ITALI- Papa Françesku ka uruar të gjitha gratë në Ditën Ndërkombëtare të tyre, duke i cilësuar si motorin, ngjyrat e dashurisë dhe mirësisë së shoqërisë njerëzore. “Sot, më 8 mars përshëndes të gjitha gratë, që çdo ditë kërkojnë të ndërtojnë një shoqëri më miqësore dhe më njerëzore. Një falënderim vëllazëror edhe për ato gra që në një mijë mënyra i janë përkushtuar Ungjillit dhe punojnë në Kishë”, tha Papa Francesku duke kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Grave përballë qindra njerëzve të mbledhur në sheshin Shën Pjetër.

“Dhe kjo – theksoi Papa përmes duartrokitjeve të turmës,- është për ne një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e grave dhe nevojën për praninë e tyre në jetë. Një botë ku gratë margjinalizohen, është një botë shterpë, sepse gratë jo vetëm sjellin jetën, por na transmetojnë aftësinë për të parë të mirë, sepse ato shohin përtej. Ato na mësojnë ta kuptojmë botën me sy të ndryshëm, t’i ndjejmë gjërat me një zemër më krijuese, me më shumë durim, me më shumë mirësi. Një lutje dhe një bekim të veçantë për të gjitha gratë e pranishme këtu në shesh dhe për të gjitha gratë në botë”, tha Papa Françesku.


(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb