Vetëm një seancë stërvitore ditën e djeshme, e cila i ka shërbyer trajnerit Kristian Panuçi për të shuar sadopak dilemat e mëdha që ka në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushën e lojës kundër Lihtenshtejnit. Armando Sadiku e ka bërë me dhimbje koke dhe numri një i Kombëtares po mendon të zbresë në fushën e “Elbasan Arenës” pa bomberin kuqezi.

Ai nuk do të rrezikohet sepse për pak ditë do të luhet një tjetër ndeshje vendimtare kundër Maqedonisë dhe me gjasë për sfidën me Lihtenshtejnin do të jetë nga minuta e parë Liridon Latifi në majën e sulmit, i cili shpeshherë mund të alternohet me Llullakun dhe të luajnë me një sulmues të fshehur. Roshi pritet titullar në të djathtë, ndërkohë që Grezda gjithashtu ka fituar kuota ndaj Llullakut dhe mund të luajë majtas.

IZOLIM- Në stërvitje, mediat janë lejuar si gjithmonë 15 minuta dhe në ato momente lojtarët kanë bërë nxehmje të lehtë dhe pasime me topin për të shkrydhur muskujt.

Trajneri Panuçi filloi të jepte indikacionet dhe urdhrat që duhet të zbatojnë lojtarët. Në dyert përreth stadiumit “Selman Stërmasi” qëndronin automjete për të penguar shikimin, ndërsa në të tjera kishte roje për të larguar ata që mundoheshin të “spiunonin”.

DILEMAT- Në portë ende nuk ka një titullar të përcaktuar, sepse Panuçi do të vendosë në momentet e fundit për Berishën apo Strakoshën. Ndërkohë që në mbrojtje vetëm Hysaj dhe Mavraj e kanë vendin e sigurt.

Ajeti dhe Gjimshiti janë në balotazh me njëri-tjetrin, ndërsa ditën e djeshme Agolli u provua titullar edhe pse në të majtë mund të luajë Memolla.

Në mesfushë gjithashtu ka “duel” mes Kukelit dhe Memushajt për një fanellë titullari, ndërkohë që Basha dhe Lila e kanë vendin deri diku të sigurt, nga provat që trajneri ka bërë deri tani.

Vlonjati Memushaj duket më i avantazhuar sesa Kukeli, për faktin se skuadra nga 4-3-3 mund të kalojë në 4-2-3-1 për të pasur më shumë ekuilibër. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb