NGA: XHENSILA KODRA
Historia e mëposht me është një ngjar je banale Shqipërie: Një mjek i dënuar me burg figuron me dëshmi penaliteti të pastër. Kështu, ai mund të vazhdojë punën, megjithëse ka penalizim 3 vjet nga gjykata për mjekim të pakujdesshëm, pas vdekjes së një vajze 7-vjeçe. Pasi i ati i fëmijës denoncoi rastin në “GSH”, institucionet e shtetit “u kujtuan” për dënimin e mjekut, duke ngritur alibinë: Ishte keqkuptim, dënimi nuk ishte hedhur në sistem.

HISTORIA
Një muaj më parë “Gazeta Shqiptare” denoncoi rastin se mjeku Faik Pashollari, i cili është akuzuar për “Mjekim të pakujdesshëm” dhe i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë me 1 vit burg dhe 3 vite mosushtrim të detyrës, vijon të jetë ende në punë. Këtë fakt e pohoi për gazetën babai i vajzës 7-vjeçare, Hekuran Beollari, i cili theksoi gjatë intervistës se, “edhe pse ka një vendim që ai mjek të mos ushtrojë detyrën për 3 vite, ai është në punë”. Menjëherë pas kësaj dëshmie, “GSH” vërtetoi se mjeku Pashollari vijonte punën në institucionin e shtetit, pasi ka përfituar një dëshmi penaliteti të pastër, kjo për faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk kishte në sistem vendimin e Gjykatës së Apelit, Gjirokastër, si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë, vendim i formës së prerë. Pas interesimit të gazetës, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u interesua për vendimet e gjykatave përkatëse dhe menjëherë pas kësaj, dëshmia e tij nuk rezulton më e pastër, por i dënuar. Ky fakt u bë me dije pranë burimeve zyrtare të këtij institucioni, të cilat theksuan se tashmë në sistem ndodhet vendimi i Gjykatës së Apelit, Gjirokastër dhe vendimi i Gjykatës së Lartë, ku rezulton se mjeku është i dënuar me 1 vit burg dhe 3 vite mosushtrim detyre, pas përfundimit të dënimit.

DËSHMIA E PENALITETIT
“GSH” disponon edhe kopjen e dëshmisë së penalitetit, ku mjeku rezulton i dënuar. Në këtë dokument shkruhet: “Në zbatim të nenit 484 të Kodit të Procedurës Penale, të Republikës së Shqipërisë, nga verifikimet që iu bënë shënimeve në regjistrin gjyqësor pranë kësaj ministrie rezulton se shtetasi Faik Pashollari, në bazë të vendimit nr. 23 datë 10.04.2014, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet e ka vendosur deklarimin fajtor për veprën penale të ‘Mjekimi i pakujdesshëm’ parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal e dënon me 1 (një) vit burgim. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullohet vendimi me burgim dhe vënien në provë për një periudhë kohore prej 18 (tetëmbëdhjetë) muajsh.

Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendim nr. 163/572, datë 17.07.2014 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 23 datë 10.04.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet sa i përket fajësisë, cilësimit juridik të veprës penale, dënimit kryesor. Ndryshimin e vendimit për pjesën tjetër si më poshtë: Mosaplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, në aplikim të nenin 35/2 të Kodit Penal hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 3 (tri) vite pas vuajtjes së dënimit me burgim. Gjykata e Lartë me vendimin nr. 00-2015-1084 (89), datë 27.05.2015 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 163/572, datë 17.07.2014 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: