Papa Françesku ka bërë me dije se dorëheqjen mund ta japë vetëm nëse shëndeti i tij përkeqësohet aq sa nuk do të mund të jetë në gjendje të shërbejë si duhet, por kjo mbetet një kohë e papërcaktuar. Kjo deklaratë e tij erdhi pasi përfundoi udhëtimin në Kanada, nga ku i kërkoi ndjesë komunitetit indian për diskriminimin që po ju bëhej fëmijëve të tyre në shkollë.

Papa 85-vjeçar theksoi se për momentin ai synon të vazhdojë në detyrat e tij dhe do të udhëhiqet nga Zoti se kur do të japë dorëheqjen.
“Nuk është një katastrofë të ndryshosh Papën, nuk është një tabu”, u tha ai gazetarëve teksa qëndronte ulur në një karrocë me rrota, në linjën ajrore Arkttik- Romë.

“Dera për “daljen në pension” është e hapur, është një opsion normal. Por deri më sot nuk kam trokitur në atë derë. Nuk kam ndjerë nevojën të mendoj për këtë mundësi, nuk do të thotë se brenda dy ditësh mund të mos filloj të mendoj për të”. Gjatë muajve të fundit Papa Françesku ka vuajtur probleme të vazhdueshme të gjurit që kanë ndikuar në lëvizshmërinë e tij. Ai e kaloi pjesën më të madhe të vizitës së tij në Kanada në një karrige me rrota.

Por më parë ai ka hedhur poshtë spekulimet për sëmundje serioze, kërcënuese për jetën. “Ky udhëtim ka qenë intensiv”, tha ai. “Nuk mendoj se mund të vazhdoj të udhëtoj me të njëjtin ritëm që kam bërë më herët, në gjendjen në të cilën e kam tani gjurin”. “Kam dy rrugëzgjidhje, ose duhet të tërhiqem nga udhëtimet, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej Kishës, ose duhet të tërhiqem tërësisht nga shërbesa si Papë”, mësohet të ketë thënë ai.

Rikujtojmë se paraardhësi i tij, Papa Benedikti XI dha dorëheqjen për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij në 2013-ën. Nga ana tjetër, Papa Françesku ka dëshirë të vizitojë Ukrainën së shpejti, por fillimisht duhet të këshillohet me mjekët e tij nëse mund të përballojë një udhëtim të tillë. Në vizitën e tij në Kanada, fokusi i tij ishte t’u kërkonte ndjesë indigjenëve të rajonit për gabimet e kryera kundër tyre nga përfaqësuesit e Kishës Katolike.

Papa u shfaq tejet i solidarizuar me vendasit, veçanërisht me të mbijetuarit e abuzimit në shkollat katolike dhe u duk qartë në disa raste përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore. Ai foli me gazetarët në udhën e kthimit për një sërë temash dhe nuk ngurroi të kritikonte të ashtuquajturit “tradicionalistë” të rregullave të papatit, të cilët e shohin me skepticizëm ndryshimin e Papës. “Një kishë që nuk evoluon është një kishë që shkon prapa,” tha Papa Françesku. “Shumë njerëz që e quajnë veten tradicionalistë, nuk janë, thjesht shkojnë prapa. Ky është mëkat”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: