Situata në Veri të Kosovës ka ngritur në këmbë të gjithë institucionet vendore. Pas lajmeve që qarkulluan mbi tezat se çfarë mund të ndodhnin në Mitrovicë, Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra, ka qenë në terren duke parë nga afër situatën, e cila sipas tij është paraqitur e qetë.

“Informacione të tilla kanë qarkulluar, mirëpo institucionet e vendit kanë marr me seriozitet çdo informacion që ka ardhur edhe nga pjesa veriore, mirëpo deri tani nuk kemi asnjë lloj veprimi i cili do të binte ndesh me legjislacionin në fuqi. që mund të themi se situata nuk është e ndryshueshme por është mjaft stabile”, ka thënë Shkodra për televizionin publik.

Shkodra thotë se institucionet e sigurisë kanë qenë të gatshme t`i përgjigjen çdo situate që mund të ndodhte në veri. Kryeministri Ramush Haradinaj kishte takuar Këshillin e Sigurisë, ku kishte bërë të ditur se nuk do të lejohen veprime që prishin rendin kushtetues. “Informacionet që kanë qarkulluar nuk mund të themi se nuk kanë qenë serioze, por situata nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të jetë e njëjta”, shtoi Shkodra. Kujtojmë se dje në mbrëmje qarkulloi edhe lajmi se forca të KFOR-it kishin marr nën kontroll Liqenin e Ujmanit, por këta zyrtarë sqaruan se lëvizjet e trupave të tyre po bëhen në kuadër të ushtrimit operativ të paralajmëruar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb