“Kemi bërë mirë në Spanjë”, është frazë që nuk mungon në asnjë deklaratë të trajnerit Kristian Panuçi, sa herë që flitet për rezymenë e punës së tij në krye të Kombëtares. Por, një prej titullarëve të atij takimi nuk gjen vend në përfaqësuese në startin e edicionit të ri. Jo vetëm kaq, por në listën e trajnerit për ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë ka edhe dilema të mëdha… Çfarë ndodh me Ajetin? Po Grezda pse duhet sakrifikuar?

Lista
Shqipëria po nis edicionin e ri, por që në start nuk ka të njëjtin standard. Mërgim Mavraj është një nga shtyllat e mbrojtjes dhe i nevojshëm për përfaqësuesen në çdo moment edhe kur ky është pa ekip. Gjithsesi, dilema nuk qëndron tek ish-futbollisti i Hamburgut, por te standardi i ndryshëm që trajneri ndjek me Ajetin. Po për të pse nuk “ka një dorë”, siç u shpreh Panuçi më parë kur ftoi Alijin pa ekip?

Që në fillim u propozua Shqipëria sulmuese, por momentalisht dy lojtarët e sulmit me më shumë minuta dhe formë të mirë, apo edhe gola të realizuar, janë Elis Bakaj dhe Azdren Llullaku. Çuditërisht, për asnjërin këtë herë nuk pati vëmendje. Cikalleshi? Trajneri tha se është pa minuta, por jo pak të tjerë janë marrë duke e shkelur këtë. Grezda? Dilema qëndron në faktin pse duhet të sakrifikohet, duke qenë se vjen nga një dëmtim dhe të përdoret në takime vendimtare. Pavarësisht punës përgatitore, por duke mos pasur asnjë minutë në fushën e lojës, është rrisk të ngarkohet me presion të tillë.

Habia
Atë ndeshje që trajneri e mban si “vitrinë” të paraqitjeve pozitive të Shqipërisë, kuqezinjtë e kanë realizuar me Ergys Kaçen që ka luajtur 90 minuta. Pas një gjysmësezoni të mirë, Panathinaikos bëri gjithçka duhej për ta marrë nga PAOK dhe në fazën përgatitore tregoi se ishte në formë. Pse vallë nuk u thirr një prej beniaminëve të “mrekullisë spanjolle të Panuçit”? Jashtë liste është edhe Ermir Lenjani. Faza përgatitore e plotë dhe katër ndeshje me Sionin, pa harruar kontributin për përfaqësuesen, duket se nuk mjaftojnë, edhe pse në listë mbizotërojnë futbollistët pa minuta.PanoramaSport

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb