Pandemia e Covid-19 që ka prekur prej muajsh Shqipërinë ka goditur rëndë ekonomikisht shumë sektorë në vendin tonë.

Situata e krijuar e ka rrëzuar përtokë sektorin e turizmit në Berat. Edhe pse është duke përfunduar muaji korrik dhe tashmë duhet të ishim në pikun e turistëve në qytetit muze, turistët në këtë qytet tashmë numërohen me gishta.

Vetë Berati është një qytet që nga pikëpamja strukturore e numrit të turistëve që ka pasur, pjesa më e madhe e tyre kanë qenë përgjithësisht turistë të huaj dhe duke qenë se tashmë numri i turistëve është ulur në mënyrë drastike kjo ka goditur mjaft sektorin e turizmit por edhe bashkinë e Beratit.

Duke e krahasuar muajin qershor me muajin korrik është vënë re këtë muaj një përmirësim pasi turistë vendas, që për shkak se e kanë të pamundur të udhëtojnë jashtë në vendet e tyre të preferuara, kanë vizituar gjatë fundjavave Beratin.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, duke pranuar situatën, ka deklaruar se bashkia jo vetëm që e ka mbështetur fuqishëm këtë sektor por e ka shfrytëzuar këtë periudhë të vështirë për të investuar në infrastrukturën e qytetit, për të qenë kështu më të përgatitur për sezonin e ardhshëm.

Demo tha se situata e vështirë ka goditur thellësisht edhe buxhetin e bashkisë Berat. Sipas Demos, kjo ka ardhur për shkak se gjatë kësaj periudhe të vështirë bashkia zeroi të gjitha tarifat vendore për një periudhë 3-mujore për baret, restorantet, bujtinat, bizneset etj si dhe fali për një periudhë 6-mujore të gjitha hapësirat publike në qytet.

Me gjithë situatën e vështirë që po kalon vendi, kryebashkiaku i Beratit është optimist për rimëkëmbjen e shpejtë të sektorit turistik në Berat, pasi sipërmarrësit beratas kanë investuar mjaft në kushte dhe cilësi në çdo bujtinë, bar, restorant e shërbime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb