TIRANË

Ndonëse ka një rrjedhje dokumentesh, zbulimi i të gjitha pasurive dhe pronarëve të tyre në parajsat fiskale është i vështirë sipas pedagogut të ekonomisë Mateo Spaho.
“Pandora Papers” është skandali më i ri botëror që ka zbuluar fshehjen e pasurisë së liderëve, biznesmenëve e politikanëve të ndryshëm në parajsa fiskale.

Në rrjedhjen e miliona dokumenteve financiare të njohura me emrin “Dokumentet Pandora” që u publikuan të dielën, pretendohet lidhja mes udhëheqësve botërorë dhe pasurive të tyre të fshehura përmes kompanive në parajsa fiskale, duke përfshirë Mbretin Abdullah të Jordanisë, Kryeministrin çek Andrej Babis dhe bashkëpunëtorët e Presidentit rus Vladimir Putin.

Mateo Spaho, dekan i fakultetit të Ekonomisë në “Universitetin Luarasi” tha në “Real Story” në News24 se çfarë ka dalë jashtë deri tani janë gjërat më të thjeshta që kanë ndodhur sepse ka shumë të tjera që ndoshta s’do t’i marrim vesh kurrë. Sipas tij, ka 60-80 vende në botë që konsiderohen parajsa fiskale dhe se paratë spostohen sepse fshihet pronari, jo vetëm për tatim fitimin e ulët.

“Ka një rast shumë konkret në vendin fqinj, Italinë ku ish-kryeministri Silvio Berlusconi është akuzuar për fshehje të fitimeve të kompanive të veta dhe kompanitë e tij kishin ndërtuar 100 kompani guaska që transferonin para tek njëra-tjetra. Eksperti më i mirë i policisë tatimore italiane, Guardia di Finanza, u vendos për të hetuar këtë rrjedhje parash. Ai arriti të gjurmonte rrjedhje deri në kompaninë e 41-të-42-të. Çfarë ndodhte, nëse ti ke ti 100 euro dhe këto i ndan, i jep 3 euro një kompanie, 2 një tjetre dhe këto rifuteshin dhe ribashkoheshin në një mënyrë tjetër në kompani të tjera. Por identifikimi bëhet më i vështirë dhe ai eksperti tha që nuk arrij të shkoj dot më tutje.
Çfarë ka dalë jashtë deri tani janë gjërat më të thjeshta që kanë ndodhur sepse ka shumë të tjera që ndoshta s’do t’i marrim vesh kurrë, ose duan shumë më shumë punë. Parajsat fiskale nuk janë vetëm në këto ishuj tropikalë të largët. Sot në botë ka 60-80 vende të ndryshme që mund të konsiderohen parajsa fiskale. Parajsa fiskale nuk është thjesht një vend që ka tatim mbi fitimin të ulët, por janë vende që lejojnë në të njëjtën kohë hapjen e kompanive pa emër. Në Delaëare mund të hapësh kompani pa emrin tënd, pa thënë se kush është pronari i vërtetë. Ka vende të tjera që kanë tatim fitimin shumë të ulët, si Arizona që e ka vetëm 1%, por aty kompania duhet të ketë emrin.
Elementi i fshehtë është gjëja më e rëndësishme. Po flasim për para që spostohen jo thjesht sepse tatohen pak, por se nuk dihet pronari. Afër Shqipërisë, vende që në rajonin tonë përdorin këto sisteme janë San Marino, pjesërisht Qipro, Lihtenshtejni dhe pastaj kemi vende të tjera si Zvicra që e kishin sekretin bankar të artë. Ka vende të tjera, si Austria të cilat kanë një sistem jo shumë transparent, në raste të caktuara por nuk mund të quhet parajsë fiskale. Emri i gjetur, e ‘Kutisë e Pandorës’ është i gjetur sepse lidhet me mitin grek, ku nga kutia dolën të gjitha të këqijat”, deklaroi Spaho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb