Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut është mbledhur ditën e sotme për të diskutuar ndryshimet në disa projektligje, midis tyre edhe atë “për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Por vëmendja në komision nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi është zhvendosur tek çështja e Majorit Ermal Dinoshi me detyrë specialist stërvitje, i cili ishte dërguar për stërvitje në një bazë të NATO-s në Holandë, por u arrestua nga autoritetet atje duke i shërbyer një ferme të kanabisit.
Bardhi shtroi disa pyetje për përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes të pranishëm në komision, duke nënvizuar se ka dështuar ky dikaster dhe Shërbimi Informativ Ushtarak.

“Përveç detyrës së tij si ushtarak, pasi mbaronte punën dhe hiqte veshjen ushtarake ishte i angazhuar në veprimtari kriminale të trafikut të drogës. I arrestuar. Zonja kryetare nëse ju nuk e keni ndjekur, duhet të merrni informacione se i be që i gjithë zinxhiri i Ministrisë së Mbrojtjes ka dështuar. Ne kemi çuar një ushtarak të lartë, por që është arrestuar nga policia holandeze. Ka pasur një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes që i bën thirrje ushtarakut të kthehet në atdhe, por ai është në burg se është arrestuar se ishte administrator i një shtëpie bari”, konstatoi Bardhi.

Ndërkohë përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes u mbrojtën duke thënë se përgjegjësia për ngjarjen në fjalë është personale, ndërsa do të ndërmerren hapa ligjorë kundër Majorit të arrestuar.

DISKUTIMET:

Gazmend Bardhi: A ka pasur Ministria e Mbrojtjes informacion për aktivitetin e këtij ushtaraku të lartë? Çfarë veprimesh ka bërë Shërbimi Informativ Ushtarak? A keni informacione të zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë për përfshirje në veprimtari kriminale? Si ndikon kjo në marrëdhëniet tona me NATO-n?
A është cënuar siguria kombëtare e shtetit shqiptar dhe pastaj mund të dalim se çfarë veprimesh do bëjë policia e reformuar ushtarake që ju po ngrini kur ai të kthehet në atdhe?
Ju keni Shërbim Informativ Ushtarak, keni 3 komanda dhe çoni zyrtarë të lartë atje në Holandë që paradite shërbejnë në NATO dhe pasdite heqin veshjen për t’i shërbyer shtëpisë së barit.

Klotilda Bushka: I paskeni lexuar të gjitha gazetat zoti Bardhi. Rendi i ditës është në diskutimin e ligjit për policinë ushtarake dhe kjo çfarë lidhje ka me këtë zoti Bardhi.

Përfaqësuesja e MM: Forcat e Armatosura nuk mund të përfaqësohen me një person të vetëm, do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore dhe përgjegjësia është personale.

Gazmend Bardhi: Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri. Ministria duhet të kryejë hetime pro aktive që të mos çojmë këta ushtarakë që ruajnë shtëpi bari në bazat e NATO-s. Ka dështuar Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, policia ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë.

Klotilda Bushka: S’kemi pse diskutojmë çështje që si përkasin rendit të ditës.

Pandeli Majko: Zoti Gazi i shërben atij brezi që nuk e ka shërbyer ligjin e detyrimit ushtarak ndaj nuk e njeh mirë strukturën. S’kemi të bëjmë me ngjarje që prek të gjitha strukturat e ushtrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb