Sondazhi i katërt kombëtar i “Noto sondaggio”, kompania italiane që mban emrin e të mirënjohurit Antonio Noto, konfirmoi mbrëmë në televizionin “Ora News” një tendencë që vihet re në shumicën e sondazheve të tjera që janë bërë e bëhen për zgjedhjet e 25 prillit. Tendenca është rritja e Partisë Demokratike nga java në javë. Është e vetmja që rritet në fakt. Sipas projeksioneve të zotit Noto, nëse do të votohej në datë 5 prill, PD dhe aleatët e saj të listës unike do të merrnin 42-46 për qind të votave, PS 44-48 për qind, LSI 6-10 për qind, partitë e tjera midis 1 dhe katër përqindëshit. Hapësira e gabimit jepet deri në 3 për qind. PD plus LSI janë sërish përpara partisë në pushtet në shumoren e proporcionalit kombëtar- një e dhënë stabël e këtij sondazhi që prej fillimit. Po të mbajnë parasysh marzhin e gabimit të shprehur edhe në “llastikun” e përqindjeve minimale e maksimale të secilës parti, variablat e rezultatit e lënë ende hapur emrin e fituesit të zgjedhjeve.

Zgjedhjet, në fakt, kanë gjithnjë enigmën e tyre të kutisë së fshehtë. Prandaj intrigojnë. Ndryshe do të zëvendësoheshin me sondazhe. Por çdo gjë në vendin e vet. Sondazhet e ndriçojnë dhe e galvanizojnë pozitivisht mjedisin zgjedhor. Janë shumë të dobishme për partitë. Krerët e tyre, sipas një shprehjeje të njohur, duhet të provojnë t’i ndryshojnë e jo t’i kontestojnë. Le të kujtojmë këtu se zoti Antonio Noto e ka gjetur disa herë rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai referohet gjerësisht në Itali.

Rritja e vazhdueshme e PD-së është e dhëna më domethënëse e sondazheve të tij për këto zgjedhje. Në këtë moment, ajo ka kaluar tavanin e vitit 2013 kur me të njëjtin sistem elektoral dhe me një koalicion të ngjashëm pat marrë afërsisht 40 për qind të votave. Nëse referojmë shifrën maksimale 46 për qind të “llastikut” të lartpërmendur, PD me listën e saj është që tani, dy javë e gjysmë para zgjedhjeve, afër barazimit të rekordit të saj të vitit 2009 kur duke qenë në pushtet pas një katërvjeçari nga më të suksesshmit, mori rreth dyzet e shtatë për qind të votave.

Krahasimi me vitin 2017 nuk ka vlerë të bëhet. PD hyri në ato zgjedhje në minutën e fundit, duke pas krijuar shumë firo, hallakatje e keqkuptime elektorale me ngulimin e saj disamujor për të mos marrë pjesë në to. Dhe, kryesorja, zgjedhjet e vitit 2017 janë “simotra” me zgjedhjet e vitit 1996 dhe vitit 2001 sa i takon damkosjes nga manipulimet në dëm të partisë me të madhe të opozitës.

Kësaj radhe shihet qartë se shumica e votuesve të saj të hallakatur po kthehen në shtëpi. Rritja e saj ngjan të jetë trendi që do ta shoqërojë deri në fund garën e këtyre zgjedhjeve. Një trend që rikthen ndeshjen kokë me kokë mes dy partive të mëdha, ku PD është në sulm, kurse PS në mbrojtje. Falë kësaj tendence në favor si dhe falë sjelljes së elektoratit të pavendosur, parakalimi i PDsë ndaj PS-së duket plotësisht i mundur në kohën e mbetur të fushatës. Blloku i të pavendosurve ka nisur të shkërmoqet. Po të shikojmë sondazhin e fundit të zotit Noto, nga njëzet e pesë për qind që ishte para dy javësh, ka rënë në njëzet e dy për qind. Sa më shumë afron dita e zgjedhjeve, aq më të mëdha janë gjasat që zgjedhësit e këtij grupimi të tërhiqen nga magnetizmi i shumicës që ka vendosur të votojë. Siç e kemi argumentuar në një shkrim të mëparshëm, nëse e zgjidhin dilemën, ata janë më të pritur të votojnë PD dhe partitë e tjera opozitare. Pushteti ka pasur kohë tetë vjet t’i marrë ata që duan ta votojnë.

Si bëhen për vete të pavendosurit, që mund t’i quajmnë ndryshe elektorati gri?

Ky është ushtrimi kyç nga zgjidhja e suksesshme dhe praktike e të cilit del fituesi i zgjedhjeve të 25 prillit. Bindja ime ka qenë dhe është se në tërësi votuesit e elektoratit gri vlerësojnë ofertën konkrete dhe stilin e fushatës. Sikurse në letërsi edhe art, edhe në politikë stili është njeriu, autori, lideri. Ektremizmat, populizmi dhe klasi që lë për të dëshiruar vështirë se i motivon ata. Përndryshe, pse do të ishin të pavendosur? Sidoqoftë, çdo parti ka strategjinë si t’u qaset e t’i bëje për vete. Ata janë rezerva e madhe e tyre për t’u rritur. Në këtë moment, sa u takon partive të opozitës, rritja e secilës, e PD-së, e LSIsë dhe partive të tjera në opozitë me PS është kushti për të fituar e realizuar rrotacionin e pushtetit. Ndërkohë, barazimi dhe parakalimi i PS-së nga PD, e vetmja që mund ta arrijë këtë, ka marrë një rëndësi të shtuar edhe për shkak të efekteve që ka në llogaritjen e mandatave ndryshimi i njëanshëm kushtetues i formulës së koalicioneve nga shumica. Sipas shumë ekspertëve të fushës, Partia e parë e vetme mund të marrë dy-tri mandate më shumë falë formulës. Rama i ka varur shpresat për fituar te kjo formulë. Prandaj e bëri. (Natyrisht, një fitore thjesht prej formulës e jo prej votave do të ishte vulnerabël për Ramën dhe PS, por nuk është sot rasti për të folur për këtë). Ka ndodhur shpesh që ndryshimet arbitrare të ligjeve zgjedhore u janë kthyer në bumerang atyre që i kanë imponuar. Rasti më i freskët do të ishte që dytri mandatet e formulës t’i merrte PD me koalicionin e saj./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb