Papa Françesku kremtoi sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës, meshën e tij të parë të këtij viti, të cilën ia kushtoi viktimave të sulmit terrorist në selinë e gazetës “Charlie Hebdo” në Paris. Kështu njofton sot Radio Vatikani. Papa, dje, dënoi ashpër “atentatin e neveritshëm”, siç e quajti, dhe bëri thirrje të ndalet përhapja e urrejtjes. Sot, në faqen e tij në Twitter, u kërkoi të gjithë besimtarëve lutje në hashtagun “#PrayersForParis”.

Kaq shumë mizori
Fjalët e para të Papës, në homelinë e meshës, qenë:
“Atentati i djeshëm në Paris na bën të mendojmë për këtë mizori, për kaq shumë mizori njerëzore; për terrorizmin, si terrorizmin e izoluar, ashtu edhe terrorizmin e shtetit. Për sa mizori është i aftë njeriu! Të lutemi, në këtë meshë, për viktimat e kësaj mizorie. Të shumta! E t’i kërkojmë Zotit t’ua ndryshojë zemrat mizorëve”.

Atentat i tmerrshëm
Që dje, Ati i Shenjtë e pati dënuar me vendosmëri atentatin e tmerrshëm, që mbolli “vdekje, duke lebetitur krejt shoqërinë franceze, duke trazuar thellësisht të gjithë njerëzit që e duan paqen, edhe përtej kufijve të Francës”.

Ta ndalim përhapjen e dhunës
Papa Françesku, tha dje drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, “merr pjesë në lutjen e në vuajtjen e të plagosurve dhe të familjeve të të vrarëve, si edhe u bën thirrje të gjithëve ta kundërshtojnë me çdo mjet përhapjen e urrjetjes e të çdo forme të dhunës, fizike e morale, që e shkatërron jetën njerëzore, e dhunon dinjitetin e njerëzve, e minon thellësisht bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe popujve, që është e mirë themelore, pavarësisht nga ndryshimet mes kombësive, feve e kulturave. Cilido qoftë motivacioni, dhuna vrasëse është e neveritshme, nuk mund të justifikohet kurrë. Jeta dhe dinjiteti i të gjithëve duhen garantuar e mbrojtur me vendosmëri, çdo nxitje për urrejtje duhet refuzuar e duhet kultivuar respekti për tjetrin”.

Të zhduken shkaqet e urrejtjes
“Papa – theksoi atë Lombardi – shpreh afërsinë e tij, solidaritetin e tij shpirtëror e përkrahjen e tij për të gjithë ata, që, sipas përgjegjësive të tyre të ndryshme, vazhdojnë të angazhohen vazhdimisht për paqen, drejtësinë dhe të drejtën, për të shëruar në thellësi [plagët], që janë burim e shkak i urrejtjes, në këtë çast të dhimbshëm e dramatik, në Francë e në çdo anë të botës, ku ka tension e dhunë”.

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb