TIRANË

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama shprehu mbështetjen e tij ndaj reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se cilido që do të shkojë para drejtësisë nga radhët e ekzekutivit do të duhet të mbrohet i vetëm.

“Nga ana tjetër as qeveria dhe asnjë nga ne, 74 të mandatuarit nuk do përdorë as mandatin për të mbrojtur këdo qoftë nga akuzat e drejtësisë. Cilido qoftë, në ekzekutiv, në këtë sallë apo pushtet vendor do duhet të mbrohet vetë, bashkë me avokatin. Prezumimi i pafajësisë do të vlejë vetëm për procesin gjyqësor dhe jo për të marrë qoftë edhe një gjysmë fjale mbështetje politike. Qeveria do inkurajojë shumë më tepër se sot, me mekanizma të njohur apo inovativë luftën kundër korrupsionit.

E besojmë reformën në drejtësi, me vetëdijen se rezultatet që shqiptarët presin nuk vijnë as kollaj as shpejt. Të ndërtosh nga e para një pushtet të pavarur gjyqësor është si të transplantosh një kolonë vertebrore të kalbur me një të re, duhet një operacion rrënjësor, i gjatë, përballë një sfide që duket e pamundur.

Ndaj sa herë e humbasim durimin, le të kujtohemi se kur u nisëm nuk kishte as tunel, por një terr të plotë ku çekiçi i gjykatësve të korruptuar bënte kërdinë dhe pandëshkueshmëria legenoste Shqipërinë. Sot toka lëkundet.

Organet e reja të drejtësisë iu kanë dalë nga duart edhe politikës edhe krimit, askush me llogari të hapura me ligjin nuk fle më i qetë.

Kundërofensiva për të ndalur reformën në drejtësi ka ndaluar, por frymëzuesit dhe udhëqësit e saj janë sot figurat më të diskretituara të Shqipërisë. Burimet negative kundër reformës po shkojnë drejt shterimit.

Mbështesim pa asnjë rezervë e në cdo hap reformën në drejtësi. mëbështetja jonë do jetë e palëkundur do jemi në gatishmëri të plotë, për cdo gjë që do nevojitet nga ana jonë. Po njësoj ne besojmë se paralelisht me çlirimin e drejtësisë, se dixhitalizimi është leva e arkimedit”. u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb