Ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, në një intervistë për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, deklaroi se organizatat ndërkombëtare duhet të mobilizohen dhe të bashkëpunojnë në të gjithë botën, pasi të gjithë po përballen me pandeminë e koronavirusit.

“E gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit dhe çdo vend ka vdekje. Në këtë situatë është e kuptueshme që disa njerëz kanë emocione. Ne i respektojmë emocionet, por unë nuk mund të vlerësoj rolin e OBSH. Mendoj se të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të mobilizohen në të gjithë botën, sepse të gjitha vendet janë në rrezik. Nuk është mirë të akuzoj OBSH, por duhet të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha ambasadori.

Pyetje: Çfarë do të ndodhë pas pandemisë në botë?
Ambasadori: Sigurisht që pandemia do të ndryshojë botën, edhe nga pikëpamja e sistemit të shëndetit publik, edhe nga pikëpamja e sistemit të menaxhimit të shoqërisë. Të gjitha vendet, përfshirë edhe Kinën, duhet të reflektojnë pas kësaj pandemie. Kina është vendi i parë që u përball me virusin, pa asnjë përvojë. Pra, ne kemi vështirësinë më të madhe, dhe ende nuk e quajmë veten fitimtarë. Jemi gati të bashkëpunojmë me të gjithë vendet, sidomos me ato në Afrikë dhe Amerikë të Jugut, që kanë system më të dobët të shëndetit publik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb