Nga: ZONJA KATERINA

Pandispanja: 5 kokrra vezë, ¾ filxhan miell që fryhet vetë, 1 lgj gjalpë për të lyer tavën, 1 lgj pluhur pjekës, 1 lç kanellë
¼ lç karafil pluhur, 1 filxhan arra

Sherbeti:
1 ½ filxhan sheqer, 1 ½ filxhan ujë, 2 lgj konjak

Kremi:
1 ½ filxhan sheqer, 2 filxhanë pana, 1 litër qumësht, 1 filxhan miell, 4 të verdha veze, Vanilje, Pak kripë

Fillimisht përgatisim pandispanjën. Rrahim vezët me sheqerin për 10-15 minuta derisa të bëhet një krem. Në një enë vendosim miellin, kanellën, karafilin pluhur dhe pluhurin pjekës. E trazojmë mirë miellin dhe e shtojmë tek vezët në mënyrë graduale duke e përzier nga poshtë lart. Në fund shtojmë arrat duke e trazuar lehtë brumin e pandispanjës. E vendosim në një tavë dhe e fusim në furrë të nxehtë të piqet në temperaturën 175 gradë Celsius për 30 minuta.

Vendosim sherbetin të ziejë duke hedhur në një tenxhere ujin me sheqer. E lemë të vlojë sherbetin për 5 minuta dhe më pas shtojmë 2 lugë konjak dhe e lemë sherbetin të ftohet.

Pasi pandispanja të jetë pjekur e sherbetosim avash avash duke e hedhur sherbetin nga anash brenda lugë-lugë në mënyrë që pandispanja të mos ulë vëllimin. E lemë pandispanjën të ftohet dhe të përthithë mirë sherbetin.

Në një tenxhere hedhim miellin, sheqerin, një majë luge kripë, qumështin dhe të verdhat e vezëve të cilat i shtojmë një nga një duke vazhduar trazimin pa ndërprerje. E trazojmë mirë derisa të bëhet krem dhe në fund shtojmë vaniljen. Rrahim në marengë panën dhe e shtojmë tek kremi i përgatitur dhe më pas vendosim një shtresë kremi të niveluar mirë mbi pandispanjë. E pudrosim sipërfaqen me pak arra të thërrmuara dhe me pak kanellë dhe e vendosim në frigorifer të ftohet për të paktën 5-6 orë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb