KABUL– Një dëshmitar ka treguar për BBC-në momentet e tmerrit kur personat e armatosur hynë në restorantin e Hotel Intercontinental në Kabul të shtunën.

Dëshmitari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, tha se ai shpëtoi pasi ju kishte thënë sulmuesve se ishte afgan ndërkohë që më pas ata e kanë pyetur se ku janë të huajt.
Personat e armatosur hynë me forcë në hotelin gjashtë-katësh rreth orës 9 të darkës të shtunën ndërsa klientët po hanin darkë në restorant.

Dëshmitari tha për BBC-në se po hante darkë me djalin e tij kur sulmuesit filluan të qëllojnë me armë zjarri në ajër. Ata vranë një grua – që besohet se ishte e huja- dhe kthyen armën në drejtim të dëshmitarit i cili thirri “Unë jam afgan”. Një nga sulmuesit tha se ata nuk vrisnin afganë dhe pyeti se ku janë të huajt. Më pas personat e armatosur vrapuan jashtë për të gjetur se ku ndodheshin të huajt.
Ndërkohë, një tjetër dëshmitar tha për Tolo News se sulmuesit i kishin kërkuar t’u shërbente ushqim në fillim.

“Ata kishin veshur rroba moderne. Erdhën dhe më kërkuan ushqim. Pasi ju shërbeva më falenderuan. Pastaj nxorrën armët dhe filluan të qëllonin njerëzit,” tha dëshmitari i dytë.

14 shtetas të huaj konfirmohet se kanë vdekur, bashkë me 4 afganë.
Ministria e Brendshme e Afganistanit tha se vendimi i fundit për të caktuar një kompani private për sigurinë kishte qenë një gabim.

Rreth 160 persona u shpëtuan pasi trupat afgane luftuan gjatë natës për të marrë kontrollin e godinës.
Sipas zyrtarëve, tre sulmues u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat afgane ndërsa 10 persona, përfshirë 4 civilë u plagosën.

Policia e Kabulit tha për BBC-në se 9 ukrainas, 1 gjerman, 1 grek dhe një shtetas nga Kazakistani janë konfirmuar të vdekur ndërsa dy të tjerë ende nuk janë identifikuar. Talibani ka marrë përsipër sulmin në Hotel Intercontinental të Kabulit.
(a.kBalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: