Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i ka bërë thirrje SPAK dhe Prokurorisë që të hetohen deklartimet e kryeministrit Rama që kanë dëmtuar shëndetin publik, ekonominë dhe jetën e qytetarëve.

Vasili merr shembullin e Italisë, ku Prokuroria mori në pyetje kryeministri Giuseppe Conte, dhe i kërkon Prokurorisë shqiptare të bëjë të njëjtën gjë.

Sipas Vasilit, duhet të veprojë sot drejtësia shqiptare, në emër të viktimave dhe familjarëve të tyre, pasi nesër do jetë shumë vonë dhe do të jetë përgjegjësi e dyfishtë.

Deklaratë për mediat e Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili

 

Të nderuar qytetarë dhe qytetare,

Të gjithë ju me shumë të drejtë po përcillni me shqetësim dhe po përjetoni një stres të justifikuar lidhur me mënyrën se si po shkon pandemia nga Covid-19, apo coronavirus siç njihet më rëndomë. Praktikisht duhet të sqarojmë me njëri-tjetrin se situata në të cilën ndodhemi, është një situatë tërësisht kaotike dhe jashtë kontrollit. Është një situatë e tillë, pasi që në krye të herës, që pa u shfaqur ende pandemia edhe në momentin që ajo u shfaq, qeveria shqiptare dhe kryeministri zgjodhën që në vend që të ndërtonin strategji solide, të qartë me të cilën hynim në një pandemi që nuk e dëshironim, por ishte një fakt natyror e dilnim prej saj, të ishin momente shumë të qarta.

Në vend të kësaj zgjodhën që të mos ndërtonin një strategji, gjithçka ti lihej spontanitetit, improvizimeve dhe më e keqja ka qenë përdorimi politik i vazhdueshëm. Ideja e të shfaqurit sikur po përballojmë dhe kemi suksese të jashtëzakonshme e të mëdha, duke luajtur siç është një rast shumë interesant si Titaniku që mbytej dhe dikush i binte violinës. Pra Shqipëria e dinte që këta kriheshin, ndërkohë që ne duhet të merrnim masat të menjëhershme, të rrufeshme dhe me një strategji shumë të qartë pa fshehur të vërtetën. E vërteta e pandemisë nuk ishte një e vërtetë që do damkoste medoemos qeverinë, por do të tregonte qartë se cila është situata, ç ‘duhej bërë dhe si do të dilnim para një situate kaq të vështirë. Praktikisht ju e shikoni se çfarë po ndodh. Rastet në momentin e daljes nga pandemia të deklaruara janë shumë herë më të larta se sa në pikun e saj. Në pikun e saj më 2 prill, kemi pasur 27 raste dhe kemi arritur të kemi 82 raste. Dyfishimi i kësaj shifre është një fenomen i zakonshëm. Këto janë shifra që janë në sytë tuaj, por sigurisht edhe në sytë tanë edhe si politikan edhe si profesionist. Refuzuan të bënin testim të gjerë. Refuzuan të aktivizonin mjekun e familjes. Refuzuan te venin në përdorim e të blinin në masë mjetet mbrojtëse. Për personelin mjekësor në radhë të parë, por edhe për qytetarët në tërësi në radhë të dytë. Dhe për shkak të kësaj, lajmet që vinë nga personeli mjekësor janë njëri më i dhimbshëm se tjetri. QSUT-ja kthehet në një vatër infektimi ku s’duhet të ndodhte kurrë pasi është një instrument dhe një front pune i cili duhet të ishte në gatishmëri e ku mjekët dhe infermierët e saj të ishin të mbrojtur edhe për veten e tyre, por edhe për të kryer detyrat e rëndësishme që ata kanë lidhur me pandeminë. Sot kemi raste edhe  në spitalin ushtarak, spitalin e traumës. Pra, u lanë pa mbrojtje personeli mjekësor. Duhet të ishte investuar gjithçka për ta bërë këtë gjë. Dhe në tërë këtë situatë kaq problematike, kryeministri dhe qeveria kanë zgjedhur edhe këtë hall të madh, siç ju kanë hedhur halle pafund edhe për koncensionet, t’ia hedhin popullit. Po populli nuk ka asnjë faj. Populli është sjell në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Ka bërë gjithçka që autoriteti i ka thënë. Është sjell si një ushtri që ka dëgjuar ata që i drejton. Po ushtri të keqe nuk ka. Ka komandant të këqij. Dhe ky komandant i keq, ogurzi, vazhdon të mbetët kryeministri i vendit. Dikush do të thotë se për çfarë arsye ja  kërkoj kryeministrit këto gjëra. Është një pyetje logjike të dashur qytetarë. Po dua të sqarohem me ju një herë e përgjithmonë në emër të LSI-së por edhe si profesionist. Ky njeri që drejton qeverinë, nuk u la radhë profesionistëve të flisnin, por e mori vet mikrofonin. Mori edhe facebookun. Mori monopolin e informacionit. Bëri infeksionistin. Bëri politikanin. I bëri të gjitha. Ndërkohë që shkenca mjekësore i përjashtoi.  Në 2 maj deklaronte, Shqipëria çudi e madhe, strategji jo, plane jo. Shqipëria më mirë se tërë dynjaja.

Më 2 qershor, po ky njeri, po ky kryeministër doni a nuk doni ju që flisni nga distanca sociale, pra ato që i sugjeronin dhe propozonin të tjerët, ky është një sukses fare i madh i shtetit shqiptar dhe i shëndetësisë shqiptare.

Ku ishte suksesi? Më tej, të vijmë tek masat bazike. E gjithë bota kërkonte përdorimin e maskave, sot e kësaj dite ka përdorim botëror, çfarë merrte përsipër epidemiologu Edi Rama, e dëgjojmë me qetësi të nderuar qytetarë. “Maska nuk është e nevojshme nëse nuk jeni pozitiv”, thotë ky, “po përdoret kot”, thotë prap ky, “për shembull po përdoren nëpër supermarkete sepse ekziston frika nga afërsia e tjetrit, por është e kotë”, këto janë ato që thotë Edi Rama, jo unë.

Çfarë thoshte më 17 mars Edi Rama sërish. “ Ne s’kemi nevojë për testime” OBSH kërkonte testime, ky thoshte ne nuk kemi nevojë për testime, “duhet të sillemi sikur e kemi virusin si të mbrojmë veten e mos të bëhemi shkelës të rregullave nëse bëhen testime dhe ata kanë shenja të lehta mjafton marrja e disa masave, u thuhet të rrini në shtëpi dhe kur testi del pozitiv i thuhet të rrinë në shtëpi e s’të merr njeri në spital për shenja të lehta, të thuhet rri në shtëpi.”

Pra, një ikopemtencë  e mallkuar profesionale, e cila bie në kurrizin të njerëzve. Dhjetëra sugjerime i janë dërguar këtij njeriu, me të gjitha mënyrat e mundshme, me të gjitha mundësitë e komunikimit, nga këto foltore, nga mundësi të tjera komunikimi, pa u lodhur, dhjetëra propozime dhe sugjerime dhe konstruktive profesionale në emër të ndërgjegjes shoqërore, në emër të profesioneve, të gjitha të refuzuara.

Ndërsa sot dëgjojmë vetëm patetizëm. Dëgjojmë që populli sërish është fajtor. Dëgjojmë që ky populli po na merr në qafë ne, ndërkohë që ka vetëm një përgjegjës dhe një fajtor, ky është kryeministri i vendit dhe gjithë piramida poshtë tij që zgjodhi të përdorë politikisht pandeminë dhe të shpërdoronte shëndetin e njerëzve.

Kam një thirrje të fortë që nuk është rastësisht e fundit. Si Italia fqinje që përballoi një betejë të madhe me sukses dhe po del me shumë sukses nga kjo pandemi shumë e rëndë bëri që organet e drejtësisë të thërrasin kryeministrin Konte për ta pyetur, për ta hetuar, për ta sqaruar për çdo veprim të bërë gjatë pandemisë.

Megjithëse Italia hyri dhe doli nga një pandemi shumë e vështirë dhe problematike, ishte vendi më kritik për shfaqjen e sa, pra doli të kishte një përballim të suksesshëm të saj e megjithatë kryeministrit Conte është nën hetim. Prokuroria Shqiptare fle gjumë, rri e flladitet në gjumin e vapës, këto deklarime që unë bëj publike janë deklarime të këtij kryeministri që kanë prodhuar pasoja të rënda për shëndetin publik të njerëzve  në përgjithësi, ku kanë krijuar pasiguri, kanë krijuar stres e mbi të gjitha kanë rrënuar ekonominë shqiptare, e cila vazhdon të thellohet në katastrofën e saj, pasi nuk ka mundësi të dalë.

Europa ka izoluar Shqipërinë pikërisht për këtë arsye, vendet e rajonit kanë bllokuar Shqipërinë për këtë arsye, interesa ekonomike pafund, fate njerëzish, fate familjesh të varfra që nxjerrin ato të ardhura të pakta për të mbajtur shpirtin gjallë përpara një shteti që nuk i ndihmon, ndodhen në një moment kritik dhe ky fajtor është atje, shpërdorues i qetë, i pa prekur, i pa ndëshkuar.

SPAKU, Prokuroria në emër të ligjit, por edhe në emër të humanizmit të jetëve të humbura dhe të jetëve të rrezikuara për shkak të infeksionit, për shkak të kësaj pa përgjegjshmërie shtetërore të qëllimshme duhet marrë sot një pozicion të menjëhershëm, nesër do të jetë vonë edhe për të, dhe do të bjeri një përgjegjësi e dyfishtë, përgjegjësia se nuk zbatuan ligjin para shpërdoruesve të detyrës, por edhe përgjegjësia humane, pasi nuk bën asgjë si njerëz përpara shqiptarëve të infektuar apo edhe përpara atyre që për fat të keq kanë humbur edhe jetën.

Koha është sot që të shpëtojnë fytyrën e tyre e për të treguar që në Shqipëri ekziston sado pak drejtësi. Faleminderit juve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb