Një lojë normale, shtrëngim duarsh në mënyrë paqësore në fund dhe më pas… grushte dhe përleshje masive mes lojtarëve. Çudirat shqiptare rikthehen sërish në futbollin tonë.

Gjithçka ka shkuar qetësisht për 90 minuta në supersfidën e Kategorisë së Tretë mes Klosit dhe Spartakut, dy ekipeve kryesuese që luftojnë për t’u ngjitur një kategori më lart. Por kur lojtarët po i jepnin dorën njëri-tjetrit në fund, ka plasur një sherr masiv ku janë shkëmbyer shkelma e grushte.

SHERRI
Ndeshja më e rëndësishme e javës së 11-të në këtë kategori kishte marrë vëmendjen maksimale nga FSHF. Një arbitër i Superiores si Olsi Sokoli dhe delegat vetë zv/ përgjegjësi i Kategorisë së Tretë, Agim Mone. Gjithashtu, ishin marrë edhe masat maksimale nga ana e sigurisë duke pasur shumë forca të policisë private të kontraktuara.

Ndeshja është karakterizuar nga një gjykim perfekt, mjaft korrekt e i pakontestueshëm nga asnjëra palë, ku janë akorduar normalisht vetëm katër kartonë të verdhë. Por, gjithçka ka nisur në fund. Kur lojtarët e të dyja ekipeve shtrënguan duart me arbitrin kryesor Olsi Sokoli dhe po takonin njëri-tjetrin, ka plasur menjëherë një sherr masiv. Duket se nervat dhe inatet e lojës lojtarët i kanë shfryrë kundër njëritjetrit duke dhuruar një ndeshje boksi pas sfidës normale që luajtën në fushë.

Ka mjaftuar vetëm një ngacmim mes tyre që futbollistët të mos kursejnë grushtet dhe shkelmat ndaj njëri-tjetrit. Një përleshje që ka vazhduar për rreth 7 minuta dhe forcat e policisë private nuk e kanë pasur të lehtë të qetësojnë situatën. Më pas, lojtarët dhe pjesëtarët e stafeve të skuadrave janë larguar normalisht nga fusha.
Klosi-Spartaku-sherri-2

NDESHJA
Për sa i përket takimit, skuadra e Klosit ishte më e organizuar dhe e meritoi fitoren. Ka qenë një sfidë e bukur me momente emocionuese. Fillimisht janë klosianët ata që kalojnë në epërsi që në minutën e 10-të kur Ermal Rizvani (i ashtuquajturi ‘Shkurrja’) realizon një supergol nga një goditje standarde nga rreth 22 metra. Më pas, Donald Kurbneshi në të 62-ën, pasi ka marrë një asist nga e djathta e sulmit, del i vetëm me portierin dhe shënon golin e dytë.

Në minutën e 70-të është Sildi Lika i Spartakut që shfrytëzon një gabim të portierit, fillimisht e përplas topin në traversë dhe në kthim e shtyn drejt rrjetës duke rihapur sfidën. Spartaku e kërkoi golin e barazimit me ngulm, por nuk ia arriti qëllimit. Me këtë fitore, Klosi ngushton diferencën në vetëm dy pikë me Spartakun e vendit të parë dhe lufta parashikohet e fortë deri në fund.
Klosi-Spartaku-sherri-3

Reagimi
Shefi i klubit të Klosit, Enver Topalli, pas ndeshjes u shpreh: “Skuadra e kishte vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje dhe e kishim përgatitur për fitore. Nga kjo ndeshje varej dhe fati për t’u ngjitur në të Dytën, objektiv që ka ekipi ynë. Falënderoj trajnerin si dhe lojtarët që më në fund na nderuan duke marrë një fitore të artë dhe tashmë jemi plotësisht të sigurt për ngjitjen në të Dytën. Për sa i përket asaj që ndodhi në fund, është e papranueshme dhe nuk duhej të ndodhte”.

Precedentët
Dhuna në Kategorinë e Tretë është bërë diçka e zakonshme gjatë sezoneve të fundit. Edhe një vit më parë pati disa raste ku u regjistruan përleshje masive mes futbollistëve në takime të ndryshme. Madje, një vit më parë, thuajse çdo javë kishte sherre dhe probleme. Këtë vit, situata ka qenë disi më e qetë, por sërish nuk mungojnë zënkat masive. Edhe një herë, shihet qartë se në këtë ligë është e vështirë që të pretendohet për një garë normale dhe pa probleme./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: