Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi sot se varianti indian i Covid mund të jetë rrezik për rihapjen e mëtejshëm në Angli, nëse vazhdon të përhapet atje, pas një rritjeje shqetësuese të këtij varianti në disa vende.

Duke iu nënshtruar një kontrolli të rreptë gjatë dimrit, MB, që numëron gati 128 000 vdekje të shkaktuara nga COVID-19, ka parë që gjendja shëndetësore në vend të përmirësohet dukshëm.

Megjithatë, tri ditë para fazës kryesore të heqjes së bllokimit, me rihapjen e hotelierisë, teatrove dhe vende kulturore, si edhe rifillimin e udhëtimeve jashtë vendit, shqetësimi po rritet përkundrejt përparimit të këtij varianti.

“Në këtë pikë, nuk ka asnjë arsye për të shtyrë lehtësimin e së hënës”, tha udhëheqësi konservator në një konferencë shtypi.

“Por nëse varianti rezulton të jetë shumë më ngjitës, do të përballemi me zgjedhje të vështira”, theksoi ai, duke shtuar se “ky variant i ri mund të prishë seriozisht progresin tonë dhe ta bëjë shumë më të vështirë hedhjen e hapit tjetër”, duke pasur parasysh datën 21 qershor, kur supozohet se hiqen pothuajse të gjitha kufizimet.

Johnson shpjegoi se për të ndaluar përhapjen e variantit B1.617.2, intervali midis dy dozave të vaksinës (deri në tre muaj) do të ulet në tetë javë për personat mbi 50 vjeç dhe më të prekshmit.

“Asgjë nuk sugjeron që vaksinat tona do të jenë më pak efektive, megjithatë duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb