Tre persona kanë ndërruar jetë si pasojë e një sulmi ajror turk, ndërkohë që disa të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi të shtunën në një kamp për të zhvendosurit në pjesën veriore të Irakut. Lajmi u bë i ditur nga Rashad Kelani, përfaqësues i partisë së Bashkimit Patriotik të Kurdistanit.

Sulmi ndaj kampit, ku strehohen mijëra refugjatë kurdë nga Turqia, vjen tre ditë pasi Presidenti turk Tayyip Erdogan paralajmëroi Irakun se Turqia do të “spastronte” një kamp refugjatësh, për të cilin tha se ofronte strehë të sigurt për militantët kurdë.

Një zyrtar irakian i sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi se sulmi ajror kishte shkaktuar të vrarë dhe të plagosur në kamp, por nuk dha detaje. Forcat turke kanë shtuar sulmet ndaj bazave të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), parti e nxjerrë jashtë ligji në Turqi. Sulmet gjatë vitit të kaluar në territorin irakian u përqendruan kryesisht në një rrip deri 30 kilometra brenda territorit irakian.

Presidenti Turk tha të enjten se kampi Makhmour, rreth 180 kilometra nga kufiri me Turqinë ku strehohen mijëra refugjatë turq prej më shumë se 20 vitesh, ishte “inkubator” për militatët dhe se duhej marrë në shqyrtim. Kampi u krijua në vitet 1990-të kur mijëra kurdë nga Turqia kaluan kufirin në një lëvizje që Ankaraja thotë se u provokua qëllimisht nga PKK.

PKK-ja është përcaktuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Që nga viti 1984 PKK ka zhvilluar një betejë kryengritëse në pjesën juglindore të Turqisë, me popullsi kryesisht kurde. Më shumë se 40 mijë njerëz javë vrarë në konflikt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb