TIRANË

Ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beçi deklaroi sot në “Open” në News24 se vendimi për shkarkimin e Gledis Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është politik. Ai shpjegoi se pse ky shkarkim përbën një paradoks ligjor dhe e lidh policinë që duhet të jetë e depolitizuar me maxhorancën dhe politikën.

Armand Bajrami, gazetar: I është kërkuar të japë dorëheqjen, nuk ka pranuar dhe kjo është pasuar me një vendimmarrje të qeverisë. Kjo mund të jetë patjetër dhe një nga pikat e tjera që e bëri më të shpejtë shkarkimin e tij. Mosbindja e Gledis Nanos ndaj ministrit të brendshëm dhe direktivave të qeverisë.

Ermal Vija, gazetar: Kjo nuk do kuptohet asnjëherë, ne nuk do ta marrim vesh asnjëherë i është kërkuar dorëheqja, ka pasur ndonjë motivacion sa i përket mënyrës si do largohej Gledis Nanos. .Ajo që kemi zyrtarisht, në komunikimin zyrtar të ministrit Çuçi, ai nuk ka realizuar objektivat.

Beçi: Këtu fillon dhe paradoksi ligjor sepse gjithçka ka lidhje me ligjin. Të dalësh dhe të thuash se shkarkova drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kur ka 10 vjet që nuk quhet më drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të thotë që nuk konsultohesh shumë mirë me ligjin dhe mbi të gjitha të dalësh dhe të nxjerrësh idenë që mund të ketë dorëheqje…në rast se do kishte dorëheqje a do kishte përmbushje objektivash? Kjo është dhe pyetja që duhet të bëjnë gazetarët. Ditën e hënë që doli ideja e dorëheqjes së tij.

Sikur të kishte ndodhur dorëheqja do kishte një relacion nga ana e Ministrisë së Brendshme që do të shoqëronte vendimin e këshillit të ministrave për mungesë të realizimit të objektivave. E gjitha kjo duhet parë në kuadrin e asaj çfarë i është referuar, çfarë është informuar, asaj çfarë është shkruar.

Kemi të bëjmë me heqjen e një drejtorit të policisë së shtetit në bazë të ligjit, në bazë të nenit 15, pika 2, germa b, ku thuhet mospërmbushje e objektivave. këtu fillojmë dhe me problemin e përgjithshëm të policisë së shtetit, problemin e kësaj pike të nenit 15 të ligjit për policinë e shtetit. Ky nen është pothuajse antikushtetues. Të thuash që do shkarkosh drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit për mospërmbushje të objektivave dhe rezultate në punë është më shumë se subjektive. Kjo e ngarkon tërë organizatën e Policisë së Shtetit me një lidhje organike me maxhorancën dhe politikën, duke mos pretenduar kurrë më depolitizim. Në bazë të kësaj pike, të këtij neni që citova, çdo drejtor i Policisë së Shtetit është i anatemuar dhe është i gatshëm për t’u larguar menjëherë nga policia nëpërmjet kësaj strukture.

Ky nen bie ndesh me frymën e ligjit të policisë së Shtetit, është neni 5 i ligjit të Policisë së Shtetit ku thuhet shprehimisht që policia e shtetit është e depolitizuar, është e pavarur operacionalisht në përmbushje të misionit të saj në të të tëra format që e përjashtojnë nga politika. Në rast se politika nuk ndërhyn atëherë neni 15 nuk duhet të ishte në këtë formë sepse propozimi që bën ministri i Brendshëm ndaj kryeministrit për të shkarkuar drejtorin e policisë së shtetit është një propozim tej e tej politik, jo vetëm në rezultate, por edhe në konkluzionin sepse ne duhet të shohim si publik ku janë këto objektiva që nuk janë përmbushur, cilat janë këto objektiva të përcjella nga lidershipi politik në policinë e shtetit dhe që nuk janë përmbushur. Kjo ishte pjesa e përgjithshme.

Në pjesën individuale të shkarkosh drejtorin e policisë së Shtetit në 10 muaj, brenda 10 muajve janë hequr dy drejtorë policie nga një drejtues politik sepse brenda këtyre 10 muajve kemi dhe dorëheqjen e një drejtori të parë dhe më pas shkarkimin e drejtorit tjetër të policisë. Vetë analizat nuk bëhen 10 mujore, por 1-vjeçare.

Është i rrezikuar çdo drejtor policie me atë nen. Është shumë subjektive të thuash ke rezultate, s’ke rezultate. Për mua kjo është çështje politike, mospërmbushje e rezultateve të pritshme politike. Nga një drejtues policie që është i aftë, nga një drejtues policie që është i aftë të menaxhojë; unë kam punuar disa vite rresht me të si oficer policie dhe më pas drejtor i antiterrorist dhe ka pasur rezultate të jashtëzakonshme për Shqipërinë, jo vetëm policinë e shtetit dhe të thuash që nuk janë përmbushur rezultatet duke mos dhënë asnjë rezultat do të thotë që ka një përplasje më të madhe, qoftë dhe politike, qoftë dhe brenda operacionale për të realizuar ato detyra që duhet të ishin më të përmbushura. Vendim politik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb