Anëtari i Kryesisë së PD-së Alfred Rushaj, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24”, foli ndër të tjera për paratë e errëta të hedhura në fushatë për të denigruar Bashën.

Rushaj theksoi se më datë 25 prill u vra demokracia, kurse shton se për pushtet kjo qeveri nuk ndalet përpara asgjëje.

“Nuk e mas dot sa ka qenë ndikimi i rrjeteve sociale. Kemi qeveri që kontrollon policinë, SHIK, ushtrinë, krimin e organizuar, i keqpërdor të gjitha dhe financon me para të errëta për fushatë negative ndaj liderit të opozitës. Kjo është shqetësuese, kjo tregon se qeveria nuk ndalet përballë asgjëje. Duhet të kuptojmë se vullneti i shqiptarëve u deformua. Më 25 prill u vra demokracia. Një qeveri që përdor paratë për votat, duke blerë njerëz se nuk kanë mundësi ekonomike, e kjo është çnjerëzore. Kompensimet për tërmetin u bënë në muajin e fundit. Ka pasur njerëz që nuk kanë merituar paratë dhe i kanë marrë, si dhe ka pasur nga ato që i kanë merituar dhe nuk i kanë marrë. Policia është nën kontrollin e qeverisë. Është e qartë se Basha duhet të vazhdojë të mbajë drejtimin e PD-së”, tha Rushaj.

Alfred Rushaj foli edhe për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike, duke thënë se PD bëri betejë më 25 prill dhe nuk është diçka e mirë që të hidhet baltë.

“Mendoj se Basha si kryetar i PD-së, ka përgjegjësinë për të shpjeguar para demokratëve dhe shqiptarëve se cilat ishin problematikat kryesore që kemi denoncuar gjatë gjithë kohës. Ky është detyrim ndaj atyre që na votuan, për të treguar se çfarë ngjau me ata që votuan. Beteja për votën e lirë është betejë për demokracinë. Basha ka qenë në betejë dhe ka konstatuar përfshirjen e krimit, kanë parë paratë e hedhura nga buxheti dhe individë e ndaj po bashkëbisedon me ta problemet që ka hasur në zgjedhjet e fundit. PD po tregon sesi duhet të jetë një garë, që vullneti i atyre që duan ndryshim të realizohet. Kjo është fushatë e secili kandidat shpreh mendimin e tij. Nuk është e drejtë që për shkak të një gare të brendshme, të hedhësh baltë, kjo nuk është e drejtë. PD ka bërë betejë me krimin e qeverinë. Edhe pse Basha e PD nuk kishte pushtet fare, shqiptarët besuan tek Partia Demokratike, por përballuan edhe presione krimi e të korrupsionit”, u shpreh Rushaj.

I pyetur nëse PD do të bashkëpunojë me Ramënm, Rushaj nënvizoi se kjo gjë nuk ndodh, pasi beteja e vërtetë e Partisë Demokratike është për demokracinë në vend.

Jo, nuk e kemi menduar dhe nuk do e mendojmë bashkëpunimin me Ramën. Për të mirën e Shqipërisë, ne po bëjmë luftë për demokracinë. Kjo qeveri ka tjetërsuar votën e lirë. Sa i takon faktit nëse ka demokraci në PD, mendoj se derisa në Partinë Demokratike ka debate për zgjedhjen e kryetarit, tregon se PD është demokratike”, përmbylli Rushaj.

(Balknweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: