Kriza energjetike është një fenomen i paralajmëruar nga liderët botërorë.

Nga kjo krizë, pritet të preket edhe Shqipëria. Këtë e konfirmoi edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili në një konferencë për mediat, paralajmëroi rritjen e çmimeve. Për të folur rreth kësaj tematike, në studion e emisionit “FrontLine”“News 24”, ishte i ftuar eksperti i ekonomisë Pano Sako. Ai tha se kriza energjetike globale pritet të jetë e përkohshme dhe jo me efekte afatgjata.

Për ta përballuar këtë, sipas ekspertit duhet të futej në lojë prodhimi vendas. Mirëpo sipas tij, ky prodhim është i pakët për shkak të keqmenaxhimit të bërë nga qeveria.

“Po ndodh një fenomen që quhet I pass. Duke qenë se regjimi i produkteve, fabrikat, regjimet e furnitorëve, ishin mësuar me një ritëm të caktuar, të vendosur nga pandemia, me një ekonomi të mbyllur, në momentin që Evropa vendosi të dilte totalisht nga pandemia dhe masat frenuese, këtu pati një ngërç. Kjo sepse kompanitë nuk ishin përgatitur për të përballuar kërkesën. U rrit kërkesa për produkte dhe shërbime. Në këtë moment kemi pjesën e ofertës, ndërkohë që kërkesa është e menjëhershme. Këto janë situatat e zakonshme në ekonomi quhen I passe.

I gjithë ky moment, ku ka shumë kërkesa dhe pak oferta, kjo sjell një anomali në treg që reflekton me rritje çmimesh të përkohshme. Këto momente s’janë krizë. Këto ishin të parashikuara. Në momente të tilla reflektohen me rritje çmimesh të përkohshme. Spekullantët në një ekonomi përpiqen të përfitojnë nga momenti, duke parë që ka mungesë produktesh ata rrisin çmimet. Në momentin që oferta rritet, ata ulin çmimet. Ky është momenti që kalon ekonomia botërore.

Në ekonominë tonë është reflektuar me rritjen e çmimeve. Çmimet janë rritur prej muajsh, është rritur vaji, mielli, sheqeri, si dhe është rritur pjesa industriale. Sapo të vendoset rigjenerimi i tregut të transportit çmimi do të bie. Kush është problemi? Një qeveri e përgjegjshme ka një masë mbrojtëse nga këto kriza. Kur vjen puna te produktet e shportës, çdo qeveri përgatitet dhe ka masa mbrojtëse, por ne e kemi zhbërë bujqësinë tonë, deri në pikën ku nuk kemi prodhim vendas që futet në lojë kur prodhimi i importit has probleme.

Prodhimi vendas duhet të ishte futur për të na rregulluar këtë problemin e huaj që na ka ardhur. Prodhimi vendas shërben si masë mbrojtëse që të mos godasin shumë”, u shpreh eksperti.

Eksperti Sako u ndal dhe te deklarata e kryeministrit Edi Rama. Ai tha se e gjitha nuk duhet përballuar si një krizë, për shkak se Shqipëria eksporton energji elektrike me një vlerë shumë herë më të vogël nga ajo që ndodhet në bursë.

“Zoti Rama ka marrë kohën e vet që ne ta përthithim më mirë planin për rritjen e energjisë elektrike. Ne flasim për këtë krizë, ndërsa Rama ka marrë vendimin për rritjen e energjisë. Rama ka fuqinë të ndikojë për të rritur një çmim. Finalja këtu do të shkojë. Të gjitha këto kanë pasur një qëllim, që në fund të këtij procesioni do të përfundojë me faktin që ne duhet të rrisim energjinë elektrike. Ky është fundi i të gjithëve.

Ai doli për të na dhënë lajmin se do të rrisë energjinë elektrike. Problemi është që për disa vitesh ka kërkesa të vazhdueshme nga OSSHEE dhe OST për rritjen e çmimit. Edhe pse janë investuar paratë ka humbje në rrjet, kemi problem të madh me energjinë që na del jashtë sistemit. Po çfarë ka qytetari për këtë gjë? Pse duhet ta paguajë unë këtë. Administrimi është përgjegjësi e njerëzve. Janë miliarda para investime dhe pas 500 mln dollarë investime humbjet e pajustifikuara janë 400 mln dollarë. Sa do të zgjasë kriza e energjisë? Kjo do të na kushtonte 50 mln dollarë. Kur shesim ne energji. Çmimi që ne shesim energjinë është shumë herë më i vogël se çmimi që blemë. Pse ne sa herë që blemë energji e blemë shumë shtrenjtë. Kaq të pafat jemi ne? Kaq të pasur jemi ne që ia falim vetes të shesim energji për 30 euro, kur në bursë është 200 euro? Ne jemi të korruptuar dhe ky çmim korrupsioni na përkthehet ne duke thënë që do të rrisim çmimin e energjisë. Ne nuk kemi krizë, por keqmenaxhim. Këto janë të rikuperueshme, nuk është krizë, por moment.

Këto momente kështu ka sa të duash në treg. Këto përballohen vetë. Në vendet e tjera këto kosto në rritje energjetike i mbulon qeveria. Kjo është manovër politike e zotit Putin për të treguar muskujt ndaj Evropës. Zoti Putin doli sot dhe tha se do të ulim deficitin. Këto janë gjëra politike që nuk zgjasin pafundësisht.

Para 6 muajsh u bllokua kanali i Suezit. Bie zjarri në rafineri, diku bie në ndonjë burim, por këto gjëra nuk kanë logjike. Kjo përdoret si aksiomë për një veprim politik”, theksoi Sako.

Shtatë propozimet e opzoitës për normalizimin e kësaj situate sipas ekspertit, ishin jo të menduara mirë. Ai tha se opozita nuk duhet të pranonte rritjen e çmimeve të paralajmëruara nga kryeministri. Sako nënvizoi se vendosja e taksës 20 lekë për naftën nga ana e qeverisë është e tepërt, në një kohë që qytetarët paguajnë për taksën e regjistrimit dhe atë të mirëmbajtjes.

“Subvencionimi i qytetarëve. Ky është totalisht gabim. Unë nuk do të pranoja një kompromis për rritjen e çmimit. Nëse do të isha kryetar i opozitës nuk do e kisha pranuar. Ulja e taksës që thotë opozita, ne kemi parë në raste të tjera që këto s’kanë ardhur te konsumatori. Unë jam dakord me pikën 1 për heqjen e taksës së naftës.

Kjo është e vërtetë sepse është bërë maskarllëk me atë taksë. Na u tha që nuk kemi lekë për të menaxhuar rrugët, tha që na duhet lekë. Për këtë vendosi taksën e qarkullimit. Por kur bën llogaritë sot, qeveria mbledh rreth 18 milardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe shpenzon rreth 40 mln euro për mirëmbajtjen.

Ne paguajmë dhe taksën e regjistrimit dhe kjo 30 mln euro është shtesë. Jam dakord me opozitën për shpenzimet e shfrenuara të OSSHEE. Do të kishim ngërç financiar që KESH dhe OSSHEE kanë pasur harxhime të një luksi të shfrenuar. Nuk e kemi luksin ne për të pasur zyra të shtrenjta”, përmbylli eksperti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb