Deputeti demokrat Dashnor Sula, në një reagim në “Facebook” ka thënë lulëzimi i mafies së naftës po kryhet nën hundën e institucioneve ligjzbatuese.

Ai thekson se aktualisht të dhënat kanë treguar se kontrabanda e naftës nuk është ndalur dhe se para drejtësisë janë vendosur thjesht punonjës , kapitenët e anijeve dhe jo porositësit.

REAGIMI:

Lulëzimi i mafies së naftës nën “hundën” e institucioneve ligjzbatuese.

Vetëm pas denoncimeve që bëra në gjysmën e vitit të kaluar, policia e shtetit ka lajmëruar se ka sekuestruar mijëra ton naftë që vinte nga vendet që është vendosur embargo. Megjithatë të dhënat tregojnë se kontrabanda e naftës ka vijuar lulëzimin. Kjo del nga kryqëzimi i informacioneve të INSTAT me të dhënat e qeverisë shqiptare.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se sasitë e shitjes më pakicë të hidrokarbureve u rritën me 4.7% në tremujorin e fundit të vitit 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por në kontrast me këtë të dhënë, Ministria e Financave njofton se importi i naftës u ul me gati 8%. Vlen te theksohet se vendi ynë përdor vetëm naftë importi pasi çfarë nxirret nga vendi ynë eksportohet e gjitha.

Në fakt në të njëjtin trend ka qenë i gjithë viti 2022.

Sipas INSTAT, konsumi i karburanteve ka rezultuar me rritje përgjatë të gjithë tremujorëve të këtij viti.

Importet e karburanteve vitin e kaluar kanë shënuar rënie vjetore me rreth 9 %, por nga ana tjetër të dhënat nga tregtia me pakicë tregojnë sistematikisht se volumet e shitjeve në vitin 2022 kanë qenë sistematikisht me rritje në krahasim me 2021.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se volumet e shitjes me pakicë të hidrokarbureve në tremujorin e parë 2022 pësuan rritje vjetore me 4.2%, në tremujorin e dytë me 5.2%, në tretin me 3.9% dhe në të katërtin me 4.7%.

Mesatarisht shitjet me pakicë janë rritur me rreth 4.5% gjatë vitit 2022, por importet e naftës të raportuara zyrtarisht kanë rënë me rreth 9%.

Kryqëzimi i të dhënave të INSTAT dhe Ministrisë së Financave nxjerrin qartë se aktiviteti i mafies së naftës po lulëzon në Shqipëri, ndërsa organet e drejtësisë dhe doganat duhet të jenë më eficente. Pavarësisht se thonë se kanë kapur disa sasi nafte kontrabandë, shifrat nxjerrin zbuluar se ky aktivitet është në lulëzim. Ndërkohë para drejtësisë vendosen ata që janë thjesht punonjës, (kapitenët e anijeve dhe jo porositësit).

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: