VATIKAN- Papa Francesku ka firmosur sot dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezes, event që do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Sipas këtij vendimi, Nënë Tereza do të jetë shenjtëri ditën e dielë më 4 shtator 2016, dhe do të jetë eventi kryesor i Viti Jubilar të Mëshirës në Vatikan.

Data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostolik si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.

Papa Francesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë.

Nënë Tereza e cila vdiq në shtator të vitit 1997, u shpall “E lume” në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. Lumnimi është hapi i fundit para shenjtërimit.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni.

Më 1979 ajo mori çmimin Nobel për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ndihmuar të varfrit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb