Pasuri të tjera që dyshohen si të përftuara nga aktivitet kriminal janë sekuestruar nga SPAK. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguara nga Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar në datën 20.12.2019, procedimin penal pasuror nr.6, në ngarkim të shtetasve Ardian Doçaj, Astrit Beqiri, etj.

Nga studimi i akteve, rezulton se autoritetet daneze të drejtësisë, kanë kryer një hetim proaktiv ndaj disa shtetasve shqiptarë me banim në Danimarkë dhe jashtë saj, si shtetasi Sokol Krasnici (alias Jetmir Kastrati), A. Doçaj, etj, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që kanë operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Holandë, Suedi, Belgjikë, Shqipëri, etj.

Pas regjistrimit të procedimit penal pasuror, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kreu një hetim financiar dhe pasuror të shtetasit A. Doçaj dhe familjarëve të tij.

Në përfundim të hetimit, bazuar në parashikimet e Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, (Ligji Antimafia) me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.12 datë 04.05.2021 ndërmjet të tjerave ka vendosur:
• Sekuestrimin e një shume prej 4.000 Euro (llogari bankare);
• Sekuestrimin e një njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2 në lagjen “Plazh”, Durrës;
• Sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 122.58 m2 në Tiranë;
• Sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 116.83 m2 në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: