Në Greqi vijon lockdown i ashpër edhe gjatë fundjavës së madhe të Pashkëve Ortodokse. Sipas udhëzimeve të ekspertëve, masat do të lehtësohen plotësisht në datën 15 maj, bashkë me çeljen zyrtare të sezonit turistik. Megjithatë, fundjava festive do të jetë e fundit me masat tepër të rrepta të 6-mujorit të fundit.

Zv/ministri i Mbrojtjes Sociale dhe Trajtimit të Krizave, Nikos Chardalias, ka deklaruar se nga e enjte e Madhe, 29 prill, do të lejohet qarkullimi i qytetarëve nga një lagje në tjetrën, nëpër bashkitë e brendshme të Athinës e qyteteve të tjera, por ndalohet rreptësisht qarkullimi nëpër periferi, apo nga qyteti në fshat.

Megjithëse njësitë shitëse janë hapur prej pak javësh, blerjet kryhen akoma me takim click inside, orar të kufizuar dhe sms të detyrueshëm, që kufizon si mundësinë e shëtitjeve nëpër treg ashtu edhe kohën që është maksimum 3 orë. Kjo rregullore pritet të ndryshojë nga e Hëna e Pashkëve, ose më saktë nga dita e parë e punës që për Greqinë është 3 maj, kur plot 6 muaj më pas pritet të rihapen lokalet dhe restorantet, rreptësisht në ambjentet e jashtme dhe me kushte të caktuara ku përfshihet natyrisht distanca sociale.

Deri në 15 maj qarkullimi do të vijojë të jetë nën kontrollin e mesazheve sms me kodet 1-6, ndërsa akoma edhe për një kafe apo drekë në lokal, apo festën me familjarët të djelën e Pashkëve Ortodokse, qytetarët janë të detyruar të dërgojnë një sms në centralin 13033 me të dhënat e plota personale dhe kodin 6, për të shmangur gjobat e larta.

Prej ditësh, në daljen e Athinës janë vendosur postblloqe të policisë që kanë kthyer me qindra udhëtarë e prerë gjoba nga 300 euro deri në 500 euro, pasi ndalohet rreptësisht sivjet festimi i Pashkëve nëpër fshatra apo ishujt grek.

Sivjet, në tryezën festive lejohen deri në 9 anëtarë familje, ndërsa në ambjente të jashtme do të lejohen deri në 12 persona bashkë. Ekspertët sugjerojnë të gjithë të kryejnë self test para festës.
Rituali i Ringjalljes së Krishtit do të kryhet në ambjente të hapura të kishave në orën 21.30, ndërsa besimtarët thirren të ruajnë distancën sociale. Sivjet, Flaka e Shenjtë do të pritet në Greqi pa nderet tradicionale të një kreu shteti, por me një ceremoni të mbyllur e tepër të thjeshtë.
Gjithashtu, ka ndryshuar dhe orari policor, që me rritjen e ditës dhe rritjen e temperaturave, do të jetë 23.00-05.00.

Ndërkaq, një boom shtyrjesh për vitin 2022 në dasmat dhe ceremonitë e fejesave është shënuar muajin e fundit. Pavarësisht ecurisë së vaksinimit dhe mesazheve pozitive për lehtësim të plotë të qarkullimit, çiftet në prag martese kanë vendosur të zhvendosin ceremonitë masivisht për verën e vjeshtën e vitit 2022. Kjo rritje e kërkesave për vitin e ardhshëm ka shënuar dhe një rritje rekord të çmimeve në të gjitha qendrat e preferuara si dhe organizatorët e dasmave, si dhe thuajse janë bllokuar të gjitha datat, brenda një afati tepër të shkurtër. Mesa duket, deklaratat e shkencëtarëve për një frymëmarrje nga covid 19 vitin e ardhshëm ka patur një efekt madhor në planifikimin e të ardhmes tek kryesisht të rinjtë, që duhet thënë se kanë anulluar ceremonitë festive në Greqi nga marsi 2020.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb