Nga: ARBEN KARAPICI*

Lufta po ushqen edhe më tej luftën, dhe Siria ka kohë që është e shpërbërë. Deri tani, veç një gjë është e sigurt, se paqja siriane është e minuar. Luftës nuk i janë shterur fuqitë, dhe prej rraskapitjes zor se do ndërpritej. Plane ka vetëm për përballimin e fluksit të refugjatëve, edhe këto me risk të madh – siç po duket – për unitetin e Bashkimit Europian.
***
Kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedev tha se Moska “nuk do ta ndalë aksionin ushtarak” në Siri, derisa “qeveria e presidentit Bashar al-Asad të jetë ajo në gjendje të arrijë paqe të favorshme”. Medvedev i ka bërë komentet në një intervistë ekskluzive dhënë revistës “Time”, që është publikuar më 15 shkurt. Kryengritësit kundër qeverisë, të gjithë janë “banditë dhe terroristë”. Dhe, sipas kreut të qeverisë në Rusi, paqja do të vijë në Siri vetëm atëherë, kur Asad të negociojë me forcat rebele “që janë të afta për të arritur një marrëveshje”. “Procesi i paqes në Siri do të ishte i çuditshëm, – tha ai, – nëse nuk përcaktohet e ardhmja e Asadit”. Edhe një plan, që fuqitë botërore kishin rënë dakord për t’u dhënë fund armiqësive në Siri, tani po shihet me shumë dyshim. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama sfidoi vlerësimet e liderëve rusë dhe sirianë, se ata po fitojnë luftën në terren në një vend të “shkatërruar tashmë”. “Përfitimet e Rusisë dhe të Sirisë, megjithatë, janë arritur me çmim të tmerrshëm në jetët e njerëzve dhe zhvendosjen e mijëra sirianëve, pasojë e bombardimit ‘joselektiv’ të Rusisë”, theksoi Obama.

Ndërsa Rusia ka propozuar që ta fillojë më 1 mars armëpushimin në Siri. Nuk të çudit aspak ky propozim i Rusisë, që dëshiron edhe dy javë të tjera kohë “për të vazhduar sulmet ajrore” në Siri. Sipas propozimit, bombardimet ruse duhet të vazhdojnë, që qeveria e diktatorit Asad të rimarrë nën kontroll territore të tjera të rëndësishme, para fillimit të armëpushimit, ashtu si e do Rusia!

Aleanca Atlantike u shpreh ndërkaq me shumë shqetësim ndaj sulmeve ajrore të Rusisë në Siri, shkaku kryesor që ka “minuar” bisedimet e vështira të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit pesëvjeçar. “Sulmet intensive nga ajri të Rusisë, me shënjestër grupet opozitare në Siri, po minojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, në hapjen e mbledhjes së ministrave të Mbrojtjes në Amsterdam. Shefat e mbrojtjes të Aleancës e kanë analizuar me shqetësim situatën e sigurisë në krahun Juglindor të NATO-s, “që vërehet e cenuar” nga rritja e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri dhe me sulmet e pareshtura ajrore të saj në terrenin e një lufte të përgjakshme civile. Rrjedhojë e kësaj lufte ku hyri dhe Rusia, shqetësimi atlantik bëhet më i madh me shkeljet e përsëritura nga avionët rusë të hapësirës ajrore të Turqisë, që është shkelje e hapur ushtarake e hapësirës ajrore të NATO-s. Kjo krijon “rreziqe pasojash të rënda”, paralajmëroi Shtoltenberg në Amsterdam. Shefi politik i NATO-s tërhoqi vëmendjen veçanërisht, se rritja e pranisë ushtarake ruse në Siri dhe në Mesdheun Lindor është duke zhvendosur drejtpeshimin strategjik në këtë rajon. Bëri thirrje për qetësi, ulje të tensionit dhe përpjekje për zgjidhje politike në Siri. Një zhvillim tjetër, shqetësues për këtë rajon në luftë është, se Turqia ka kërkuar krijimin e një “rripi të sigurt” dhjetë kilometra brenda Sirisë gjatë kufirit lindor turk, si një masë parandalimi e përpjekjeve për të ndryshuar “strukturën demografike” të zonës. Deklarata e zëvendëskryeministrit Yalcin Akdogan vjen në kohën kur forcat qeveritare siriane, të mbështetura nga sulmet ajrore ruse, kanë përparuar drejt kufirit turk. Luftëtarët kurdë kanë përfituar nga kjo ofensivë për të marrë nën kontroll territoret e lëna nga grupet e tjera rebele. Veçanërisht të shqetësuara për këtë zhvillim, SHBA-të u kërkuan Rusisë dhe Turqisë “të evitojnë çdo përshkallëzim” në konfliktin sirian, ndërsa Moska dhe Ankaraja janë duke rritur intensitetin e operacioneve të tyre ushtarake në Siri.

“Është e rëndësishme që ato të bisedojnë drejtpërdrejt dhe të marrin të gjitha masat të ndalin përshkallëzimin”, reagoi një zëdhënës i departamentit të Shtetit. Uashingtoni ndodhet në një situatë jo të mirë, duke qenë aleati kryesor i Ankarasë në koalicionin antiterrorist dhe, nga ana tjetër mbështet kurdët e Sirisë, që ushtria turke bombardon. Megjithëse verbale në përshkallëzim mes tyre, Rusia dhe Turqia po rrezikojnë të çojnë në një ndërkombëtarizim në rritje të luftës mes fuqive botërore dhe rajonale. Situata në rajon paraqitet aq e ngarkuar dhe nën tension, sa është vënë në dyshim, nëse bisedimet për paqe do rifillojnë. Negociatat e brishta janë qartas të sabotuara tashmë dhe prognoza e zhvillimeve në Siri ka ndryshuar shumë, edhe më keq me përfshirjen e Rusisë në terren.

Edhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov tha, se Moska nuk do t’i ndalë sulmet e saj ajrore në Siri, derisa t’u shkaktohet disfatë “grupeve terroriste”, – vazhdon t’i quajë ai kryengritësit. “Unë nuk shoh asnjë arsye pse sulmet ajrore të Rusisë duhet të ndalen”, – deklaroi Sergej Lavrov në një konferencë shtypi. Këto zhvillime në përkeqësim e kanë vënë opozitën siriane në një pozitë shumë të vështirë, sepse forcat qeveritare të Asadit po përparojnë shumë në fushëbetejë, duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit për armëpushim. Mohamed Allush, një negociator i opozitës, akuzoi qeverinë se ka vepruar në keqbesim. Sipas tij, “nga situata në fushëbetejë nuk ka ndryshuar asgjë veç përkeqësimit, dhe optimizmi i opozitës nuk mund të vijë kurrsesi për aq kohë sa nuk ndryshon kjo situatë. Sulmet ajrore po na vrasin popullsinë në Siri dhe ajo ka të drejtën e plotë të mos rinisë bisedimet”, nëse qeveria siriane nuk ndërmerr hapa për të treguar dëshirë e mirë për këto negociata. Çfarë parashtron opozita siriane? Ajo nuk po kërkon mrekullinë në këto bisedime, por po kërkon lirinë e munguar, demokracinë e shkelur dhe dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur. Riad Nasan, përfaqësues i opozitës siriane, ka deklaruar se “ata nuk mundet të quhen kriminelë apo terroristë dhe të dënohen për shkak këtyre kërkesave”. Diktatura kërkohet të marrë fund dhe Nasan, dikur një ministër i regjimit i tanishëm Asad është larguar, se “nuk pranoj të vras njerëzit e mi dhe nuk pranoj të ulem në tryezë me kriminelët”. Në shenjë të presionit politik që duket i inskenuar nga Moska, liderët e “opozitës tjetër” kanë thënë, se nuk do kthehen në tryezë “derisa të ndërmerren masat për një fillim normal”. Kjo është gjendja, ndërsa vetëm ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, zoti De Mistura, merr kurajën të thotë se “bisedimet do të rifillojnë”.

Një koalicion grupesh opozitare, që mbështetet nga Arabia Saudite, tha se nuk merr pjesë në negociata, derisa të arrihet marrëveshje me qeverinë e presidentit Bashar al-Asad për të dërguar ndihma në qytetet e rrethuara. Në këto bisedime kanë munguar edhe përfaqësuesit e kurdëve të Sirisë, që kanë nën kontroll pjesën më të madhe të territorit në pjesën veriore të vendit. Bojkotimi i opozitës është bërë pengesë për Kombet e Bashkuara në përpjekjen e saj të parë në dy vite, që të sjellë së bashku në bisedime, përfaqësuesit e qeverisë së Asadit dhe kundërshtarët e tij, për përfundimin e luftës civile pesëvjeçare. Kombet e Bashkuara thanë se nuk do të bënin ftesa për bisedime derisa SHBA-të dhe Rusia, dy fuqitë e mëdha, që po shtyjnë përpara procesin e paqes, të bien dakord se cilët përfaqësues të opozitës siriane do të marrin pjesë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbështesin anët e kundërta në konfliktin sirian. Ndërkaq, Rusia dhe Irani, vende që e mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad, i kanë hedhur poshtë përpjekjet e Arabisë Saudite për të riorganizuar opozitën siriane dhe delegacionin e saj për bisedimet. Arabia Saudite, ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, është kundër presidentit Asad. Këshilli i opozitës siriane, formuar në Riad muajin e kaluar, tha sot se nuk do të ishte i gatshëm për negociata “nëse në bisedime merr pjesë një palë e tretë”. Këshilli u referohej përpjekjeve ruse për të përfshirë grupe të tjera opozitare në këtë proces. Riad Hixhab, i cili kryeson këshillin, akuzoi Rusinë për pengim të procesit të negociatave. Ai tha gjithashtu se “opozita nuk mund të negociojë, ndërsa sirianët vdesin, si pasojë e bllokadave dhe bombardimeve ruse”.

Rusia e kritikon Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë qenë në krye të përpjekjeve për të rrëzuar aleatët e Moskës në Irak dhe në Libi, ku grupet radikale dhe ekstremiste janë shumë aktive. Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri ka shprehur shqetësimin e tij për raportimet “e përfshirjes së Rusisë me ndihma ushtarake në Siri”. Këto shqetësime sekretari Kerri ia shprehu gjatë një bisede telefonike homologut të tij rus, Sergei Lavrov. Mediat në Perëndim kanë shkruar se Rusia ka zbarkuar me personel dhe aeroplanë ushtarakë në Siri. Së fundi, gazeta “Dhë Nju Jork Tajms” citoi zyrtarë të paidentifikuar të administratës amerikane të kenë raportuar se “Rusia ka dërguar ekip të avancuar ushtarak në Siri dhe po ngre njësi banimi për qindra veta në një aeroport sirian dhe një stacion për kontrollin e trafikut ajror”. Njësitë e banimit sugjerojnë, se Rusia mund të vendosë rreth 1000 këshilltarë në aeroportin që i shërben Latakias, qytetit kryesor port të Sirisë.

Raporti thotë se rusët kanë paraqitur kërkesat ushtarake për fluturim nëpër vendet fqinje, ndërsa zyrtarët amerikanë druhen se ata “po sinjalizojnë zgjerimin e mbështetjes ruse” për presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad. Inteligjenca amerikane i ka mbledhur provat ushtarake nga fotot satelitore dhe Uashingtoni, që monitoron nga afër raportet nga terreni, gjykon se veprimet e Rusisë në Siri mund të pengojnë koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të që ata të arrinin zgjidhjen politike për të ardhmen e këtij vendi. Zgjerimi i mbështetjes ushtarake ruse për qeverinë e Asadit në Damask ka ngritur shqetësimet në SHBA, se “Rusia nuk mund të vazhdojë të përforcojë një strategji të dështuar”, siç tha presidenti Barak Obama. Presidenti amerikan iu referua mbështetjes ushtarake ruse nën maskën, se “Rusia ndihmon Sirinë për vetëmbrojtje nga kërcënimet terroriste”. Kurse ministri i Jashtëm, Lavrov ka një mendim krejt tjetër, kur thotë: “Koordinimi ka rëndësi shumë të madhe për të shmangur incidentet. E kemi theksuar këtë gjë, dhe është më mirë vonë se kurrë, thirrja ndaj pjesëtarëve të koalicionit për një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe ushtrinë siriane”.

Rusia, aleate shumë e ngushtë tradicionale, i ka afruar presidentit Asadi, gjatë konfliktit në Siri, mbështetje diplomatike e armë, dhe teknologji ushtarake për forcat qeveritare siriane.
Moska ka dhe një strukturë të gatshme ushtarake në portin sirian Tartus në Mesdhe, ndërsa presidenti rus, Putin është shprehur (për ata që e besojnë), se “do të ishte e parakohshme” të flitej për përfshirjen e Moskës në luftime direkte.

U bënë gati 5 vjet që kur lufta civile në Siri po bën kërdinë. Më shumë se një çerek milioni njerëz kanë humbur jetën. Miliona vetë ndodhen në arrati. Ata kanë përfunduar në Liban, në Turqi, në Jordani, dhe pasi shpresuan gjatë dhe më kot që lufta do të përfundojë, ata kanë ardhur të gjithë në Evropë. Lufta po e ushqen edhe më tej luftën dhe Siria ka kohë që është e shpërbërë. Deri tani, veçse një gjë është shumë e sigurt, se paqja siriane është e minuar, se luftës nuk i janë shterur fuqitë, dhe prej rraskapitjes zor të ndërpritej. Dhe çfarë duhet bërë t’i jepet fund luftës, nuk e di askush. Plane ka vetëm për përballimin e fluksit të refugjatëve, edhe këto me risk shumë të madh – siç duket – për unitetin e Bashkimit Europian.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: