Nga: MOIKOM ZEQO
Në 19 mars 1721, pra 295 vite më parë, mbylli sytë Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Vatikanit. Emri i tij, para emrit papal, qe Gjon Françesk Albani. Lindi më 1649, në Urbino të Italisë, në familjen e famshme shqiptare me mbiemrin Albani.
Për këtë Papë është shkruar shumë, miku im Dr. Ëngjëll Sedaj ka botuar një libër të tërë kushtuar Papës Klementi XI, ku flet për biografinë, por sidomos për ndikimin jashtëzakonisht të madh të këtij Pape në çështjen shqiptare, sidomos në organizimin e një ngjarjeje kombëtare të jashtëzakonshme, të quajtur Kuvendi i Arbënit. Gjenealogjia e familjes Albani, në Urbino të Italisë nis me dy refugjatë shqiptarë të quajtur Gjergji dhe Filipi, vëllezër, të bijtë e Mikelit, të ardhur nga Shqipëria në Itali, më 1471, sipas dokumenteve ndoshta edhe më parë më 1464. Të dy vëllezërit qenë luftëtarë të paepur të Gjergj Kastriot Skënderbeut, qenë të strukturuar kombëtarisht, e donin kombin shqiptar dhe kulturën. Dokumentet përmendin dhe anëtarë të familjes Albani, të vendosur në qytetin Bergamo, po në Itali.

Ka mendime, se dega e familjes Albani në Bergamo ka qenë e njohur shumë herët, që në shek. XI. Ata përmenden se “vishnin shpesh uniformat e Maltës”, pra kanë qenë pjesëtarë të Urdhrit shumë të fuqishëm kalorsiak dhe të krishterë, të njohur si “Kalorësit e Maltës”. Ata kishin luftuar kundër saraçenëve dhe kjo traditë malteze ka shërbyer si një metaforë frymëzimi edhe në luftën kundër turqve në shek. XV. Unë, autori i këtyre rreshtave kam pasur rastin para disa viteve të vizitoj qytetin Urbino dhe të shikoj pallatin e familjes Albani, që është një monument historik dhe artistik i klasit të parë, ndërtuar nga Filipi. Disa autorë italianë, si F.Canuti dhe Vittorio Urbano Crilevi – Visconti japin të dhëna shumë interesante për shumë pjesëtarë të famshëm të familjes Albani. Mbiemri më i hershëm i tyre qe Lazi, më vonë e ndruan në Albanesi, ose Albani. Me paraqitjen e emrave të personaliteteve të kësaj familjeje, mund të shkruhej një enciklopedi e vogël. Më 1496 ndërtohet në Urbino Palazzo dei Principi Albani (Pallati i Princërve Arbëreshë). Nga më të famshmit është Anibali 1530-1591, por edhe djali i tij Horaci (1576-1653). Urbino qe një qytet i njohur universitar, gati për tërë Italinë. Horaci është gjyshi i Klementit XI. Horaci u bë Kancelar i Dukës së Urbinos dhe u ftua në Romë nga Papa Urbani VIII, për t’u zgjedhur Senator i Romës. Dr. Sedaj me të drejtë thotë se qe pikërisht Horaci krijuesi i madh “i fatit romak të Albanëve”. Tre djemtë e tij u bënë nëpunës të lartë, Hanibali u bë mbikëqyrës dhe prefekt i bibliotekës së Vatikanit, Malatesta u punësua në armatën pontifikale të Vatikanit, kurse Karli, babai i Klementit XI, u bë mësues i njohur i Dhomës së Karl Barberinit, që ishte kardinal me influencë jashtëzakonisht të madhe në jetën kishtare, por edhe në atë kulturore. Në një farë mënyre kjo gjë përbën strukturën kimike, materiale dhe shpirtërore të formimit të figurës së Papës Klementi XI.
Gjon Françesk Albani, i biri i Karlit dhe i Elenës, u lind në Urbino më 23 korrik 1649. Ai ndoqi në Romë kolegjin romak dhe u thellua në dijet e kulturës greke dhe hebraike. Në 1666 Gjon Françesku përktheu në latinisht një homilie të Shën Sofronit, Patrikut të Jeruzalemit mbi apostujt Shën Pjetri e Shën Pali, që ia dedikon Barberinit. Në këtë kohë Gjon Françesk Albani zbuloi në Abacinë e Grotaferratës, një manuscript të Vasil Porifogjenetit në greqisht, që mendoi se qe zhdukur. Më vonë ai përktheu një punim të Prokopit mbi Shën Markun, shkrimtar i njohur i ungjijve. Ai qe studiues i lindur dhe mblodhi 54 dorëshkrime në greqisht si dhe 76 dorëshkrime në gjuhët orientale, në mesin e të cilave qe edhe Pentateuki (Pesëlibërshi i Moisiut) i variantit Samaritan, që çmohet shumë në shkencë. Gjon Françesk Albani diplomohet në drejtësi, pastaj në filozofi, teologji etj. Në 1677 Albani hyri në Prelaturën Romake, i emëruar nga Papa Inoçenti XI. Qe në atë kohë 28 vjeç. Jetoi ca kohë në vendin e shenjtë Subjaki (afër Romës), ku kish jetuar gjatë Shën Benedikti, patroni i Evropës Perëndimore. Tradita benediktiane kultivoi tek ai zellin dhe kulturën e lartë. Më 1690 Gjon Francesk Albani emërohet kardinal. Në vitin 1700 Konklava e Kardinalëve e zgjodhi Papë me emrin Klementi XI. Ky Papë me origjinë shqiptare dha një kontribut shumë të madh për kulturën e Shqipërisë. Në emrin e tij të Papës, ai deri diku evokonte edhe emrin toponimik të fisit të shquar shqiptar të Kelmendit. Biografi francez i Klementit XI, M. Reboule, ka shkruar shumë për lidhjet e Papës me fatin e kulturën e paraardhësve të tij në Shqipëri. G.Moroni ka shkruar se “Në vitin 1708 Klementi XI origjina e të cilit ishte nga Shqipëria, themeloi një fondacion prej 4000 skudash për studimin e studentëve shqiptarë në Kolegjin Urban të Propogandës Fide. Miqësia e këtij Pape me të mirënjohurin Vinçens Zmajeviç dha një frut unikal kishtar dhe kulturor për Shqipërinë: Kuvendin e Arbënit, më 1703. Kjo përbën një temë shumë të gjerë studimore për ne shqiptarët, edhe për faktin se vendimet e këtij Kuvendi të Arbënit u botuan jo vetëm në latinisht, por edhe në gjuhën shqipe.

Një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kulturore të Shqipërisë në shek. XVIII është organizimi i Kuvendit të Arbrit në fshatin Mërqi të Lezhës më 14 dhe 15 janar të vitit 1703 (e diela e dytë pas Epifanisë, Epifania është më 6 janar – shënimi im M.Z.), nën kryesinë e Vizitatorit Apostolik, Arkipeshkvit të Tivarit Monsinjor Vinçens Zmajeviç. Ky Kuvend qe i një rëndësie të posaçme dhe mund të them fondamentale për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

U mbiquajt si Kuvendi i Arbërit, duke evokuar formën mesjetare të emrit kombëtar të shqiptarëve si arbër dhe të atdheut të tyre si Arbëri. Interesant është që pikërisht në shek. XVIII nis të plazmohet dhe të fitojë një pasaportizim të shprehuri titulli i atdheut si Shqipëri dhe i banorëve të saj si shqiptarë. Megjithatë, kryetoponimi, ose etnikoni Arbëri është më tepër një reflektim i traditës dhe i një madhështie të së kaluarës që nuk duhet harruar asnjëherë.

313 vite më parë subjektet katolike dhe atdhetare shqiptare, vendëse, nën impulsin e madh dhe orientimin busullor të Evropës Perëndimore dhe konkretisht të Vatikanit, patën nismën dhe meritën e pashembullt, që të organizoheshin dhe të sendërtonin një Kuvend, ose siç e quajtën origjinarisht Koncil për problemet kishtare gjuhësore dhe politike të Arbërisë.

Ende nuk është ndriçuar siç duhet fakti se si nisi kjo veprimtari e jashtëzakonshme dhe e pashembullt për kohën. Kjo veprimtari mund të dimensionohet në dy koordinata: nga thelbi burimor i Shqipërisë, nga gjendja e saj e emergjencës, por edhe e shpresës, por edhe nga interesi strategjik i katolicizmit vatikanas, europerëndimor për të ashtuquajturën lindje bizantino-adriatikase, por edhe katoliko-shqiptare. Shqipëria në atë kohë qe nën sundimin drastik otoman. Pse u zgjodh pikërisht fshati Mërqi pranë Lezhës? Pse pikërisht ky vend dhe jo ndonjë vend tjetër?

A ka të bëjë zgjedhja e këtij vendi historik me revokimin e mrekullueshëm dhe të paharruar të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriot Skënderbeut, që mbylli sytë pikërisht në Lezhë? A ka të bëjë ky fakt edhe me qerthullin katolik të mirëfilltë të krishterimit katolik pikërisht në Lezhë, ku është një pikë nyjëtore, ndërlidhëse edhe midis zonave të tjera të praktikimit të dyfishtë katolik dhe ortodoks, por edhe të myslimanizmit si një konvertim i detyruar i pushtuesit?

Si u bë lajmërimi i subjekteve shqiptare për këtë Kuvend, si shkuan aty, çfarë sakrifikuan dhe çfarë frymëzimi të madh patën etj.? Shumë të dhëna mësojmë nga dokumentet e shkruara nga monsinjor Vinçens Zmajeviçi rreth organizimit të Kuvendit të Arbrit. Pasi ka bërë një vizitë pastorale në Shqipëri, Zmajeviçi në sintoni të plotë dhe mirëkuptim konstruktiv me Papën e Romës që ishte shqiptar Klementi XI, i mbiquajtur Albani shkruan: “Si u bë përpilimi i listës së çështjeve kryesore, u shpall sinodi me një letër qarkulluese, u ftuan arkipeshkvinjtë, u thirrën ipeshkëvinjtë sufraganë për të dielën e dytë pas Epifanisë në kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në Mërqi të Lezhës, vendi më i përshtatshëm nga të gjithë të tjerët, pasi u shpërndanë veçmas çdo prelati, materialet lidhur me realitetin e shpërdorimeve, vetjake dhe të përgjithshme, pikërisht dy ditë para celebrimit të Koncilit, u përpiluan paraprakisht dekretet, duke pasur pëlqimin e të gjithëve në vendin dhe në datën e caktuar”.
Në këtë kohë ipeshkvi i Lezhës qe Nikollë Vladani. Për Vladanin, Zmajeviçi thotë se “ai qe më i afti dhe inteligjenti se epishkëvinjtë e tjerë, por nga të gjithë ata qe më pak i zellshëm në detyrën baritore, cilësitë e tij vetjake ranë në sy posaçërisht kur u diskutua mbi kapitullin që ka të bëjë me ipeshkëvitë, duke pasur të gjithë disa mangësi, ai këto të meta i trajtonte si të lejueshme”.
Ky karakterizim i Zmajeviçit është tepër interesant dhe një vërejtje e hollë. Kjo do të thotë se Vatikani kishte vërejtje kanonike në substancë për klerikët shqiptarë. Si ekzaminues i realitetit kishtar shqiptar Zmajeviçi shkruan: “Injoranca e Klerit është rrënimi i popullit, klerikët vihen në provë në Shqipërinë e varfër”.

Me celebrimin e Koncilit, Vizitatori ka rregulluar përgjithësisht aq sa ka pasur mundësi dhe aq sa ka ditur dhe meqë pak kuptohet gjuha latine, e ka përkthyer në gjuhën shqipe për t’u ardhur në ndihmë injorantëve. “Ekziston një dokumentacion i gjerë i Zmajeviçit me autoritetet e Vatikanit për përkthimin e akteve të Kuvendit të Arbrit. Ribotimi i akteve të vitit 1703 u bë më 1706 dhe më vonë më 1868 në tipografinë e Kongregacionit të shenjtë të Propagandës Fide. Ajo që është e meritueshme të vihet në dukje është botimi në dy gjuhë i kateve në latinisht dhe në shqip.
Përpilimi i një veprimtarie sinodale shqiptare 300 vite më parë në formën e një libri është i një rëndësie kolosale për kulturën tonë.

Miku im i ndjerë, Patër Vinçens Malaj ka bërë si vepër të jetës librin “Kuvendi i Arbrit” si dizertacion doktorature. Kjo vepër e shumanshme, historike, filologjike dhe teologjike është një model analize. Malaj jep një larmi të pafund të dhënash, që e plotësojnë duke e semantizuar lart aktin e Kuvendit të Arbrit. Mund të them që është nga librat më të plotë dhe të thellë për këtë temë.
Një tjetër libër i rëndësishëm në rrafshin filologjik për shqipen e shek. XVIII të përdorur në aktet e Kuvendit të Arbrit është ajo e Rexhep Smajlit, ish-kryetar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Do të thosha që edhe ky libër është një model në llojin e vet.
Një libër i tretë, gjithashtu i frytshëm është botuar nga latinisti tepër i njohur Ëngjëll Sejdaj dhe titullohet “Papa Shqiptar Klementi XI – Albani dhe Kuvendi i Arbrit” në këtë libër kemi dhe riprodhimin e tekstit autentik shqip të Kuvendit të Arbrit më 1703.
Çfarë përmban në substancë ky libër në shqip.
Libri prej 109 faqesh është i ndarë në 4 pjesë dhe 37 kapituj. Aty flitet për besimtarët, për detyrat e tyre morale dhe atdhetare, për prakticitetin e jetës fetare, që ishte një vlerë e madhe për ruajtjen e zakoneve të mira shqiptare, për përgatitjen më të lartë të klerikëve, flitet për shkollat shqip të Kurbinit dhe të Lezhës, për studentët shqiptarë në Kolegjin e Propagandës Fide, flitet për ushtrimin e fesë, për apostatët e fesë katolike, kriptokatolikët, dallimin e besimtarëve nga jobesimtarët, për të kremtet kishtare, agjërimin, kreshmat, kungimin, pagëzimin, rrëfimin, martesën, pajisjet e shenjta, kufijtë e ipeshkëvijve shqiptarë, varrezat, të ardhurat e famullitarëve etj.
Pra, problemet janë në tri rrafshe. Në rrafshin kanonik kishtar, doktrinor, në rrafshin organizativ ekonomik dhe pragmatist, në rrafshin arsimor dhe politik të kombit shqiptar.
Libri “Kuvendi i Arbrit” ka një autorësi kolektive. Por, kryesor për konceptimin e akteve qe arkipeshkvi i Tivarit, Zmajeviçi, kurse vulën përfundimtare e dha Papa shqiptar Klementi XI. Është arritur në identifikimin e autorëve të përkthimit të akteve nga latinisht në shqip, çuditërisht është një i huaj i quajtur At Egidio Qinto d’Armento, misionar papënor në Shqipëri, me seli në Grudë, ndërsa si qortues i tekstit dhe konfirmues në gjuhën shqipe qe i famshmi At Françesk Maria Da Leçe. Tekstet e dyfishta në latinisht dhe shqip tashmë janë pronë e shkencës. Është momenti që në këtë 313-vjetor të theksohen në substancë në formën e një rikonceptimi meritat e mëdha historike të Kuvendit të Arbrit.
Duke reflektuar thellë dhe duke pasur parasysh raportet historike dhe problemet e vërteta të kombit shqiptar në fillim të shek. XVIII, mund të thuhet se rëndësia e Kuvendit të Arbrit është absolutisht nga më të rëndësishmet në historinë kombëtare shqiptare.
Së pari, Kuvendi i Arbrit është një veprimtari sa kombëtare aq ndërkombëtare, një nga ngjarjet më të mëdha ballkanike, është konkretisht reagimi strategjik i Evropës Perëndimore ndaj Shqipërisë, një sintagmë ndërlidhjeje e pandarë e Shqipërisë si një vend thelbësisht evropian me Evropën e papushtuar nga osmanët. Ky pranim zyrtar i katolicizmit evropian dhe botëror për statusin e Shqipërisë është tepër i guximshëm dhe shumë ambicioz.
Së dyti, Kuvendi i Arbrit kërkon ta parandalojë apokalipsin e rrënimit dhe shkatërrimit kulturor të shqiptarëve për të ringjallur situatën skënderbejane para pushtimit. Dukuritë e Apostazisë, të kriptokrishterimit, gabimet e mëdha kanonike të klerikëve shqiptarë përbëjnë sindromën tipike teologjike të Vatikanit për të ndërhyrë.
Për historinë kishtare të krishterimit, Kuvendi i Arbrit është një jehonë e Koncileve të Trentit kundër reformës së shek. XVI, që plazmoi dhe figurën gjeniale të Gjon Buzukut.
Së treti, Kuvendi i Arbrit duke botuar librin e akteve në gjuhën shqipe ka paralajmëruar Rilindjen Kombëtare Shqiptare në një farë mënyrë më shumë përpara se sa Naum Veqilharxhi dhe Naim Frashëri. A nuk qe një moto e madhe e rilindësve tanë gjuha shqipe dhe arsimimi në shqip? A nuk flet shkëlqyeshëm në këtë pikë për shqipen dhe shkollat shqipe Kuvendi i Arbrit?
Së katërti, libri në shqip i Kuvendit të Arbrit është një libër i shkëlqyer i prozës teologjike, sinodale, terminologjike dhe politike në gjuhën e mirëfilltë shqipe, pra një nga monumentet më të mëdha historikë të shqipes së shkruar.
Treqind e ca vite më parë, Kuvendi i Arbrit krijoi një pikë kulmore të historisë. Treqind vite më pas ne duhet të dimë ta vlerësojmë siç duhet këtë ngjarje stacionale.
Vlerësimi nuk ka të bëjë aq me vlerësimet apologjike se sa me një optikë konceptuale absolutisht të domosdoshme.
Çdo të thotë në fund të fundit Kuvendi i Arbrit për ne?
Kuvendi i Arbrit është një veprimtari tepër e rëndësishme, që ka një status të ndryshëm nga Shqipëria e robëruar nga osmanët, është në antagonizëm me pushtimin dhe me kulturën e pushtuesit. Duket se shqiptarët në Kuvendin e Arbrit krijojnë një Shqipëri shpirtërore parashtetërore, të pavarur, sikur të mos ekzistonte fare pushtimi osman. Vetëm 209 vite më vonë Ismail Qemali do të ngrinte flamurin e pavarësisë në Vlorë. Por, pjesëmarrësit e Kuvendit të Arbrit në Mërqi të Lezhës ishin po aq të lirë dhe aq të pavarur saç ishin shqiptarët pas aktit të 28 nëntorit 1912.
Mundet që kjo ishte një pavarësi relative, por megjithatë ishte një pavarësi strategjike dhe një pavarësi e sigurt. Amen!
Tradita shqiptare e formësimit të Papës Klementi XI, në të vërtetë është shumë e hershme.
Në shumë libra të karakterit historik flitet edhe për një Papë më të hershëm, të njohur me emrin Papa Eleuteri.
Në librin e tretë, të botuar me emrin e Marin Barletit, me sa duket nga Engjëllorët, më 1555, vepër kjo e postume, në faqen 51 flitet për Papën Eleuteri nga Nikopoja, i quajtur si Papa XIV, i Pontifikatit të Romës. Në një kodër të Vatikanit pranë varrit të Apostullit Pjetër, më ka qëlluar të vizitoj edhe varrin e Shën Eleuterit. Ka lindur në Nikopojë të Epirit (në Prevezë të Çamërisë). Që herët u dha pas jetës kishtare dhe asketike. Më 179-180 u vendos në Romë në funksionin e Dhjakut pranë Papës Aniket.
Në vitin 182, gjatë kohës së mbretërimit të perandorëve romakë Mark Aureli, Antonini dhe Komodi, Shën Eleuteri qe zgjedhur Papë. Ai e kreu me përkushtim detyrën e tij të rangut botëror. Në fillim përveç 12 meshtarëve dhe 8 dhjakëve, u dha tituj edhe 15 peshkopëve të vendeve të ndryshme.
Shën Eleuteri e ktheu vëmendjen e tij edhe nga ishujt britanikë. Eleuteri i shkroi një letër mbretit të Britanisë së Madhe, ku i shfaq dëshirën e tij patënore, që mbreti britanik së bashku me familjen e tij të konvertohej në fenë katolike. Ky Papë bëri gjithçka për përhapjen e krishterimit, për forcimin e traditave apostolike dhe për botimin e ligjeve më të mira për gjyqet kishtare.
Ruhet një dekret i Eleuterit kundër bestytnive të hebrenjve dhe manikjve, të cilët ngulnin këmbë për të mos e ngrënë mishin e shtazëve, në këtë dekret Papa Eleuteri urdhëronte që asnjë i krishterë të mos binte pre e bestytnive dhe të mos linte pa ngrënë ushqimet e zakonshme, që Zoti kishte krijuar. Po citoj në latinisht: “Firmavit ut nulla esca usualis a christianis repudiareta, maximo fidelibus quesca Deus creavit, quae tamen rationalis et humana est”.
Dua të kumtoj këtu një zbulim të veçantë. Në Kapelën Sikstina, me afresket e mrekullueshme të Mikelanxhelo Bonarotit është pikëzuar edhe portreti i Papës Shën Eleuteri.
Po bëj përshkrimin e këtij afresku të jashtëzakonshëm.
Papa Eleuteri është paraqitur në profil me një mjekër të gjatë, i ulur në një fron dhe mban në duar një libër të madh. Në shpinën e tij janë dy engjëj fëmijë, që shohin të njëjtin libër. Kompozimi i figurës së Eleuterit është i kthyer nga ana e majtë dhe tërë kompozimi është futur brenda dy shtyllave, që kanë sipër një lloj arkitrau. Në të dyja shtyllat monumentale ka nga dy figura secila shtyllë, të fëmijëve nudo, që evokojnë fëmijët e tipit Erosi. Në këtë mënyrë, Papa Eleuteri duket sikur është një skulpturë brenda një kapele të vogël. Dihet që figurat e pikturuara afreskore të Mikelanxhelos imitojnë skulpturat e tij, sipas parimit të artit rilindës, ku paraqitet bukuria anatomike dhe fuqia antropologjike e artit.
Eleuteri nga Preveza ka qenë, sipas të nderuarit Zef Valentini, me origjinë shqiptare. Në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” botuar në Shkodër në maj të vitit 1994, fq. 73, 74, është botuar një studim pikërisht për Shën Eleuterin, që del kështu Papa i Parë me origjinë shqiptare që në shek. II pas Krishtit. Ky Papë është i vetmi Papë i pikturuar në një nga kryeveprat më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave. Meriton që ky Papë të njihet dhe të futet edhe në analet e krishterimit shqiptar, dhe pse jo edhe të bëhet një riprodhim i pikturës së famshme të Buonarotit, ndoshta edhe në Muzeun Historik Kombëtar, ose si afresk në ndonjë nga kishat e Shqipërisë. Amen!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: