TIRANË

Profesor Mark Marku e shikon si një menaxhim policor atë që ka bërë qeveria me situatën e pandemisë dhe madje një dështim. Në një lidhje me News24, Marku ka komentuar situatën në vend si dhe reagimet ndaj saj.

Marku tha se jemi në terr informativ dhe nuk iu beson shifrave që jep qeveria, duke e argumentuar këtë me ato çfarë kanë ndodhur ditët e fundit.

“Qeveria ka bërë vetëm menaxhim policor. Detyra e shtetit e bazuar në detyrën e policit është dështim. Pas 1 muaj e gjysmë që ishim të karantinuar në mënyrën më strikte, në pikun e fazës së parë ishin 29 në fazën e dytë numri i të infektuarve brenda një dite shkoi 34. Nuk i besoj qeverisë se bën vetëm propagandë. Thuhet se ka rënë numri i të infektuarve të shtruar në spital. Në qoftë se nuk i shtron kur i sëmuri të merr në telefon ku e merr vesh ti nëse ka njerëz që duhen të ishin shtruar apo jo. Ka informacione se e kanë marrë 127 dhe askush nuk iu ka shkuar. Çojnë në spital aq sa ka mundësi të mbajnë në spital, pjesën tjetër e lënë. Ka pasur disa raste vdekje të çuditshme. Kush iu ka bërë autopsinë nëse kanë vdekur nga koronavirusi? Jemi në terr informativ. Aty ku shifrat jepen vetëm nga një burim, është e predispozuar për të qenë mashtrim. A keni parë një konferencë shtypi me gazetarë? Në Itali del Borreli bashkë me një përfaqësues të institutit të shëndetit publik të dy bashkë me gazetarët. Gazetarët kanë pasur dyshimet e veta e kanë ngritur pyetje. Të gjitha qeveritë kanë luajtur në këtë kohë por këtu jemi në terr total informativ. Njëherë shpërthen infektimi në burg pastaj s’ka asnjë të sëmurë. Njëherë shpërthen në fasoneri, pastaj s’ka asnjë. Nuk besoj që e kanë menaxhuar mirë”, deklaroi Marku.

Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal dhe qëndrimit të Presidentit të Republikës, Marku tha se “nuk ka të drejtë as Meta, as opozita, as grupet e ndryshme shoqërore, nuk kanë të drejtë të heqin dorë nga liritë tona, nga e drejta për të bërë kritikë”. Ndërkohë referuar ndryshimeve në Kodin Penal, Marku vlerësoi se ka një ndryshim në qëndrimin e Presidentit në raport me qeverinë, duke sjellë në vëmendje, manifestimin e 2 marsit. ‘Nëse kthejmë vëmendjen në manifestimin e 2 marsit, pamë një president të popullit, ndërsa tani po shohim një president në kompromis me qeverinë”- u shpreh ai.

Sa i përket opozitës, ai tha se fillimisht ka qenë një qëndrim konstruktiv në situatë emergjente, ndërsa më pas e sheh si një shtojcë të qeverisë.

“Në fazën e parë, dy javët e para opozita ka mbajtur qëndrim konstruktiv dhe me një konsensus që ta kërkojnë situata emergjente. Më vonë u fut në një situatë që u bë si shtojcë e qeverisë dhe mua personalisht nuk më ka pëlqyer. Unë besoj se dhe në çfarëdo situate lufte apo paqe opozitat duhet të ekzistojnë. Edhe në luftë, votohet, ekziston jeta parlamentare, ka oponencë.

Ne nuk jemi në luftë, është sëmundje s’mund të themi që është luftë. Opozita ka përgjegjësi para qytetarëve. Opozita duhet të bëjë opozitë të tipit strukturor. Duhet të shpjegojë çfarë nuk po funksionon mirë, si duhet të funksionojë, çfarë do bënte ajo dhe të tregojë që është e aftë të qeverisë vendin. Siç provohet qeveria në situatë të vështirë, ashtu provohet dhe opozita në situatë të vështirë”, deklaroi Marku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb