëndetin. Personalisht mendoj se është diçka që ne duhet ta diskutojmë, ta shqyrtojmë mundësinë e vaksinimit të detyrueshëm në BE. Është një diskutim që mendoj se duhet bërë”, ka thënë ajo.

Prodhimi i vaksinës Pfizer/BioNTech kundër COVID për fëmijët do të përshpejtohet dhe dozat do të jenë të disponueshme në BE më 13 dhjetor , ka njoftuar më tej Presidentja e KE-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb