Nga: LIRIM DEDA*

Si lëvrues i hershëm i poezisë që jam, mora shkas për këtë shkrim timin për Moikom Zeqon, kur mbarova së lexuari librin e tij me poezi, titulluar “Centauri i Ri”. Analiza për veprën e Moikomit, nuk mund kurrsesi të bëhet përmes analizës së një libri, qoftë edhe kaq i arrirë ky, sa ai që përmenda më lart. Moikomi është ai që njohim sot, se ka qenë i tillë qysh herët. Ai më ka habitur qysh në rininë e vet. Ndër vite, ai u përsos si poet, si shkrimtar, si kulturolog i madh e ndër të paktët që kemi ne sot, një njohës i thellë i kulturës sonë kombëtare, por edhe i kulturës, arteve, historisë dhe letërsisë botërore, njohës si askush i Antikitetit dhe i Rilindjes Europiane. Ai begatoi intelektin dhe shpirtin e vet, e në veprën e tij të madhe nuk i hyri në pjesë askujt, përkundrazi, u dhuroi bujarisht më të rinjve, të drejtën për të harbuar në lëndinat e tij poetike. Në vitet ‘70 ishim dy grupe nga Lidhja e Shkrimtarëve që do të shkonim në qytete e në fshatra, në aktivitete me artdashësit. Ismail Kadareja, asokohe redaktor për poezinë në gazetën “Drita”, kishte zgjedhur Moikomin dhe do të shkonin në Lushnjë- Berat. Kurse unë isha me Llazar Siliqin e me një tjetër, për në Shkodër. Ismaili po priste, por Moikomi nuk po vinte nga Durrësi akoma. Llazari i tha Ismailit: – Merr një tjetër krijues, se ikën dita. Ismaili buzëqeshi hidhtas. Këtë ia përsërita edhe unë në të hyrë të kafes. Ismaili vrenjti vetullat, ngriti krahun në ajër dhe m’u afrua duke më vënë dorën në sup: “Dëgjo Lirim, unë në udhëtime mendoj dhe flas vetëm për krijimtarinë. Hajdutët e furriqeve nuk vjedhin vetëm pulat, por edhe vezët. E pra, mbaje mend: Moikomi e ka kokën plot, nuk vjedh kurrë të tjerët”. Pulat ishin motivet, kurse vezët ishin vargjet, strofat! Dhe ja, s’vonoi shumë e Moikomi çalltisi i mbytur në djersë, me vrap nga stacioni i trenit. Si u përshëndetën, ata u nisën menjëherë me mjetin që ishte caktuar enkas për ta. Kjo histori, atëherë. Po sot? Sot, në faqet e “Centauri i Ri”, shikoj se ai u ka bërë një dhuratë me shumë vlera dhe shumë të bukur lexuesve të poezisë shqipe, talenteve të reja, por do të thosha pa asnjë rezervë edhe të gjithë krijuesve, pavarësisht niveleve që kanë.
“CENTAURI”, QË NA “VURI SYZE” TË GJITHËVE
Kjo vepër poetike e Moikomit është si një ekstrakt i krijimtarisë së Migjenit, Mjedës, Nolit dhe Lasgushit. Në këto poezi lexuesi ndjen dhe përjeton vrundullimin e revoltës, por edhe flladin e lëndinave plot lule; ndjen trokun e rimave të Nolit, por edhe pëshpërimën e valëve të Lasgushit. E ç’mund të bëjë tjetër poeti kur kuvendon jo thjesht me vetveten, por me shpirtin e tij, e kur ky shpirt është hapësira e mëmëdheut në shekuj, me male e fusha, me gurë e me lule, me titanë e me lepuj, me të gjallë e me të vdekur, me humbje e me fitore?! Një vepër e shquar e letërsisë si kjo, të bën t’i rikthehesh shumë herë. Ndodh si me filmin e bukur që kërkon ta shohësh disa herë, si me tablonë Mona Liza të Da Vinçit, të cilën gjithkush do të donte ta kishte në shtëpinë a në studion e vet. Prandaj ky libër është në udhën e trashëgimisë më të shquar poetike të letërsisë sonë kombëtare. Nëpër faqet e tij cilido, e më shumë krijuesit, jo vetëm plotësohen me vlera njerëzore e estetike, por edhe përfitojnë përsosmëri në virtyte, nga drita, theksimet e vizatimet poetike të autorit të shquar. Librin “Centauri i Ri”, apo ndonjë tjetër të këtij niveli (nëse ka), talentet e reja lipset t’i lexojnë për të mësuar përsosmërinë letraroartistike, e cila është e pafundme. Moikomi në këtë libër edhe rimën (që shumëkush sot e shpërfill duke rrudhur buzët), e përdor me origjinalitet e si rrallëkush, jo aq në funksion të muzikalitetit, sesa në shpalosjen e mendimit që përcjell një metaforë verbuese, tronditëse, e cila të detyron ta bësh tënden doemos, pasi vetëm atëherë do kesh arritur të kuvendosh buzë më buzë me poetin-gjeni. Ky libër i Moikomit, ashtu siç ai nënvizon qysh në parafjalë, është… “sfida e vetvetes”. Një poet i madh, një kulturolog e poliglot si Moikomi, jo vetëm që me ligjërimin poetik në gjuhën shqipe na sjell tërë polenin e lulefjalëve të gjuhës së mëmës, por arrin të na dhurojë fjalëformime të reja, duke na e pasuruar thesarin më të rrallë të shqiptarit. Lexuesi në poezitë e Moikomit, të cilat më së shumti janë dy-tre strofëshe, befasohet nga njohuritë që merr, nga ndjesitë që përfiton. Asnjë kritik nuk mund të ndalet e të përcaktojë si deri më sot, tematikën në afro njëqind faqet e librit. Ca më pak do të mundej kritika te motivet, nëse janë të së sotmes apo të së shkuarës. Sepse ashtu si vetë tematika, edhe motivet janë njëherazi: e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e njeriut qytetar shqiptar. Mrekullisht në poezinë e tij realistja dhe mistikja nuk kanë kufi ndarës mes tyre. Ato edhe brendapërbrenda metaforës këmbehen dendur me njëratjetrën. Në gjuhën naimiane përafrohet dhe gati natyrshëm e si pa u ndjerë, kullon gjuha e përbotshme letrare, aq sa figurat e njerëzimit në ligjërimin poetik të Moikomit, marrin ngarkesa emocionale, të barazvlefshme me simbolet e gjuhës sonë amtare. Këto do të ishin disa nga përjetimet e mia pas leximit e rileximit të librit poetik të Moikomit. Ashtu siç nuk mund “të premtoj” se nuk do t’i kthehem përsëri për lexim asaj poezie të mrekullueshme, si një vepër e rrallë e letërsisë sonë.
HALLET E LETËRSISË, SI KALVARI I MOIKOMIT
Hallet e letërsisë nuk kanë të sosur në këtë vend. Qeveritë antikulturë që ndërruan pushtet në këto vite, me këmbënguljen e centaurëveministra, zaptuan ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve, zhdukën edhe tërë strukturat e Lidhjes dhe organet e saj letrare. Kështu që shkrimtarët, poetët, dramaturgët dhe artistët nuk e kanë një çerdhe ku të cicërijnë ata që krijojnë vepra me talent. E kjo ndodh në një vend ku ujqërit pushtetarë të çfarëdo sorollopi, u bënë të pasur sa hap e mbyll sytë me para dhe me vila. Të babëziturit! Kurse shtëpitë botuese të cilat janë të stërshumta, i botojnë veprat letrare me kriteret e reklamave. Çdo autor paguan librin sipas kontratës, e në rastin më fatlum i dorëzohet sasia e librave, e pastaj autori le të vrasë veten me to. Sepse për përhapjen e librit shtëpitë botuese nuk marrin asnjë lloj detyrimi përsipër. Për të mos folur për cilësinë e botimit të veprës, pasi edhe nëse diku ka ndonjë “redaktor” a “korrektor”, këta e njohin pak ose aspak gjuhën shqipe. Kështu, në vend të specialistëve për kulturën dhe artin, kemi militantë të rëndomtë me diploma-mballoma, me nivel arsimor të përftuar nga supermarkete që quhen edhe universitete, e që shesin diploma kundrejt shumave të kripura. Hallet e letërsisë shqipe, mund të përmblidhen në kalvarin e Moikomit. Sepse pikërisht në këtë kulm të krijimtarisë, Moikomi ndodhet i harruar tërësisht nga shteti, nga juritë idiote të Ministrisë së Kulturës, nga vlerësimet dhe çmimet kombëtare që u janë dhënë njerëzve që nuk i kujton më askush të nesërmen e “laureimit”, e që janë harruar përfundimisht. Një pyetje: A pati libër më të madh sesa libri i Moikomit për De Radën? Ose, a lexojnë “juristët” pa kulturë të Ministrisë së Kulturës? Me të njëjtat kritere u veprua këto vite edhe për tekstet shkollore, duke përzgjedhur tekste të rëndomta e plot gabime të atyre që janë në preferencat e politikës, duke paralizuar fëmijët e këtij vendi, aty ku nuk durohet: në hedhjen e bazave të formimit të tyre arsimor. KY I PAPUNË QË “TURPËRON” SHTETIN
Për shumë vjet, më ka torturuar një pyetje sfilitëse: Si është e mundur që Moikomi, njëri nga të paktat kapacitete të kombit tonë (e jo thjesht të vendit), të kishte fatin e qindra mijëra të papunëve të tjerë të këtij vendi? Një shtet normal, pa dyshim që qoftë edhe një njeri i vetëm i papunë, e bën të ndihet keq. Por meqenëse ne do të vonojmë ta shikojmë shtetin normal siç është në disa vende të botës (unë uroj që të paktën ta shikojnë nipat e mi), edhe njëfarë shteti siç është ky i yni në këto 25 vite, patjetër duhet të ketë përgjegjësinë minimale, të paktën për ato kapacitete, të cilat për fat të keq nuk i kemi edhe aq të shumta, t’i sistemojë atje ku “i dhemb dhëmballa”, nëse ka dhëmballë (por jo nga ato që përtypin tendera të majmë). E nëse do kishte qoftë edhe këtë lloj përgjegjësie minimale, për raste të tilla si Moikomi, minimalisht, do të duhej të turpërohej, teksa në emër të interesave të dyshimta dhe militantizmit partiak, i le në… shtëpi! Moikomi, si askush tjetër, krijon një lloj letërsie, e cila na krenaron ne, të gjithë brezat e krijuesve të këtij vendi; është Borgesi i Shqipërisë në agun e këtij shekulli, e për pasojë bota shqiptare e letrave në këto 15 vite, mburret thuajse vetëm me emrin e tij. Shteti ynë, më së paku, këtë lloj krenarie duhet edhe ta institucionalizonte. Pasi në rastin e tij nuk kemi të bëjmë thjesht me një person, e as thjesht vetëm me një personalitet (të tilla i kemi disa, por jo shumë). Për vite të tëra, Moikomi është kthyer në një institucion të mendimit më të thellë e më të vyer që mund të prodhojë kombi, në bazë të një kodi që vetëm ai di t’i nxjerrë këto. Njihet fakti që ky shtet, në të gjitha kohërat e tij, i ka të numëruar me gishtat e njërës dorë ministrat e Kulturës që mund t’i jenë afruar Moikomit. Ashtu siç të gjithë e dimë se asnjë tjetër ish-Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nuk ka mundur të ofrojë atë që Moikomi ka ofruar. Nëse “shteti” që patëm për tetë vite, e pushoi nga puna me pretendimin banal se drejtori nuk hoqi datën 29 Nëntor si datë e Çlirimit nga Muzeu, datë e cila atëherë, por edhe sot është e përcaktuar me Kushtetutë, ky lloj shteti që kemi sot, e që urojmë të përsoset më tej, bën sikur nuk e njeh ekzistencën e tij! Kaq të “pasur” jemi me kapacitete të tilla, apo nuk kemi nevojë për to?!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: