Don Arjan Dodaj është emëruar nga Papa Françesku si Arqipeshkvi i ri i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Don Arjan Dodaj do të zëvendësojë në këtë post, imzot George Frendo, i cili doli në pension.

Po kush është imzot Arjan Dodaj:

Sh.T. Imzot Arjan Dodaj ka lindur në Laç-Kurbin, në Arqidioqezën Tiranë-Durrës, me 21 janar 1977.
Mbas studimeve në qytetin e tij të lindjes, ka emigruar në Itali dhe është vendosur në qytetin Cuneo, ku ka filluar përvojën e punës.

Në 1997 ka kërkuar të jetë i pranuar në, Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, Komuniteti “Shtëpia e Marisë”, me seli në Romë.

Ka ndjekur studimet e filozofisë dhe teologjisë në përgatitje për meshtar, pranë Ateneut Papnor “Regina Apostolorum.”

Është shuguruar meshtar me 11 maj 2003 nga Papa Shën Gjon Pali II në Bazilikën e Shën Pjetrit. Është inkardinuar në Dioqezën e Romës si pjesëtarë i Vëllazërisë Meshtarake të Bijëve të Kryqit, më pas e aprovuar si Societas Vitae Apostolicae.

Mbas shugurimit Meshtarak ka pasur detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 në 2004 ka qënë
Zv. Famullitar i Famullisë “Shën Dominiku i Guzman”, në Romë; nga 2004 në 2005, Zv. Rektor i Rektorisë së “Shën Gjoni i Malvës” dhe Kapelan i Komunitetit të shqiptarëve në Romë; nga 2005 në 2017, Zv. Famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryengjull”, në Romë.

Në 2017, me konsensusin e Ipeshkvit të tij, Kardinalit Vikar të Shenjtërisë së Tij për Dioqezën e Romës, është dërguar si misionar fidei donum në Arqidioqezën Tiranë-Durrës ku ka këto angazhime baritore: Vikar i Përgjithshëm Dioqezan; Famullitar në Famullinë “Zemra e Papërlyer e Zojës tonë Mbretëreshe”, në Gramëz; Përgjegjës i Baritores Universitare; Zv. Sekretar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë; Sekretar i përgjithshëm i Sinodit Dioqezan. Famullitar i Famullisë “Shën Gjon Pali II”, në Bathore.

Me 9 prill 2020 Papa Françesku e ka emëruar Ipeshkëv Ndihmës të Arqidioqezës Tiranë-Durrës duke i dhënë selinë titullare të Lestronës.

Është shuguruar Ipeshkëv me 15 shtator në Katedralen e “ Shën Palit” në Tiranë.

Në Konferencën Ipeshkvore të Shqipërisë është President i Komisionit për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar, Përgjegjës Kombëtar për Formimin e Klerit dhe Baritoren Thirrore.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb