VATIKAN- Papa Françesku përdori sot, në meshën solemne të mbajtur në bazilikën Shën Pjetër në Romë, termin gjenocid për masakrën e armenëve 100 vjet më parë duke rritur rrezikun për një prishje të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë.

“Në shekullin e kaluar, familja jonë njerëzore kaloi tre tragjedi masive dhe të pazakonta. E para, që është konsideruar gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të XX ka goditur popullin tonë armen”, deklaroi papa duke cituar një dokument të nënshkruar në vitin 2001 nga papa Jean Paul II dhe patriarku armen.
“Dy të tjerat janë ato të kryera nga nazizmi dhe nga stalinizmi. Dhe së fundi shfarosjet e tjera masive, si ato në Kamboxhia, në Ruanda, në Burundi, në Bosnje”, shtoi ai.
Ai u shpreh me rastin e një meshe në kujtim të armenëve të masakruar në vitet 1915-1917 bashkëkremtuar me patriarkun armen, Nerses Bedros XIX Tarmouni, me elementë të ritit katolik armen dhe në praninë e presidentit të vendit, Serzh Sargsyan.

Armenët theksojnë se 1,5 milionë prej tyre janë vrarë në vitet 1915 dhe 1917, në fund të perandorisë osmane. Një numër i madh historianësh dhe më shumë se 20 vende si Franca, Italia dhe Rusia e kanë njohur si një gjenocid. Turqia konfirmoi nga ana e saj se bëhej fjalë për një luftë civile në të cilën 300 000 deri në 500 000 armenë dhe po aq turq kanë humbur jetën.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: