Pandemia e Covid-19 po rezulton me pasoja të rënda lidhur me fatalitetet që ajo ka shkaktuar në vend, e përkeqësuar sidomos në dy muajt e fundit të vitit, ku ritmet e rritjes kanë qenë më të lartat në Europë.

Të dhënat e mëparshme të publikuara nga Monitor, sipas informacionit zyrtar nga Drejtoria e Gjendjes Civile bënë të ditur se për gjithë vitin u regjistruar gjithsej rreth 28 mijë jetë të humbura, me rritje prej rreth 28% si në krahasim me mesataren e 2015-2019 ashtu dhe me vitin 2019. Në total, shtesa e vdekjeve, pjesa dërrmuese e të cilëve vlerësohet nga mjekët se ka ardhur nga Covid-19 ishte rreth 6 mijë persona.

Nëse i shohim të dhënat muaj pas muaji, panorama ndryshon tërësisht nga periudha në periudhë.

Në janar dhe në shkurt, kur për pandeminë dihej shumë pak dhe askush nuk e merrte seriozisht, teksa ajo nuk kishte mbërritur ende në Europë, vdekjet shënuan një trend normal, madje ulje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë (-9.1% në janar dhe -5.2% në shkurt).

Në mars, muaji i parë kur zyrtarisht u regjistruan rastet e para me Covid-19 në vend dhe filloi karantina e ashpër për të parandaluar përhapjen e infeksionit, vdekjet e regjistruara ranë ndjeshëm, por kjo lidhet më shumë me mbylljen e vendit dhe pamundësinë e kryerjes së veprimeve në Gjendjen Civile. Këto fatalitete u regjistruan në prill, ku u shënua një rritje e lartë. Për këtë arsye, këto dy muaj i llogarisim së bashku, ku ndryshimi në raport me mars-prill të një viti më parë është me një rritje të lehtë prej 3%.

Në maj, kur filloi dhe hapja graduale e ekonomisë, jetët e humbura ishin pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë. Tendenca rritëse filloi që në muajin qershor, (+12.4%), teksa rihapja nxiti shtimin e infeksionit. Në korrik ritmet e rritjes së vdekjeve filluan të përshpejtohen (+15.9%). Në gusht, që përkon me kulmin e sezonit turistik, funksionimin e bareve të natës, dhe lëvizjet brenda vendit ishin të shtuara, vdekjet u rritën me një ritëm të lartë prej 47.4%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pas gushtit, marrja e disa masave, si mbyllja e lokaleve të natës dhe përfundimi i pushimeve i lehtësoi pak situatën, që gjithsesi vijoi të mbetej e përkeqësuar në raport me një vit më parë. Në shtator dhe tetor, vdekjet u rritën përkatësisht me 33.6% dhe 32.9%.

Vala tjetër dhe më e rëndë e pandemisë deri tani kulmoi në muajt nëntor dhe dhjetor. Pas hapjes së shkollave dhe fillimit të motit të ftohtë, që shtoi grumbullimet në ambiente të mbyllura (nga 1 tetori lokalet u lejuan të funksiononin dhe në hapësirat ebrendshme), shkalla e infeksionit u përhap gjerësisht, çka ndikoi dhe në rritjen e lartë të fataliteteve. Qeveria shqiptare u mjaftua me kufizime të lehta dhe nuk e pa si opsion mbylljen, ndryshe nga shumë vende të tjera të Europës, çka çoi dhe në një tejmbushje të spitaleve.

Të dhënat zyrtare të akteve të vdekjeve, nga Gjendja Civile, tregojnë se nëntori dhe dhjetori ishin realisht muaj shumë tragjikë. Në nëntor u shënuan gjithsej rreth 3,370 jetë të humbura, me një rritje prej 111% në krahasim me të njëjtën periudhë të një muaji më parë. Mesatarisht në nëntor humbën jetën 112 persona në ditë, nga 53 persona në ditë në nëntor 2019. Vetëm shtesa e vdekjeve në nëntor ishte gati 59 persona në ditë, që potencialisht janë fatalitete të shkaktuara nga pandemia.

E njëjta situatë vijoi edhe në dhjetor, ku u shënua një rekord i ri prej rreth 4,160 jetë të humbura, me një rritje prej 98% në krahasim me dhjetorin e një viti më parë. Në muajin e fundit të vitit humbën jetën 134 persona në ditë, nga 68 persona një vit më parë. Vetëm shtesa e vdekjeve në dhjetor ishte 66 persona në ditë.

Për të gjithë periudhën nëntor-dhjetor, kur kulmoi pandemia, shtesa e fataliteteve në ditë rezulton të ketë qenë 63 persona. (nga spitalet Covid, maksimumi ditor i fataliteteve të raportuara ishte deri në 19 (në datën 24 nëntor). Në periudhën nëntor-dhjetor u regjistruan 64% e totalit të vdekjeve shtesë për gjithë 2020-n.

Krahasimi me Europën, sipas Eurostat; Asnjë shtet nuk ka pasur rritje mbi 100%

Rritja e fataliteteve është konstatuar kudo në Europë përgjatë 2020-s. Eurostat raportoi pak më herët se pandemia e Covid-19 e ka rritur vdekshmërinë në 27 vendet anëtare të BE-së me ritme dyshifrore gjatë periudhës mars -tetor 2020 ne krahasim me mesataren e se njëjtës periudhë në vitet 2016-2019. Nga të dhënat rezultoi se, rreth 297 500 vdekje të tjera ndodhën në BE gjatë periudhës maj-tetor krahasuar me të njëjtën periudhë në 2016 – 2019.

Shtesa bruto e vdekshmërisë ishte e lartë në prill 2020, me një rritje prej 25% krahasuar me mesataren e të njëjtit muaj mbi 2016 – 2019. Më pas gjatë muajve, sipas Eurostat, shtesa e vdekjeve u lehtësua disi dhe nisi përsëri në gusht – shtator, me valën tjetër të pandemisë. Vdekjet shtesë u rrit me 8% në shtator dhe me 17% në tetor mbi mesataren. Treguesi u rrit më tej në nëntor 2020 në të gjitha shtetet anëtare të BE-së me të dhënat në dispozicion.

Nga të dhënat e detajuara të rritjes mujore të publikuara nga Eurostat (shih link https://ec.europa.eu/eurostat/databroëser/vieë/demo_mexrt/default/table?lang=en) rezulton se asnjë shtet në valën e vet ciklike të pandemisë, përgjatë mars-nëntor, nuk ka shënuar rritje aq të lartë sa Shqipëria në nëntor (+111%). Rekordin në BE e mban Polonia, me rritje të fataliteteve prej 97% në nëntor dhe Sllovenia me 91% po në nëntor. Italia, një prej shteteve më të goditura ka pasur kulmin e pandemisë në mars dhe prill (+49% dhe +41%), për të rënë në nivele një shifrore deri në shtator dhe duke u rritur sërish me 13% në tetor.

Treguesi më real i pasojave të pandemisë dhe i krahasueshëm mes shteteve, do të jetë ai i shtesës së fataliteteve për 1 milionë banorë. Të dhënat e plota nuk janë ende të disponueshme, por për Shqipërinë ky tregues është mbi 2 mijë vdekje për 1 milionë banorë. Në Itali, sipas të dhënave zyrtare te institutit statistikor italian  (https://www.istat.it/it/archivio/252168), dhe në Mbretërinë e Bashkuar (https://www.standard.co.uk/news/uk/uk-covid-excess-death-rate-world-war-two-b851340.html), ky tregues nuk e kalon vlerën e 1500, shumë më i ulët se në Shqipëri!/ O.Liperi

/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb